Home KRYESORE BE dhe SHBA kritikojnë “dizinformimin” ndaj vetingut dhe vëzhguesve

BE dhe SHBA kritikojnë “dizinformimin” ndaj vetingut dhe vëzhguesve

Nga Gjergj Erebara

Drejtoria e Zgjerimit në Komisionin Evropian në Bruksel deklaroi të enjten në Twitter se disa akuza të raportuara në median shqiptare kundër organeve të vetingut dhe vëzhguesve ndërkombëtarë janë “të papranueshme” dhe se synojnë të cënojnë besimin te reforma e drejtësisë, një deklaratë e cila u mbështet dhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Mesazhi i Brukselit erdhi ndërsa në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit po shqyrtohet rasti i prokurores Elizabeta Imeraj, e cila është drejtuesja e prokurorisë së Tiranës. Konfirmimi në detyrë i Imerajt në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit qershorin e kaluar shkaktoi kundërshti të paprecedenta te ndërkombëtarët, përfshirë një deklaratë të përbashkët nga SHBA dhe BE, në të cilën, rasti i Imerajt konsiderohej si një test për të gjithë reformën në drejtësi.

Shqyrtimi i rastit Imeraj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është shoqëruar me një numër lajmesh të publikuara në media të ndryshme shqiptare në të cilat, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs akuzohet se ka përdorur një të sëmurë mendore për të sulmuar Imerajn.

“Shpërndarja rishtazi e akuzave të pabaza dhe dezinformimit drejtuar kundër organeve të vetingut dhe ONM-së është e papranueshme. Kjo fushatë e orkestruar synon të krijojë mosbesim dhe të minojë reformën në drejtësi,” deklaroi EU Near, faqja në Tëitter e Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim në Komisionin Evropian.

“BE-ja mbështet fuqishëm vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së dhe procesin e vetingut,” shkruhet më tej në deklaratë.

Pak çaste më vonë, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ripostoi mesazhin me shënimin: “SHBA-të janë tërësisht dakord me BE-në.”

Konfirmimi në detyrë i Imerajt qershorin e kaluar u pasua me deklarata shumë të ashpra nga SHBA dhe BE. Ambasada e SHBA-ve në atë rast mbështeti rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për apelimin e vendimit të konfirmimit dhe kërkimin e shkarkimit të Imerajt, duke vënë në dukje mes të tjerash një qëndrim jokorrekt të medias shqiptare.

“A do t’i shërbejë media publikut dhe të raportojë mbi këtë çështje me integritet apo do të marrë telefonata dhe do të bie dakord të heshtë dhe të mbyllë sytë?”, pyeti në atë kohë ambasadorja Yuri Kim.

Procesi i apelit për rastin e Imerajt është aktualisht duke u zhvilluar.

Lexo më shuëmë:

Tre seanca maratonë dhe 19 orë në KPA, Elizabeta Imeraj përmbyll parashtrimet

Elizabeta Imeraj mbrohet në KPA me avokat nga Strasburgu, pa pagesë

Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkojnë shkarkimin e prokurores Imeraj për lidhje me krimin

Vetingu i munguar i Elisabeta Imerajt kthehet në çështje ndërkombëtare

Share: