Home KRYESORE “Sokrati” i Shqipërisë si Sokrati i Greqisë! Nga Dashnor Kokonozi

“Sokrati” i Shqipërisë si Sokrati i Greqisë! Nga Dashnor Kokonozi

Lexoja një letër që Mark Shllaku, një mësues 31 vjeçar i dërgon gruas e fëmijëve të tij vetëm pak kohë para se të pushkatohej.

Me të drejtë ajo letër aq prekëse ishte rimarrë e komentuar me shumë dhimbje, mirëkuptim e humanizëm nga mijëra vetë. Rrallë kam ndeshur një indinjatë të tillë kundër dhunës së egër e të verbër që u ushtrua mbi intelektualët shqiptarë fill mbas lufte.

I mora dhe i lexova një e nga një ato mijëra komente dhe m’u duk se kishte mbetur diçka për të thënë.

Në fundin e njërës prej atyre letrave, Mark Shllaku, i le porosi së shoqes të lajë një borxh, të paguajë një të quajtur Halit të cilit i ka marrë hua për tjegullat e shtëpisë.

Marku i mirë, do të jetë i ndershëm deri në fund, ashtu siç ka jetuar. Midis atij malli dhe pengu që ka, ai nuk harron të lërë porosi larjen e borxhit.

E kam imprimuar këtë letër të rrallë dhe antologjike dhe e kam mbajtur gjatë në dorë.
Nuk i besoja vetes për atë ngjashmëri të pa shoqe që kisha zbuluar. Porosia e fundit e Mark Shllakut me kishte sjell ndërmend porosinë e fundit të Sokratit.

Siç thotë Platonit që relaton me një saktësi të pabesueshme orët e fundit të filozofit të madh, rreth të cilit janë mbledhur të gjithë nxënësit e tij, Kritoni, një nga antarët e rrethit sokratik, i pëshpërit mësuesit të tij të bëhet gati sepse ka përgatitur arratisjen e tij.

Sokrati i dënuar me vdekje, nuk pranon dhe pi helmin.

Ndërkohë që të gjithë qajnë Platoni përshkruan gjithçka, lëshimin e trupit, rëndimin e gjymtuarve, ngadalësimin e mendimit dhe vjen deri te fjalët e tij të fundit që ai ia drejton Kritonit. Dhe ato janë: I kam një gjel borxh Asklepios.

Dhe vdes.

Asgjë më shumë a më pak. Filozofi i madh, ai që me mendimin e tij është në origjinë të qytetërimit perëndimor, nuk do të ikë nga kjo jetë pa larë borxhet.

Në rrethanat më dramatike të jetës së tij, Markut të mirë nuk mund e nuk kishte si t’i vinte ndërmend jeta e Sokratit, tek i linte si amanet të fundit të shoqes larjen e borxhit. Por pikërisht kjo i afron më shumë se gjithçka tjetër këtë dy burra që 2.500 vjet i ndajnë nga njëri-tjetri.

Morali i lartë dhe ndershmëria!

Regjimi e dinte mirë se nuk i vinte e keqja nga “agjitacioni e propaganda “ e Mark Shllakut, por duke vrarë të tillë shpirtra të kulluar, ai kishte për qëllim ta linte atë vend pa referenca morale.
Dhe ia arriti.

Sot e kësaj ditë një komb i tërë sillet dhimbshëm, si trup pa kokë!
…………………..

Kam nevojë të shoh dosjen e tij, por kam bindjen se paralelizmi me Sokratin nuk mbyllet ketu. Të dy jane mësues. Paria e Athinës e ndeshkoi Sokratin sepse influenconte e “prishte” rinine. Gjithçka tregon se edhe regjimi i ri i Tiranës i ruhej nje frike të tille ne personin e lirë të Mark Shllakut…

Share: