Home KRYESORE “Open Balkan nuk ka prodhuar asgjë”, Majko: Shqipëria dhe Kosova nuk duhet...

“Open Balkan nuk ka prodhuar asgjë”, Majko: Shqipëria dhe Kosova nuk duhet t’i lejojnë vetes që Serbia ‘të përdorë statusin e viktimës’

Ish-kryeministri Pandeli Majko, ka folur së fundmi për situatën në Ukrainë dhe e luftës ndikimin në Ballkan.

Ai është shprehur se pas pushtimit të Ukrainës ka ‘ndryshuar fjalori i marrëdhënieve ndërkombëtare’ dhe Shqipëria duhet të fillojë të rishikojë status quo-të në rajon.

Në një intervistë për Euronews, Majko tha se lufta mund të nxisë që Brukseli të ketë një qasje tjetër për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Serbia sipas Majkos ndodhet në një situatë delikate pasi është kthyer në një vrimë të zezë pasi nuk pranon të bëhet pjesë e NATO-s.

Gjithashtu është vënë në dyshim dhe integrimi i saj në BE, pasi Beogradi rrezikon të kthehet në një koloni të mirëfilltë ruse. “Ajo që shikohet hapur është drama që po kalon Serbia në rajon. Nuk kemi pse bëhemi pjesë e dramës së tyre”, tha Majko.

Ish-kryeministri përmendi prezencën e një baze ushtarake ruse në Serbi. Kjo e bën Ballkanin një nga pikat më të dobëta dhe të rrezikuara nga agresioni rus. “Interesat e Rusisë në Ballkanin Perëndimor do të amplifikohen nëpërmjet faktorëve serbë”, tha ai.

Sipas Majkos, Shqipëria dhe Kosova nuk duhet t’i lejojnë vetes që Serbia ‘të përdorë statusin e viktimës’, ndaj shtoi se nuk duhet ndërmarrë asnjë veprim i njëanshëm. Majko e cilësoi ‘Open Balkan’ thjesht një iniciativë tre palëshe që nuk ka prodhuar asgjë përveç disa takimeve.

360grade.al

Share: