Home KRYESORE Dashuritë “klandestine” në pajtonët e Tiranës së viteve ’60, sekretet e Tonin...

Dashuritë “klandestine” në pajtonët e Tiranës së viteve ’60, sekretet e Tonin Kolpesë dhe rrëfimi për historinë e aktores shqiptare me një sportist

UVIL ZAJMI

NGA PAJTONI NE QENDER TE TIRANES TE VESPA, PASIONET DHE DASHURITË E FSHEHURA

Jo taksi, as autobus, as trena. Periudha 1950-‘60 janë vitet kur njohjet, dashuritë mondane për brezin e asaj kohe, bëheshin edhe me pajtone, madje ato kanë qenë të preferuara dhe tejet sentimentale. Mjaftonte një karrocë, një kalë i zbukuruar dhe karrocieri, të besuarit e të dashuruarve. Të paktën në Tiranë, si para lufte edhe pas saj, kur pajtoni ishte mjet i rëndësishëm urban, lëvizës, për qytetarët, të pasurit, zyrtarë, intelektualë, sportistë e artistë, këngëtarë, aktorë, shkrimtarë etj. Por, ajo e dashurive “klandestine” pajtoniane janë përtej fantazisë, mbartin tjetër histori, shoqëruar me ngjarje të bujshme, jo vetëm të djemve e vajzave kryeqytetase, por kudo që kanë si protagonistë edhe pajtonin klasik.

Capture
Tonin Kolpeja

Por edhe për dasma, për nusen, çiftin, për festat fetare, për në kinema, shfaqje, opera, për fëmijët, deri edhe për në varreza, pajtoni ka qenë mjeti më i frekuentuar. Prej vitesh me banim në Gjermani, si e kujton sot Tonin Kolpeja, djali simpatik, një “play-boy” i Tiranës së atyre viteve, kohën, qarkullimin, si funksiononte dhe kënaqësinë që të jepte një udhëtim me pajtonin tradicional të asaj periudhe nostalgjike. Nga vendqëndrimet e paharruara të pajtoneve, te karrocierët e njohur, si i garantonin dashuritë, shoqërimet, besnikëria, siguria që i ofronin çiftit, femrës, kur ajo shkonte në takimet e fshehta. Pastaj motori “Vespa”, tjetër histori, të tjera raporte, njohje, tjetër formë argëtimi, tjetër pasion, gjithçka mbi dy rrota, mbi motorin më të famshëm e modern të kohës në botë, një privilegj edhe në dashuri për ata djem që e kishin.

Tonin, ju kujtohet si funksiononte pajtoni në Tiranë?

Në Tiranë, pajtonet kanë pasur vendin kryesor ku jo më shumë se dhjetë të tillë qëndronin në radhë, në pritje të klientit. “Rrugica e pajtoneve” quhej dhe është ajo pjesë e shkurtër rruge tek ish-shkolla e muzikës “Kongresi i Përmetit”, në Rrugën e Dibrës, drejt ish-Lidhjes së Shkrimtarëve në atë kohë, ose drejt Vilës së Musa Jukës. Por, jo vetëm aty, ato kishin edhe disa vendqëndrime, si te Pazari i Ri, pranë Ambulancës së Madhe, te stacioni i vjetër i trenit, pranë Kursalit. Zakonisht ishin për dy persona.

Një udhëtim me pajton, pak ndryshe?

Një formë unike, ndryshe nga mjeti, pasi pajtoni, ndonëse me i ngadaltë, të krijonte një ndjesi të veçantë. Ishe ti i ulur, karrocieri dhe kali i zbukuruar, që kur nxitonte i ngriheshin edhe flokët. Pastaj mënyra e goditjes së patkonjve, zhurma në asfalt, tërhiqnin vëmendjen. Ishte një taksi moderne për kohën, shumë të frekuentuara kanë qenë për gjithçka, përfshirë edhe evenimente të ndryshme familjare, ato fetare, ceremoni, vizita, ato të Vitit të Ri, etj. Për në teatër, kinema, stadium, te berberi, te parukieret për zonjat, në spitale, hotele, rikthimi në shtëpi. Për në dasma, lokale, restorante, në Dajt, apo te Kursali, veçanërisht nuk mund të shkoje pa pajton, borsalino kjo për burrat. Por edhe për gratë, çiftet e kohës vajtja me pajton shoqërohej me veshje luksi. Ose nga stacioni i vjetër i trenit në shtëpi apo anasjelltas etj. Sigurisht që ato përdoreshin edhe për lëvizje të vogla. Pajtoni ishte një luks i madh për ato vite, edhe nga fakti se kishte pak makina, mjete në qarkullim, veçanërisht ato privatë. Para lufte edhe për deputetët.

Një pajtoni në shërbim edhe të dashuruarve?

Kështu i thonë italianët, “Il Pajton nell servizio dell’amore”, një shprehje që e përdornin edhe gjatë qëndrimit në Shqipëri e që mbeti më pas tek populli edhe pas largimit të tyre. Sidomos në vitet ‘50-‘60-të, pajtoni ishte një mjet e këndshëm. Shumë komod, një formë për të mos u dukur, njohur, sidomos për t’u takuar fshehurazi, shumë i këndshëm, intim në dimër, kur binte shi, ishte ftohtë, kohë e keqe. Sigurisht që kishte ndikime edhe nga filmat, dashuritë e mëdha të aktorëve, që fshiheshin edhe pas një pajtoni….

Pse jo taksi, as autobus?

Nga frika apo kujdesja për të mos rënë në sy e për t’u njohur nga taksisti apo në autobus nga shoferi, mendoj se ishin disa faktorë që i kushtëzonte lëvizjet “private” me mjete të tilla publike, kur hipje apo zbrisje. Bëhet fjalë për vajza të bukura, të njohura dhe që me lëvizjet e tyre tërhiqnin vëmendje. Pajtonet ishin më larg vëmendjes, nuk kishin targa, ndoshta ndonjë numër, por që respektonin trafikun rrugor, që nuk ishte shumë i ngarkuar.

Pajton edhe për një takim mondan për vajzat e preferuar?

Pajtoni ishin një formë tradicionale, sentimentale e të garantonin “privacy”. Për një vajzë, damë, zonjë të shkonte në një takim në mënyrë mondane, pajtoni i transmetonte entuziazëm para, por dhe gjatë takimit. Deri edhe kamxhiku ishte një element që i jepte siguri vajzës, shërbente për të hapur rrugën, nga një trafik rastësor që ajo të mos vonohej. Dhe mjafton t’i thoshe orën, karrocieri rikthehej të merrte vajzën, ishin shumë korrektë, pa humbur asnjë minutë, madje vinin më herët për të respektuar korrektësinë

Karrocierët, profesionistë të vërtetë….

Karrocierët ishin njerëz popullorë, njerëz që e njihnin mirë atë profesion, nuk ishin kuriozë dhe nuk interesoheshin se ku dhe për çfarë po shkoje. Mjafton t’i thoshe vendin. Shumë të kujdesshëm deri edhe në detaje të vogla, si p.sh. kur një pajton prenotohej nga një grua dhe kur ajo do të hipte, karrocieri i vendoste një stol të vogël, që i shërbente si shkallë, për ta bërë më komode ngjitjen e zonjës në pajton, si shenjë nderimi për një grua.

…dhe të besuarit e dashurive sekrete?

Karrocieri ishte njeri konfidencial. Ato i dinin njohjet, dashuritë dhe ishin të besuarit e palëve. Kështu edhe për shoqërimin e vajzës, kur ajo shkonte në takim. Madje, kishte raste kur përdornin edhe një perde anësore për ta maskuar. Pra, i bënin shërbim të jashtëzakonshëm, dhe kur pajtoni vinte te dera e shtëpisë, karrocieri i binte një burie të vogël që të njoftonte se ishte gati duke të pritur.

Pajtonet, të frekuentuara edhe nga të tjerë…

Ishte krijuar një traditë e bukur nga koha e Zogut, italianëve, pasanikët, intelektualët, të shkolluarit e ardhur e rikthyer nga jashtë. Pajtonet janë përdorur shumë nga intelektualë të veçantë, mjekë, artistë, kujtoj Odhise Psakalin, skulptorin e njohur. Të dielën për në varreza shkonte me pajton apo për në hotel “Dajti”.

Dhe për festat fetare?

Po, ishte bërë traditë, kur kishte Bajram apo për festa e rëndësishme fetare, atë ditë pajtonet ishin në dispozicion të fëmijëve. Nga Mapo në Rrugën e Dibrës ku bëhej nisja, një shëtitje përreth, pastaj në bulevard dhe kthim. Aty prisnin radhën fëmijët e tjerë. Një shëtitje për fëmijët kishte edhe çmim më të lirë, kujtoj nga pesë lekë. Gjithë ditën vazhdonte ky ritual dhe ajo ditë ishte e argëtimit të fëmijëve kryesisht me pajtone.

Ndërkohë, kishte dhe taksi apo jo?

Kishte edhe taksi, por ndryshe ishte një udhëtim dashurie me pajton, konsiderohej si pjesë e një marrëdhënieje pasionante, ku merrnin pjesë faktorë sentimentalë, emocionalë. Kuajt, trokitja në asfalt e patkonjve, kishte një tingull tërheqës, provokues, shoqëruar me elegancë, kur në tilla raste jo pa qëllim karrocierët e zbukuronin kalin dhe karroca shkëlqente. Kjo, kur çifti i dasmorëve shfaqej në publik.

Pajtoni i preferuar edhe për dasma?

Një traditë e hershme kjo, kryesisht për familjet e pasura. Karvani i pajtoneve me dasmorë dhe ai i çiftit ishte i zbukuruar ndryshe, shumë bukur, për të kuptuar që kishe të bëjë me një dasmë. Madje, edhe krushqit për të marrë nusen vinin me pajton.

Edhe në filmat shqiptarë të Kinostudios?

Edhe filmat shqiptarë vihet re prania e pajtoneve. Pasi u hoqën, një apo dy të tilla mbaheshin në Kinostudio për t’u përdorur për filma. Në raste episodike të një atentati apo për të shoqëruar zonjat e pasanikëve etj. Gjithmonë më vjen në kujtesë filmi “Debatik”, skena e fundit, kur aktori Besim Lëvonja, në rolin e karrocierit e merr në krahë Colin e vrarë, e vendos në pajton, duke u larguar bashkë. Sa herë që kaloj sot te “Sheshi Coli”, (unë kështu e quaj atë shesh), më kujtohet ajo skenë, pajtoni, aktorët. Edhe pse diçka ka ndryshuar nga ai i filmit.

Kujtoni ndonjë emër, personazh i njohur me pajtonin e tij?

Po, sigurisht, dhe ajo që kujtoj se nuk kishte karrociere vajza. Ndërkohë, ai që nuk harroj ishte Nuzi, një karrocier shumë i njohur, beqar, me karrocën që i shkëlqente, me rrotat e lyera më bojë të bardhë dhe kalin që e mbante shumë të pastër e që dallohej nga të tjerët. Nuzi ishte më i kërkuari dhe i preferuara nga të gjithë. Sigurisht, edhe nga të dashuruarit.

Po të huajt i frekuentonin?

Ato ruse, gratë e zyrtarëve, atyre që ishin në Shqipëri deri para prishjes, apo që erdhën në Shqipëri të martuar me burra shqiptarë. Edhe të huaj të tjerë që punonin në Shqipëri i kanë përdorur. Kur shkonin në mbrëmje dëfryese për Vit të Ri në hotel “Dajti” etj. Pajtonet ishin kryesisht me ngjyrë të zezë, të mirëmbajtur, nuk kishte gra, por vetëm burra karrocierë. Nuk më kujtohet sa kushtonte një lëvizje, por kujtoj se nuk kishte çmime fikse. 50 lekë ishte ai me rrugën me të gjatë, pastaj 30, 20 nga stacioni i vjetër i trenit në qendër. Varej nga rruga, syri e çmimi që përcaktonte karrocieri, i cili njihte distancat, largësitë e Tiranës. Nuk shërbenin natën, me ndonjë rastësi. Paratë i merrte karrocieri.

U ndaluan, u hoqën, cili ishte motivi?

Heqja e pajtoneve është e lidhur me periudhën e shtetëzimeve, veçanërisht me kufizimet e automjeteve private pas mesviteve ‘60-‘70. U hap një fjalë e qëllimshme se te pajtonetka shpërthyer morri i kuq, ndoshta për të larguar njerëzit. Por edhe si një mjet pak aristokrat, kështu konsiderohej nga njerëzit, funksionarët e sistemit. Kam mendimin se ato i rezistuan kohës deri në fund të viteve ‘60-të, pasi i kujtoj mirë kur qëndronin te “Rrugica e Pajtoneve”, deri kur edhe i kolektivizuan, pra, i bashkuan në një “kolektiv”, për t’i hequr përfundimisht në pak kohë nga qarkullimi. U panë vetëm pas viteve ‘90të, kur u rikthyhen, por ndjesia, komunikimi me to, sa shpirtëror, sentimental, fizik kishte humbur. Gati 25 vite pa i parë e dëgjuar, të harruar tërësisht, si dhe misioni që kishin e kryenin.

A mund të na thoni një ndër dashuritë e bujshme, me pajtonin protagonist?

I kujtoj, por jo të gjitha. Ishim brezi i pasioneve pa kufi, ia dinim njohjet, dashuritë njëri-tjetrit, por edhe të atyre që ishin në moshë më të madhe se ne. Disa jetojnë ende, disa jo. Kujtoj një aktore të njohur shqiptare në atë kohë, e bukur, tërheqëse, elegante, dashurinë e saj me një sportist, edhe ai shumë i njohur. Kur ajo zbriste nga pajtoni, tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Dashuritë e artistëve me sportistët ishin edhe më të bujshmet për ato vite. Kujtoj gjithashtu një profesor matematike i njohur, dashurinë tij me një vajzë të huaj, studente në Tiranë.

Ju ngacmon pasionin për një shëtitje me pajton?

Sigurisht, pasi më rikthen te njerëzit, miqësitë, te gjithçka e asaj nostalgjie. Edhe sot, kudo, në çdo vend të botës, pajtoni mbetet diçka klasike, edhe pse mjetet e komunikimit janë të shumta e të ndryshme, të shpejta e moderne. Një shërbim me pajton nuk e humbet kurrë vlerën. Nuk e di si do të ishte sot një takim dashurie me pajton, si dikur, me karrocierin, një burrë me mustaqe, serioz, me kamxhikun e gjatë për të goditur kalin, por edhe fëmijët që hipnin mbrapa. Kështu do ta fantazoja.

“VESPA”, NJË ËNDËRR PËR TË GJITHË

Ishte filmi amerikan “Roman Holiday”, që në pak kohë e bëri të famshëm motorin “Vespa” në të gjithë botën. Një film i vitit 1953 i drejtuar nga William Wyler, ku interpretojnë Gregory Peck dhe Audrey Hepburn, bazuar në një histori të vërtetë, që lidhet me princeshën Anna, në një udhëtim diplomatik, duke vizituar kryeqytetet e mëdha të botës, përfshirë edhe Romën. Pastaj historia e saj gjatë një nate në rrugët e Romës, njohja rastësore me gazetarin amerikan Joe Bradley, i cili e kujton të dehur, e merr në shtëpinë e tij, kur të nesërmen në mëngjes, agjencitë e lajmeve komentojnë lajmin e zhdukjes të papritur të Princeshës Anna.

Joe, i cili duhej të shkonte në një konferencë për shtyp për të intervistuar vetë princeshën, e shikon foton e Anës në gazetë dhe e njeh atë si vajzën “e dehur” që ai priti në shtëpinë e tij. Ndërkohë, Joe e ndjek atë në fshehtësi, kur Anna ulet në “Piazza di Spagna” dhe gazetari e takon, tashmë si rastësisht dhe Ana rrëfen se ajo dëshiron të provojë një herë në jetën e saj të gjitha ato që nuk lejohen të bëjnë në “burgun” e saj. Joe i propozon ta shoqërojë, më pas shëtitja me motor “Vespa” e të dy protagonistëve në rrugët pranë Koloseut, që është edhe momenti më emocional, sentimental i filmit, me një sukses të madh për kohën.

Mbi të gjitha motori “Vespa”. Edhe në Shqipëri efekti ishte i tillë. Për vitet, periudhën e atë të viteve ‘50-‘60-‘70, ka qenë një mjet me numër të paktë, por i pranishëm në Tiranë. Krejt ndryshe nga pajtoni, “Vespa” ishte më modern, me shumë luks dhe të privilegjuar e të preferuar nga vajzat, ishin edhe djemtë që kishin një të tillë. Tejet elegant, i bukur, praktik, jo më shumë se 50cc, por me pak mundësi për të pasur një të tillë nga popullsia. Ndonëse më i zbuluar se pajtoni, Vespa ishte një dëshirë krejt ndryshe, shumë e njohur, e preferuar edhe për të dashuruarit e dashurive klandestine. Ndonëse më shumë në vëmendje, sidoqoftë “Vespa” të siguronte një takim konfidencial larg, diku në një vend në periferi, jashtë qytetit apo në plazhin e Durrësit, kryesisht në periudhë vere. Ndonëse për vajzat në drejtimin e një “Vespe” ishte jashtë imagjinatës.

Ndonëse në Shqipërinë e atyre viteve qarkullonin edhe të tjerë motorë e që shiteshin në dyqane, një motor të markës “Vespa” shteti nuk i tregtonte. E siguronte ai që kishte mundësi, kryesisht të afërm, me familjarë në Itali, prindër italianë, apo të martuar gra o burra italianë, rreth 70 familje. Edhe pse kush kishte një “Vespa”, ishte i skeduar nga organet, pasi ky tip modern motori, bashkë me qejflinjtë e njohur të tyre, nuk pëlqeheshin nga sistemi, duke e konsideruar atë si një mjet aristokrat. Si pjesë e historive të dashurive nga më famshmet në botë, edhe në Shqipërinë e pasioneve, sa të mëdha, aq edhe të kufizuara, askush nuk ka mundur t’i ndalë e frenojë dashuritë e atij brezi të kohës, me protagonist edhe motorin “Vespa”./memorie.al

Share: