Home KRYESORE Të mbrojmë integritetin fizik dhe mendor si dhe dinjitetin njerëzor të vajzave...

Të mbrojmë integritetin fizik dhe mendor si dhe dinjitetin njerëzor të vajzave dhe grave!

Në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, më 23 Nëntor 2021, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bashkohet iniciativës të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Nëpërmjet sloganit “Një mesazh për ty sot…Ndoshta nesër për mua” jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë ligjore falas ndaj çdo personi që ka përjetuar ose është në rrezik përjetimi të çdo forme të dhunës me bazë gjinore.

Media ka luajtur një rol të rëndësishëm në bërjen publike të rasteve të dhunës me bazë gjinore. Pavarësisht këtij kontributi, shumë vajza dhe gra hezitojnë të denoncojnë autorët e dhunës fizike ose psikologjike, presionet apo kërcënimet e ndryshme prej tyre.

Nisur nga të dhënat e bëra publike nëpërmjet Raportit të INSTAT “Burrat dhe Gratë në Shqipëri 2020”, rezulton se 1 në 2 gra, ose 52,9 % e grave pohojnë se kanë përjetuar të paktën një herë dhunë gjatë jetës së tyre, dhe 36,6 % prej tyre pohojnë se aktualisht janë duke përjetuar dhunë.

Parandalimi në nivel të përgjithshëm, por edhe ndëshkimi (kur është rasti) është i domosdoshëm. Reagimi ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore, në vlerësimin e KShH-së është detyrë e gjithë Shoqërisë! Vajzat dhe gratë, viktima të dhunës me bazë gjinore, kërkojnë mbrojtje dhe mbështetje nga shoqëria e institucionet shtetërore!

Përdorimi i dhunës në çdo formë është i dënueshëm. Nëse je familjar, mik apo mikeshë, i dashur apo e dashur, mësues apo mësuese, koleg apo kolege i një vajze dhe grua të dhunuar që ka frikë të denoncojë, mos hesht por denonco, ose më së paku ofro mbështetjen tënde ndaj viktimës për ta inkurajuar të denoncojë! .

  • Parandalimi i dhunës me bazë gjinore është detyrë jo vetëm e institucioneve, por e gjithë shoqërisë!
  • Reagimi me forcën e ligjit ndaj çdo dhunuesi është detyrë e organeve ligjzbatuese dhe organeve të sistemit të drejtësisë!

Albanian Helsinki Committee

Share: