Në deklaratën e dhënë pas fitores së mandatit të dytë si President i Bulgarisë, Rumen Radev është shprehur se qeveria e re nuk do të bëjë lëshime kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë bullgare.
“Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime nga pozitat nacionale posaçërisht kur bëhet fjalë për identitetin, historinë bullgare dhe të drejtat e bashkatdhetarëve tanë prapa kufirit”.
Me këtë deklaratë presidenti bullgar Radev ka konfirmuar edhe një herë veton që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Por kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nëpërmjet një shkrimi në “Facebook”, ka njoftuar se e ka telefonuar Rumen Radev për zgjedhjen e sërishme si president i Bullgarisë.
Zaev bëri të ditur se në bisedën telefonike me Radevin janë dakorduar që të vazhdojnë dialogun mes dy vendeve për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët evropiane.
“Ramë dakord që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë nëpërmjet dialogut dhe kuptimit të ndërsjellë të gjejnë zgjidhje në emër të ardhmërisë së përbashkët evropiane”, u shpreh Zaev.
Shkupi, dhe Tirana presin që zgjedhjet në Bullgari të pasohen me një ndryshim kursi për heqjen e vetos që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pasi rrugëtimi për dy vendet është konceptuar në bllok.
Ndërkaq, pavarësisht deklaratës së Presidentit të sapo zgjedhur në mandatin e dytë, fjalën e fundit e ka qeveria e re bullgare që pritet të formohet./Opinion.al