Home KRYESORE Të shtrirë në tokë, si u arrestuan grabitësit e vilave, policia jep...

Të shtrirë në tokë, si u arrestuan grabitësit e vilave, policia jep detaje

Policia e Tiranës ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në zonën e Liqenit të Thatë, ku u godit një grup që grabiste vilat në këtë zonë.

Sipas autoriteteve janë arrestuar shtetasit: Dorjan Lamani (Qirjazi), 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”; Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”; Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”; Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Moskallëzim krimi”; Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B. S., të kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarjeje ka sekuestruar prova materiale si armë zjarri, vlera monetare, bizhuteri, radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe telefona celular, konkretisht: 1  armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë; 17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit, Bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë etj, 3 palë çelësa automjetesh, njëri prej të cilit dyshohet të jetë vjedhur në banesën e shtetasit A. N., ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020, 1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.

Sipas policisë rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, janë autor të dyshuar dhe të vjedhjes së banesës së shtetasit A. N., në rrugën ‘Xhanfize Keko”, ngjarje e ndodhur në datën 14 dhjetor 2020, ku janë vjedhur 40.000 lekë dhe automjeti i tij.

Gjithashtu nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, pasi siguronin informacione dhe piketonin banesa ku kishte shuma parash dhe bizhuteri, organizonin dhe kryenin vjedhjen e tyre.

Ndërkohë nëpërmjet Interpol Tiranës po bashkëpunohet edhe me disa vende të BE-së, për të dokumentuar aktivitetin kriminal të këtyre personave në Greqi dhe vende të tjera të BE-së./Opinion.al

Share: