Home KRYESORE Si do votojmë më 25 prill? Celibashi tregon kur fleta bëhet e...

Si do votojmë më 25 prill? Celibashi tregon kur fleta bëhet e pavlefshme

Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar përmes një deklarate për shtyp sesi do të votohet në fletën e votimit të miratuar dje për zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi iu ka treguar qytetarëve mënyrën sesi ata do të zgjedhin subjektin dhe kandidatin e preferuar. Po ashtu ai ka treguar se kur fleta e votimit është e vlefshme dhe kur bëhet e pavlefshme.

“Nuk do të jenë emrat në fletë, por numra që tregojnë kandidatët të renditur sipas asaj që ka sjellë partia. Votuesit para se të shkojnë për të votuar duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit dhe partisë që duan të zgjedhin. Në çdo qendër votimi do të vendosim postera për të treguar se çfarë numri ka çdo kandidat i çdo partie. Nëse ndonjë nga votuesit do të konfuzohet për numrin e kandidatit, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen te dhoma e fshehtë.

Një votues mund të zgjedhë partinë ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie, nuk mund të zgjedhin dy. Nuk mund të zgjedhë një parti dhe një koalicion dhe një kandidat të një partie tjetër. Në çdo rast kandidati duhet të jetë brenda kësaj partie. Njëkohësisht një votues mund të votojë vetëm partinë dhe asnjë nga kandidatët që ajo ka propozuar. Fleta është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat dhe nëse nuk ke zgjedhur partinë apo koalicionin. Kjo fletë numërohet si votë për kandidatin, por edhe për partinë apo koalicionin që i përket. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë apo dy parti”.

Kujtojmë se një ditë më parë u vendos që fleta e votimit nuk do të ketë emrat e kandidatëve, por numrat ./Opinion.al

Share: