Home KRYESORE Një mur faqjeje FCB nuk është mur WC!

Një mur faqjeje FCB nuk është mur WC!

Kujtesë etike nga Artan Fuga

Një mur faqjeje FCB nuk është mur WC!

Fillimisht falenderoj të gjithë të abonuarit, pëlqyesit, miqtë, komentuesit, etj., të kësaj faqeje Facebook.

Aktualisht komunikimi është aq i dendur dhe intensiv sa është e pamundur të jepen përgjigje për të gjitha komentet e bëra. Unë ju falenderoj dhe ju siguroj se nuk e ndjej se kjo faqja është “e imja” ku penalltinë e gjuaj vetë sepse topi është i mi:) Vetëm një rrëfim i thjeshtë para dy ditësh, thjesht një ngjarje nga jeta e përditshme,krejtësisht e saktë, pa asnjë vlerësim nga ana ime, mori dhjetra mijë shikime e klikime, 2700 like, 158 share, rreth 200 komente, etj.

Por fushata elektorale ka hyrë dhe disa shpirtra nga ferri janë mobilizuar!

Nga njera, për turp ka individë që iu drejtohen të tjerëve : mos fol! hesht! Mos rrëfe! Kujtimi yt nuk është si kujtimi im! Hakërrima, ulurima, hungërima! Sa turp përpara masës dërmuese të komunikuesve që kanë edukatë të lartë komunikimi!

Disa prej atyre që u mungon kjo edukatë, mua më dalin menjëherë edhe si profile fallco. Dihet se çfarë pune bëjnë! Ata i “qërroj” pa paralajmërim nga faqja. Sepse funksioni i tyre është t’u bëjnë presion të tjerëve mos flasin! U marrin të keqen!

Prandaj kujtoj edhe njëhere etikën e kësaj faqeje. Do të hiqet menjëherë çdo koment që personalizon debatin, cdo koment që ka më të voglën nuancë fyese ndaj dikujt tjetër qoftë ky edhe dikush jashtë këtij komuniteti, cdo koment që përmban fjalë fyese, kërcënime ndaj të tjerëve, ose çdo gjë që nuk përkon me edukatën e komunikimit. Cdo gjë që i bën presion dikujt! Edhe një fije floku po i preku në dinjitet!

Kush vjen këtu dhe flet është i mbrojtur në dinjitetin e vet!

Ca të padenjë nuk mund të na pengojnë të komunikojmë qetësisht dhe hapur. Imagjinoni kishte nga ata, dy a tre, që janë drejtuar edhe me shprehjen : “Pse i tregon këto?” Psikopatë! Disa nxjerrin traumat psiqike ndofta nga vuajtje personale, por që askush nuk ua ka borxh t’ua duroj këtu! O të shkojnë te mjeku, o t’i qajnë hallet ku duan, o të presin zgjedhjet dhe t’a zgjidhin me votë. Por, jo të na bezidisin këtu a thua se vetëm ata apo ato kanë përballje me jetën!

Pas heqjes të komentit, vijojmë me zbimin e thjeshtë nga faqja për të na lënë rehat. Askush nuk tolerohet që meqë jemi si në rrugë këtu, por rrugë pa polic dhe ligje, meqë disa janë edhe me maska, meqë disa janë edhe jashtë vendi, të hedhin gurë mbi komentuesit e kësaj faqje.

Eshtë detyra e kësaj të fundit t’u dali zot këtu! Ndryshe bëhet deti kos! Faqja nuk është imja, por përgjegjësia është krejtësisht imja për etikën e saj!

Faleminderit!

Share: