Home KRYESORE Zgjedhjet e 25 prilit/KAS nis shqyrtimin e ankesave, kërkesat e PD dhe...

Zgjedhjet e 25 prilit/KAS nis shqyrtimin e ankesave, kërkesat e PD dhe LSI

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka nisur ditën e sotme shqyrtimin e ankesave të bëra nga partitë opozitare që kërkojnë shpalljen të pavlefshme të procesit zgjedhor në disa qarqe të vendit.

Bëhet me dije se kërkesa e parë ankimore është relatuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ku kjo parti kërkon shpalljen të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në qarkun e Gjirokastër.

Një kërkesë e ngjashme vjen edhe nga Partia Demokratike.

Ndërkohë njoftohet se gjithsej në KAS janë dorëzuar 14 kërkesa ankimore e nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, koalicioni i Kujtim Gjuzit dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ankimime në thelb kanë për objekte kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve, në 9 qarqe nga demokratët dhe në 4 nga LSI.

Gjatë fjalës së tyre përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë deklaruar se drejtues e ish-drejtues policie, në bashkëpunim me kriminelë kanë blerë votat në qarkun jugor, duke deformuar vullnetin qytetar.

“PS në qarkun e Gjirokastër kishte drejtues politik Bledar Çuçin, i renditur i katërti në listën shumëemërore. Drejtori i Fushatës ishte shtetasi Arianit Arapi, ish-shefi i Policisë, i hetuar për lidhje me drogën dhe bandën famkeqe të Shullazit. Lidhja mes Çuçit dhe Arapit daton që nga viti 2017, kohë kur Çuçi kandidonte si deputet për qarkun e Gjirokastrës dhe Arapi mbante funksionin e drejtorit të Policisë së qarkut të Gjirokastrës duke u përfshirë drejtpërdrejtë në manipulimin e votave. Sipas informacioneve zyrtare të SHISH dhe Policisë së Shtetit, ky shtetas në bashkëpunim me Andrea Çaushin, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Kalivaç të Tepelenës, madje kanë penguar forcat policore për të monitoruar këtë zonë. Ky shtetas së bashku me persona me rekorde të rënda kriminale nga Fushë-Kruja, të lidhur me bandën e Shullazit, si dhe me bashkëpunimin e drejtorit të Policisë Përmet Ermir Gërxhani kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike në Përmet.

Një tjetër person me rekorde kriminale është vëllai i kryetarit të PS Tepelenë, Dino Selimi, i cili ka shërbyer si transportues për narkotikët nga zonat malore të Tepelenës në qytetin bregdetar të Vlorës. Sokol Feruni është një tjetër person me rekorde të tmerrshme kriminale për kultivimin e narkotike që është përfshirë drejtpërdrejtë në fushatën e Bledar Çuçin. Ky shtetas në bashkëpunim me vëllain e tij dhe shtetasin Andi Shkurta janë të njohur për lidhjet e tyre kriminale. Për shkak të lidhjeve të mësipërme këta shtetas kanë zbatuar një skemë kriminale të blerjes së votës. Sic jemi në dijeni në kohën kur Ministër i Brendshëm ishte Tahiri, prokurorët e Krimeve të Rënda dërguan në gjykatë një pjesë të anëtarëve të grupit, por shpëtuan Arianit Arapi dhe Ermir Grexhani, që ishin drejtues të policisë Gjirokastër dhe Përmet. Në shkurt të 2021 Arianit Arapi pasi ishte larguar nga Policia e Shtetit për shkak të lidhjeve me element kriminal, u emërua këshilltar i Ministrit të Brendshëm dhe drejtues i Fushatës së PS në Gjirokastër”, thanë përfaqësuesit e PD.

Ndërkohë që nga ana tjetër LSI kërkon që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në Bashkinë Dropull, gjë që ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Gjirokastrës.

Përfaqësuesi i LSI është shprehur gjatë seancës se edhe ato që erdhën nga Greqia apo Maqedonia e Veriut u ruajtën me policë pasi u ishte marrë adresa e shtëpisë.

“Kërkojmë shpalljen e pavlefshme të rezultatit në Bashkinë Dropull e për rrjedhojë në të gjithë Qarkun Gjirokastër. Kemi të bëjmë me shkelje të lirive sa i takon të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Kjo shkelje ka ardhur nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që vendosi karantinën e detyrueshme 14-ditore. Pa u futur në Fletoren Zyrtare, janë marrë masa që të mos lejohen qytetarët të vijnë në Shqipëri. Ndërkohë që shumë qytetarë të tjerë, të paktën 500, hynë nga pikat e kalimit kufitar të jugut dhe nuk u karantinuan sipas urdhrit. Këta kanë qenë komisionerë të PS-së. Ka qenë vetë ministri i Brendshëm, i cili ka ndikuar në nxjerrjen e këtij urdhri të jashtëligjshëm”, tha Altin Kaziaj../Opinion.al

Share: