Home KRYESORE Atdheu t’i fal të gjitha: zotin, emrin dhe të ardhmen!

Atdheu t’i fal të gjitha: zotin, emrin dhe të ardhmen!

KU PO NA LË HESHTJA E ATDHEUT? 

Nga Adelina Xhaferi

Në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (dhe jo vetëm) çështja kryesore kishte të bënte me himnizimin e vendit (atdheut) dhe ngritjen në piedestal të gruas/vajzës shqiptare, fryma e së cilës përpos që u përkushtohej punëve të shtëpisë dhe rritjes së fëmijëve (nën urdhra të kanunit), shihet se nuk merrej parasysh në aspektet tjera. Kjo lëvizje, pra, Rilindja Kombëtare ndër të tjera na mësoi se vendi ynë ishte i bukur dhe i pamposhtur edhe atëherë kur mbi të, drizat lëshonin rrënjë dhe këmba e armikut sa vinte e po rëndonte. Por, ajo që na shpëtoi dhe na tregoi një arsye shprese ishte forca e tokës nënë, e atdheut tonë që rrodhi gjak, por që, sërish i mbeti jetë e frymë. 

Sot, kur në çdo anë shohim të mira dhe, jeta e secilit prej nesh rrjedh ashtu siç duam, pa pasur mbi kokë dikë që na cenon lirinë, që na urdhëron të “thahemi” ose na ndalon të mos flasim kur sheh se po e thumbojmë të njëjtin, çështje dhe problem shqetësues është braktisja e atdheut dhe heshtja e tij e vazhdueshme (Duke pritur të shpërthejë një ditë ashtu siç s’do ta bënte kurrë), çështje së cilës na vjen mirë t’ia kujtojmë kryefjalën/moton vetëm kur vijnë festat e nëntorit dhe të “ndizemi papritur” për të treguar se në një të kaluar kemi luftuar për atdheun dhe se sa “sot e duam të njëjtin”. Por, a mjafton me kaq dhe si të njëjtën e shihnin shkrimtarët tanë të mëdhenj, e thonë qartë veprat e tyre letrare, faqet e së cilave kanë erë trualli, erë nëne dhe plot dëshira për të ardhmen e shqiptarëve, por, mbi të gjitha shihet se kanë një qëllim: TË MBROHET ATDHEU NGA

THUNDRRA E ARMIKUT! 

Për heshtjen e atdheut nuk mund të flasim sikur po ndodh vetëm në kohën tonë, ngase në këtë mënyrë do të mohojmë pa dashje të kaluarën, sepse edhe në atë kohë ai bënte të njëjtën gjë, kishte të njëjtën heshtje, por ajo që e dallon dhe e vë njëqind hapa përpara kohës sonë është ngritja intelektuale dhe vetëdijesimi i shqiptarit të asaj kohe, për dallim nga ne të ditëve të sotme. Nëse sot themi se kjo heshtje është e papranuar (së paku për ne që e kuptojmë) dhe se të njëjtën duhet ta ndryshojmë, por, nuk bëjmë asnjë hap për këtë (duke u penguar/ndaluar nga të tjerët që synojnë copëtimin e tokës sonë), dikur ky atdhe kishte mbrojtës sypatrembur edhe kur të njëjtët ishin larg (kujtojmë shqiptarët e shpërndarë anekënd botës pas valëve të mëdha të shpërnguljeve).

Se si ky atdhe mbrohej dhe dashurohej me gjithë shpirt mjafton të lexojmë vepra të cilat do të na e pohojnë të njëjtën. Por, shtrohen pyetjet: Çfarë do të lexohet në të ardhmen? Sa ne do të jemi pjesë e atyre shkrimeve? Sa dhe si do të paraqitet kontributi ynë për atdheun? Apo mos vallë kjo heshtje do të zgjatet e do të stërzgjatet duke filluar që nga koha jonë? Sepse ne pothuajse jemi mësuar me këtë e nuk bëjmë asgjë veçse po e braktisim një tokë, një atdhe të cilin e kemi amanet e “me vetëdije po ia japim armikut”. Sot kur fshatra e qytete i zbrazim dhe marrim rrugët e botës, pa mos mundur të gjejmë askund erën e atdheut dhe qetësinë e natës, nuk besojmë se do të bëhemi pjesë e asaj historie që është ndritur me emra të mëdhenj e atdhedashës. 

Nëse për gjithçka tjetër mund të heqim dorë që të mos e bëjmë, të njëjtën së paku nuk duhet ta bëjmë për çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e atdheut, sepse heshtja e tij nuk do na çojë askund tjetër pos në një greminë/humnerë brenda së cilës nuk do njohim veten, tjetrin, të djeshmen dhe asgjë që na karakterizon neve si popull. Nëse gjithçka që synojmë është një jetë e qetë me një punë të ndershme, këtë mund ta realizojmë edhe në këtë vend (së paku le t’i hedhim sytë tek ata që ia kanë dalë të jenë këtu!) e jo të përfundojmë atje ku fryma jonë paguhet simbolikisht vetëm pse bën punën e dikujt që i ka të gjitha të mirat, e punët më të ulëta i lë në duart tona, sepse ai është në atdhe të vet dhe nga i njëjti merr frytet më të ëmbla. 

Lidhja e njeriut me atdheun është një ndër lidhjet më të forta me të cilën mund të paraqitet një njeri, qoftë në jetën reale, qoftë në atë artistike përmes një personazhi të caktuar, lidhje kjo nga e cila kuptojmë shumëçka, bile-bile edhe besimin në zot. Por se në ç’pikë e vë Rexhep Qosja, shkrimtari i periudhës bashkëkohore shqipe këtë lidhje dhe me çfarë e krahason ai, po e japim dialogun e mëposhtëm të huazuar nga romani i tij “Nata është dita jonë” për ta bërë edhe më të qartë atë që u theksua në fillim, se, në atdhe ke edhe zotin: 

“A besoni në Zot, Zoti Budin!Herë po e herë jo.Kur besoni?Kur jam në Atdhe.Pse besoni kur jeni në Atdhe?Sepse këtu e di për çka t’i lutem edhe kur mund të mos i ketë dëgjuar lutjet e mia.Vetëm për këtë arsye?Jo.Edhe për cilën arsye tjetër?Edhe për arsyen se në Atdhe s’pres ndihmë prej kurrkujt përpos prej Zotit.Kur s’besoni?Kur s’jam në Atdhe.Pse s’besoni kur s’jeni në Atdhe?Sepse kur mbetem pa Atdhe vetvetiu mbetem pa Zot. Çfarë lidhje kanë Atdheu e Zoti?Atë lidhje që kanë babai dhe i biri”…

Autorja – Adelina XHAFERI (është asistente letërsie në Universitetin e Tetovës)

Share: