Home KRYESORE Videopoezia – gjuha e re që promovon poezinë

Videopoezia – gjuha e re që promovon poezinë

Nga Gladiola Jorbus

Në sajë të internetit dhe të teknologjisë, në të gjithë botën ka shpërthyer një format i ri për të shijuar poezinë si termi videopoezi, poezi video-vizuale, poetronica, video poezi apo poezi mediatike.

Tom Konyves, një poet kanadez me origjinë nga Budapesti (Hungari) e ka përdorur i pari termin videopoezi. Në 1978, Tom Konyves përdori këtë term për të përshkruar “Simpatitë e Luftës”, veprën e tij të parë në këtë zhanër.

Ai konsiderohet pionieri i kësaj fushe. Sipas T. Konyves ‘’videopoezia është një zhanër i poezisë i ilustruar në një ekran që dallon nga krahasimi i imazheve, i tekstit dhe i tingullit bazuar në një kohë specifike’’.

Ndërthurja e këtyre tri elementeve përçon te shikuesi realizimin e përvojës poetike. Pikërisht ky është synimi i videopoezisë: të paraqesë procesin poetik duke e shoqëruar me imazhe dhe melodi, pra ana audiovizuale bashkërendohet me fjalën poetike. Teksa poetët lexojnë tekstet, përmes zërit emocional dhe ndjellës, imazhet lëvizin nëpër ekran.

Poezia në vetvete zbulon pentagramin intim, zërin vetjak, tek ajo spikat plotshmëria e imazheve të fuqishme bashkëkohore, poezia është natyra që flet, që zbulon ekzistencën e saj, pafundësinë e gjallesës që lëvrin në të.

Në ditët e sotme, poezia e ka zgjeruar audiencën e saj, edhe falë rolit të internetit, ndaj videopoezia shfaqet si një përzierje zhanresh.

Qoftë formati i shtypur në letër i vëllimit poetik, qoftë ai elektronik apo videopoezia duhet të bashkëjetojnë dhe të përcillen, po aq natyrshëm te lexuesi. Gjithsesi, poezitë që vijnë në formën e një mesazhi audiovizual duket sikur e kompletojnë dhe e bëjnë më të afërt, më empatike e më të ngrohtë për lexuesin, transmetimin e vargjeve.

Videopoezia e promovuar përmes rrjeteve sociale ngjet sikur po largohet nga faqja e shkruar, duke iu afruar apo rikthyer formatit të këngës, meqenëse në origjinën e saj ka qenë e lidhur ngushtë me traditat muzikore.

Çdo videopoezi është unikale dhe fton në ballafaqimin e imazheve, të gërshetuara me përdorimin e tekstit në hapësirën audiovizive. Zhanri i videopoezisë, edhe pse e ka zanafillën disa dekada më parë, ka marrë hov të madh këtë periudhë. Ajo po ngjall interes dhe po lëvrohet aktualisht nga shumë poetë, në rang kombëtar e ndërkombëtar.

https://m.youtube.com/channel/UChK64dB80AG1BNbaPB8ZFTQ/featured
Share: