Home KRYESORE DEBATI BERISHA MBAN “PENG” OPOZITËN DHE FUQIZON RAMËN

DEBATI BERISHA MBAN “PENG” OPOZITËN DHE FUQIZON RAMËN

-Nga Arbi Fortuzi-

Fatkeqësisht, Partia Demokratike ende nuk po gjenë forcë të shohi përpara dhe të jetë një opozitë reale, sfiduese dhe frymëzuese karshi mazhorancës socialiste. Edhe beteja për “Masakrën Zgjedhore”, pas procesit zgjedhor të 25 prillit, ka mbetur në hije.

Stuhia e debatit, që ka vërshuar brenda selisë blu, për shkak të vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha, për përjashtimin e përkohshëm të ish liderit historik të PD Sali Berisha, nga grupi parlamentar i forcës politike që “doktori” themeloi, ka “turbulluar” strategjinë e demokratëve në opozitë. Disa me Bashën dhe disa të tjerë me Berishën, debati brenda PD mbetet tek doktori dhe nuk sheh përtej pragut të partisë, duke harruar kampin socialistë, që ecën me ritëm të lartë dhe pa u ndalur në fuqizimin e pushtetit të Kryeministrit Edi Rama.

Teksa brenda Partisë Demokratike, rryma pro Berishë sulmon Bashën dhe besnikët e kryetarit shpenzojnë energji për të mbrojtur liderin aktual të PD, Partia Socialiste ka publikuar nisma konkrete mbi të cilat po ndërton qeverisjen e mandatit të tretë të saj. Kësisoj, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste po udhëtojnë në dimensione të ndryshme

Kështu, Rama njoftoi për ngritjen e Agjencisë për Mediat dhe Informim, apo Kodit të Etikës..etj, por deri më tani në kampin e selisë blu, veç disa statuseve në Facebook dhe vijimit të debatit mbi Berishën, nuk ka asnjë strategji të qartë se si do t’i kundërshtoj këto nisma të ndërmarra nga mazhoranca.

Kësisoj, socialistët duken mjaft komod, madje dhe provokues. Fillimisht PS, ndezi motorët për zgjedhjet lokale të vitit 2023, duke njoftuar dhe prezantuar drejtuesit politik në të 12-ta qarqet, ende pa nisur mandatin qeverisës. Po ashtu, socialistët këtë të hënë kanë publikuar prioritetin e parë mbi të cilin janë të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën, organet e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbyll mandatin në qershor të vitit 2022 dhe ka ende për të vetuar 370 magjistratë e prokuror. Socialistët kërkojnë dhe votat e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t’i dhënë dritën jeshile këtij institucioni të përkohëshëm, të mbylli kontrollin e pastërtisë së figurës, e të gjithë magjistratëve dhe prokurorëve në sistem.

Propozimi i socialistëve, në një kohë tjetër, do të ishte totalisht i kuptueshëm. Por sot, ky propozim e gjenë të papërgatitur selinë blu. Në rast se lideri demokrat shprehet pro, të besuarit e Berishës do të ishin gati të hidhenin në sulm me akuza të tjera mbi bashkëpunimin e Bashës me Kreun e Socialistëve, duke rritur edhe më tej kapitalin politik të Ramës dhe duke dëmtuar në tërësi opozitën.

Si përfundim, do të ishte e udhës që Partia Demokratike, të gjej forcën e munguar për të tejkaluar krizën “Berisha” e për t’u fokusuar tek opozitarizmi në kuvend, me nisma konkrete, frymëzuese për të parandaluar fuqizimin e tej-skajshëm të socialistëve në pushtet.

Share: