Home Gjeo-Ekonomia “Vitin e kaluar shkalla e papunësisë u rrit me 11.8 përqind”, Gent...

“Vitin e kaluar shkalla e papunësisë u rrit me 11.8 përqind”, Gent Sejko: Pasojat ekonomike nga pandemia të dukshme, projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një konferencë për mediat, deklaroi se vitin e kaluar, shkalla e papunësisë u rrit me 11.8 përqind.

Sejko thekson se pasojat ekonomike nga pandemia janë të dukshme, duke shtuar se projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive.

“Perspektiva e zhvillimit ka ardhur drejt zhvillimit gjatë muajve të fundit. Shqipëria ka qëndrueshmëri financiare. Ritmi i rimëkëmbjes ekonomike u përshpejtua. Norma e inflacionit ka qenë më i ulët nga se e prisnim. Ekonomia po vazhdon që të gjallërohet. Shkalla e papunësisë u rrit gjatë vitit të shkuar me 11.8 për qind.

Pasojat ekonomike të pandemisë të dukshme. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Synohet që të kthehet inflacioni në objektiv brenda vitit 2022. Norma bazë e interesit mbetet 0.5 për qind. Banka e Shqipërisë parashikon për këtë vit një rritje më pozitive nga se e kishim parashikuar fillimisht”, u shpreh Sejko.

Fjala e plotë:

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 5 maj 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i analizuar tregon se ritmi i rimëkëmbjes së aktivitetit ekonomik u përshpejtua dhe perspektiva e zhvillimit ka ardhur drejt përmirësimit gjatë dy tremujorëve të fundit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo ecuri pasqyron: (i) fleksibilitetin e ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërinë e sistemit të saj financiar; (ii) mbështetjen e siguruar nga stimuli monetar, financiar dhe fiskal; si dhe, së fundmi, (iii) reduktimin e kufizimeve dhe rritjen e besimit në përgjigje të procesit të vaksinimit.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se – në stadin aktual – rimëkëmbja ekonomike nuk është e plotë dhe faktorët mbështetës të saj nuk janë ende të konsoliduar. Pasojat e pandemisë në ekonomi mbeten të dukshme, në nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë. Po ashtu, inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3%.

Në këtë kontekst, Këshilli gjykon se politika monetare duhet të vijojë të mbetet në kahun lehtësues. Stimuli monetar do t’i shërbejë nxitjes së konsumit dhe investimeve, çka do të përkthehet më tej në rritje të punësimit, të pagave dhe të marxheve të fitimit, në linjë me objektivin tonë të inflacionit.


Informacioni i ri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona, ndonëse rritja e aktivitetit ekonomik ka qenë disi më e lartë se to dhe norma e inflacionit kanë qenë disi më e ulët.

Inflacioni shënoi një rënie të shpejtë dhe të papritur në muajin janar, si pasojë e reduktimit të çmimeve të artikujve ushqimorë. Rikuperimi i këtyre çmimeve në periudhën pasuese solli dhe rritjen e inflacionit në muajt shkurt e mars, por norma mesatare e këtij treguesi për tremujorin e parë rezultoi e ulët, në nivelin 0.9%. Nga ana tjetër, inflacioni bazë rezultoi i qëndrueshëm, rreth nivelit 1.5%, duke sugjeruar se luhatjet e çmimeve të ushqimeve do të kenë efekte vetëm kalimtare në inflacion.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pas tre tremujorësh të njëpasnjëshëm në rënie. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve, dhe u pasqyrua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe atyre të shërbimeve. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë të vitit aktual janë vetëm indirekte, por ato sinjalizojnë vijimin e gjallërimit të ekonomisë, sikundër ilustrohet nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, i llogarive fiskale dhe i flukseve tregtare.

Megjithatë, edhe pse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende poshtë niveleve të regjistruara në periudhën përpara pandemisë dhe e pamjaftueshme për të vënë në shfrytëzim të plotë faktorët e prodhimit. Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim.

Dobësia e kërkesës agregate dhe e pozicionit ciklik të ekonomisë kanë kërkuar një përgjigje të fortë dhe të koordinuar nga politikat makroekonomike.

Stimuli fiskal i vitit 2020 mori formën e lehtësive të përkohshme tatimore, të ofrimit të garancive sovrane, si dhe të rritjes së shpenzimeve korrente e kapitale. Për vitin 2021, stimuli fiskal ka formën e rritjes së shpenzimeve kapitale, në mbështetje të programit të rindërtimit dhe të zhvillimit të infrastrukturës. Të dhënat fiskale të tremujorit të parë janë në linjë me këtë ecuri, duke dëshmuar një zgjerim të njëkohshëm si të të ardhurave e shpenzimeve fiskale, ashtu dhe të deficitit buxhetor.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ofroi stimulin e nevojshëm monetar, për të garantuar funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të nxitur më tej kreditimin e ekonomisë. Po ashtu, lehtësimi i përkohshëm dhe i targetuar i mbikëqyrjes së rregulloreve të funksionimit të sektorit bankar ofroi lehtësi të mëtejshme për bizneset dhe familjet shqiptare, në formën e moratoriumit gjashtëmujor të kësteve të kredisë dhe në formën e nxitjes së ristrukturimit të saj.

Stimujt monetar e financiar kanë pasur një transmetim të mirë. Për rrjedhojë, kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese. Tregjet financiare operojnë të qeta dhe normat e interesit vijojnë të jenë pranë minimumeve historike, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra. Po ashtu, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në veçanti, sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet, duke pasqyruar si shëndetin e bilanceve të sektorit bankar ashtu dhe reagimin e duhur të tij ndaj goditjes. Në muajin mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar vlerën më të ulët të regjistruar prej vitit 2009.

Kredia për sektorin privat njohu një rritje mesatare vjetore prej 7.5% në tremujorin e parë. Kjo rritje shfaqi një bazë të gjerë, e nxitur nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi është një zhvillim inkurajues për rritjen ekonomike në të ardhmen. Po ashtu, zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë, tregues ky i cili shënoi vlerën 52% ndaj totalit në muajin mars, jep sinjale pozitive në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare dhe të qëndrueshmërisë financiare.

Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim. Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.


Në gjykimin e Këshillit, rimëkëmbja e plotë e ekonomisë dhe rritja e qëndrueshme e inflacionit drejt objektivit duhet të vijojë të mbështetet nga një profil stimulues i politikave ekonomike. Për sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm, për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.

Për këtë arsye, ai vendosi: të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;

të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

Ndër të tjera, stimuli monetar do të përfitojë nga ruajtja e formës aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar, të paktën dhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, por ajo shfaqet më e balancuar në afatin e mesëm. Në veçanti, rreziqet në afatin e shkurtër burojnë nga: një përmirësim më i ngadaltë se pritjet i situatës epidemiologjike, në vend dhe në botë;

vështirësi të mundshme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare; si dhe nga,

një reagim më i ngadaltë i biznesit dhe i familjeve ndaj kushteve të përmirësuara financiare.

Për këto arsye, Këshilli Mbikëqyrës thekson se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm. Çdo normalizim në kohë i politikës monetare do të jetë i kujdesshëm, duke mos cenuar qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike dhe duke mos dëmtuar premisat e kthimit të inflacionit në objektiv.

Së fundi. Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të axhendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike. Ato janë të vetmet instrumente që do të mundësojë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

(Balkanweb)

Share: