Home KRYESORE TREGU I PUNËS KËRKON AFTËSI, NJOHURI DHE KOMPETENCA

TREGU I PUNËS KËRKON AFTËSI, NJOHURI DHE KOMPETENCA

Nga Dr. Enriko Ceko

Bota nuk është më si më parë. Pandemia aktuale e Coronavirusit 19 është vetëm një shembull i vogël për atë që bota ka ndryshuar dhe kjo po shprehet dukshëm në gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në pothuajse të tëra vendet e botës dhe të tërë agjentët ekonomikë në treg, qeveria, biznesi, familjet dhe individët tashmë janë bërë edhe më shumë të ndërgjegjshëm se arsimi është çelësi i zgjidhjes dhe i suksesit për të sotmën dhe të ardhmen e afërt dhe të largët.

Tashmë të tërë punëmarrësit kërkojnë forca pune me aftësi, njohuri dhe kompetenca. Që nga fillimi i pandemisë, si në vendet e zhvilluara, ashtu dhe në vendet në zhvillim dhe në ato të pazhvilluara njoftimet për punë për pozicione që kërkojnë diplomë universitare të çdo niveli ranë shumë dhe kjo tregon faktin se punëdhënësit kërkojnë punëmarrës që kanë më shumë aftësi, njohuri dhe kompetenca dhe padyshim edhe përvojë për dhe në botën reale.

Por si mund të realizohet që punëdhënësit të jenë të aftë të ofrojnë në tregun e punës për punëmarrësit pikërisht ato aftësi, njohuri dhe kompetenca që këta punëmarrës kërkojnë?

Këtë e bën të mundur bashkëpunimi midis sektorit publik e privat që ka kërkesa për punëmarrës me sektorin e edukimit, i cili ka për detyrë që të përgatisë individë që hyjnë me guxim, aftësi, njohuri dhe kompetenca në tregun e punës, por në të vërtetë në pothuajse të tëra vendet e botës ka një shkëputje të madhe midis arsimit dhe punësimit, sepse vërehet që institucionet arsimore dhe specifikisht institucionet e arsimit të lartë, nuk u japin përparësi aftësive, njohurive dhe kompetencave për punë që duhet të kenë punëmarrësit e ardhshëm dhe u përcjellin nxënësve dhe studentëve kryesisht njohuri që në përgjithësi nuk kanë lidhje me zhvillimet e sotme të tregut të punës, teknologjive, prodhimit dhe zhvillimit.

Tashmë është e dukshme se ata që kanë përfunduar studimet e larta të mos jenë të pajisur me aftësi, njohuri dhe kompetenca të nevojshme për të kryer në rolin që kërkohet që ata të kryejnë në subjektet në të cilat punësohen, sipas diplomës dhe programit të studimit për të cilin kanë studiuar dhe kjo tregon se në përgjithësi nuk ka qenë e mundur që të realizohet gërshetimi i të nxënit me fitimin e aftësive, njohurive dhe kompetencave që kërkojnë punëmarrësit dhe tregu në përgjithësi.

Për të tejkaluar këtë gjendje është e nevojshme që përveç bashkëpunimit të ngushtë midis punëdhënësve dhe institucioneve arsimore, edhe një qasje e përshtatshme nga ana e subjekteve publike dhe private në përmirësimin e proceseve që përbëjnë punësimin, duke filluar që nga rekrutimi e deri te dalja e punëmarrësve nga tregu i punës.

Pjesa më e madhe e subjekteve publike dhe private jo vetëm në Shqipëri, por në përgjithësi në vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim nuk kanë procedura të qarta për proceset e punësimit që nga rekrutimi i punonjësve e deri në daljen e tyre nga tregu i punës.

Për çdo pozicion pune është e nevojshme që punëmarrësi të ketë aftësi, njohuri dhe kompetenca, por këto duhet të jenë të përcaktuara qartë nga ana e punëdhënësve. Nëse këto aftësi, njohuri dhe kompetenca janë të përcaktuara qartë, atëhere edhe institucionet arsimore e kanë më të lehtë dhe më të qartë se cilat duhet të jenë programet e studimit ku përfitohen këto aftësi, njohuri dhe kompetenca dhe si mund të bëhen konkurruese programet e studimit midis tyre, në mënyrë që institucionet arsimore dhe kryesisht ato të arsimit të lartë të fillojnë dhe të bëhen konkurruese midis tyre.

Është kjo konkurrencë që bën të mundur më tej edhe klasifikimin e këtyre institucioneve dhe vlerësimin më të saktë dhe të drejtë të tyre kur kërkohet.

Në ato kombe ku edukimi është konkurrues, pasi edhe tregu i punës është konkurrues, duket se ka një lidhje të mirë midis punësimit dhe rritjes ekonomike, ka kohezion social, ka qendrueshmëri më të lartë politike, ka legjislacion që respektohet më mirë dhe më shumë, ka mbrojtje reale të mjedisit, ka rezultate positive në sport dhe ka jetë kulturore dhe artistike të pasur dhe në zhvillim. Janë pikërisht këto vende që kanë futur prej kohësh si pjesë e jetës së tyre të përditëshme konceptin e të të mësuarit përgjatë tërë jetës.

Tashmë nuk mund të konceptohet që pasi përfundohen studimet e larta, të mos lexohet më. Tashmë nuk mund të konceptohet që pasi përfundohen studimet profesionale, që nuk të lejojnë fitimin e titujve akademikë, të mos vazhdosh të nxësh duke ndjekur rrugën e trainimeve dhe kualifikimeve profesionale të ndryshme. Tashmë as që mund të pretendohet arritja e avantazheve konkrruese pa patur institucione që ofrojnë shërbime trainimi dhe edukimi e kualifikimi përgjatë tërë jetës, që të jenë të lira, të barabarta dhe konkurrente. Në fakt në Shqipëri janë krujuar disa institucione të tilla, por duket se ato nuk janë të lira, nuk janë të barabarta dhe midis tyre nuk ka konkurrencë të vërtetë.

Distanca shumë e madhe midis punëmarrësve, sektorit të edukimit dhe punëdhënësve si dhe mungesa e konkurrencës reale midis subjekteve publike dhe private (punëdhënësve), midis institucioneve arsimore në vend dhe midis vetë punëmarrësve, ka sjellë atë që sot të mos kemi forca pune të përgatitura dhe të gatshme për t’u përballur me botën reale, ku themeli i suksesit është puna.

Në institucionet arsimore shqiptare mungojnë programe dhe lëndë me anë të të cilave të përcillen te nxënësit dhe studentët njohuritë për të menduarit kritik, mungojnë ose janë të kufizuara njohuritë për projektet dhe manaxhimin e tyre, mungojnë tërësisht njohuritë për mbikqyrjen e punës dhe raportimin e rezultateve, mungojnë ose janë të kufizuara njohuritë për manaxhimin e cilësisë dhe për standardet, mungojnë ose janë të kufizuara njohuritë themelore inxhinerike lidhur me fushën specifike të studimit (që mund të mos jetë fushë inxhinerike), mungojnë ose janë të kufizuara njohuritë për teknologjinë e informacionit, etj.

Këto institucione ende kanë mbetur me metodat, mjetet dhe teknikat e shumë shumë viteve më parë ku procesi klasik i orës së mësimit ishte dhënia e mësimit disa minuta nga ana e mësuesit në nivelet jouniversitare apo e lektorit në universitete dhe më pas zhvillimi i disa pyetjeve të përgjithëshme dhe i disa pyetjeve specifike dhe vetëm kaq. Kemi mbetur te shablloni I dhënies së mësimit, kur një pjesë e mirë e institucioneve arsimore të njohura në botë kanë kaluar prej kohësh në konceptin e mësimnxënies, që bën të mundur përcjelljen më saktë, më mirë dhe më lehtë të aftësive, njohurive dhe kompetencave te nxënësit dhe studentët.

Fakti se shumica e atyre që përfundojnë studimet shprehen se sistemi aktual i arsimit nuk i përgatit ata për punësim, fakti se shumica e atyre që përfundojnë studimet deklarojnë se përvoja e tyre e arsimit në universitet nuk siguron për ta aftësitë e nevojshme për të kryer punën edhe në rastin kur ata e fitojnë vendin e punës, fakti se një pjesë e mirë e atyre që përfundojnë studimet nuk aplikojnë fare për punë sepse e dinë fare mirë që nuk janë të kualifikuar për punë dhe fakti se edhe pasi përfundojnë studimet, aftësitë, njohuritë dhe kompetencat që ata mund të kenë marrë në shkollë nuk janë të listuara në përshkrimin e vendit të punës për të cilin kërkohen aplikime nga ana e punëdhënësve, tregon më së miri se cila është gjendja e sistemit tonë arsimor si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat në Shqipëri.

Për të qenë të aftë të përballemi me sukses me tregun e punës kërkohen aftësi, njohuri dhe kompetenca dhe këto i bën të mundur vetëm një sistem arsimor që e shikon vehten të lidhur ngushtë me zhvillimet më të mira në botë dhe me bërjen e krahasimeve me atë se si është gjendja aktuale e arsimit në Shqipëri dhe se si duhet të jenë kjo gjendje në të vërtetë.

Share: