Turistët shqipfolës nga Kosova kanë dominuar hyrjet e shtetasve të huaj edhe gjatë majit, e duket se do të shpëtojnë edhe këtë vit sezonin.
Instat raporton se muajin e kaluar kanë hyrë në vend 143.9 mijë shtetas kosovarë, gati dyfish më shumë se në vitin 2019, një fluks i pritshëm me mbarimin e muajit të Ramazanit dhe ngrohjen e motit.
Lehtësimi i masave bllokuese ka përmirësuar bilancin e vizitorëve të huaj gjatë majit, duke bërë që të vijnë në vend 328.7 mijë në total, ndjeshëm më shumë se në 2020, por me gjithë përmirësimin në rezulton në rënie në raport me vitin normal 2019.
Ndërsa gjatë 5-mujorit të parë në vend kanë hyrë mbi 1 milionë vizitorë të huaj, rreth 1.8 herë më shumë se vitin që lamë pas ku më shumë se gjysma e tyre janë turistë nga Kosova.
Masat e lehtësuara në vend duket se kanë rikthyer fuqishëm polakët që gjatë pesëmujorit pothuajse janë 5-fishuar, teksa rritje të ndjeshme kanë parë edhe vizitorët nga Zvicra dhe vendet e rajonit si Maqedonia e Mali i Zi.
Pjesa dërrmuese e vizitorëve të huaj kanë ardhur në Shqipëri kryesisht për pushime, teksa rritje kanë parë edhe udhëtarët transit këtë periudhë, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi kanë shënuar rënie në raport me janar-maj 2020.
Paralelisht, rritje ka shënuar edhe numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit gjatë muajve janar-maj pasi sipas Instat rreth 306.5 mijë kanë kaluar kufijtë, mbi 278 mijë më shumë se një vit më parë, kur për 3 muaj thuajse kufijtë u bllokuan tërësisht.
Një trend i tillë pritet të vijojë edhe në muajt pasardhës gjatë sezonit turistik pasi Greqia ku shumë shqiptarë e zgjedhin për të pushuar së bashku me vende të tjera kanë zbutur masat kufizuese.
Top Channel