Home Gjeo-Ekonomia Energjia në bursë 670 euro, biznesi: Nga rritja e çmimit të energjisë...

Energjia në bursë 670 euro, biznesi: Nga rritja e çmimit të energjisë po mbyllim fabrikat

670 euro për një megavat/orë. Kjo është shifra rekord që arriti bursa hungareze këtë javë nga ku Shqipëria merr referencën për importin e energjisë, gati 6-fish më i lartë në krahasim me 2019.

Në vetëm 7 muaj janë harxhuar 230 milion euro nga KESH për import energjie, ndërsa brenda gushtit pritet të mbarojë edhe garancia vënë në dispozicion nga qeveria për të subvencionuar familjet.

Kriza bëri që qeveria të rrisë çmimin për bizneset në tension të mesëm me 50% në 18.8 lekë për kilovat, ndërsa ato që janë në treg të lirë si kompanitë e ujësjellësve po e marrin me 30 lekë, dyfish më shumë.

Çmimet e rritura po e bëjnë industrinë e vendit jokonkurruese në rajon

“Rritja e energjisë një pjesë të madhe të industrisë po e çon drejt mbylljes. Një nga fabrikat e mai ja detyruar ta mbyll. Gjithashtu kjo rritje ne na ka nxjerrë nga tregu i Kosovës, sepse qeveria atje nuk e ka rritur asnjë cent energjinë për industrinë e saj dhe vendin e produkteve tona në Kosovë mjerisht duhet ta them po e zënë serbët.”- tha Zef Shtjefni.

Industria kërkon ndryshimin e ligjit “Për sektorin energjisë” të miratuar në 2015-ën, në mënyrë që të kenë mundësi të vetëprodhojnë për të lehtësuar barrën energjetike

“Ligji i sotëm ka një thes të madh me burokraci. Ne kemi dy muaj dmth janë stok panelet dhe nuk i vëmë dot nëpër çati. Ky ligj thotë, që ti nuk vë dot në çatitë e tua më shumë se 500 kilovat, unë nuk zgjidh asgjë me kaq kilovat. Kjo mund të vlejë për një hotel, por jo për fabrikat.” tha Zef Shtjefni.

Një tjetër problem është ai i tepricave të prodhimit, sepse rrjeti është i amortizuar dhe nuk i merr, por të paktën qeveria të mos na pengojë për vetëkonsum me kushtin që ta kyçim tepricën nëse rrjeti nuk e merr. Por edhe për tepricat, duhen hapur sytë menjëherë që atje ku janë burimet të çohen kabllot menjëherë. 

Kërkojmë edhe heqjen e taksave vendore dhe lokale. Nuk ka taksa për këtë situatë, sepse është situatë e tmerrshme, emergjente. 

Mbase qeveria nuk ka mundësi për të subvencionuar bizneset me para për vendosjen e paneleve, por mendoj se qeveria i ka mundësitë të negociojë me bankat normat e interesit, që të jetë më e ulët, sepse me 4.5% është më e mira që kemi sot me bankat.” 

Ligji i 2015-ës gjithashtu impononte qeverinë dhe kompanitë publike të liberalizonin tregun, por ende pas 7 vitesh, bursa e energjisë nuk është bërë funksionale, ndërsa tregu vijon të dominohet nga kompanitë shtetërore, në furnizimin e klientëve.

Top Channel

Share: