Në një analizë të gjatë referuar ndryshimeve në qeveri, akademiku Artan Fuga shkruan se shkarkimi i zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt është një tronditje e fortë politike.
Sipas Fugës, ikja e Ahmetajt tek ne ka kaluar pa shumë bujë sepse siç shkruan akademiku, ne nuk jemi një vend demokratik, ndryshe nga sa do të ndodhte në vende të tjera.
Duke iu referuar rritjes së numrit të femrave në kabinet, Fuga shkruan më tej se qeveria është bërë feministe përballë një shoqërie maskiliste si kjo e jona.
Postimi i plotë:
Shkarkimi i një zëvëndëskryeministri
Kur Zhelenski në Ukrainë po shkarkon dhjetëra zyrtarë të lartë të dyshuar për tradhti, në këto ditë kur deputetëve nuk u shkon mendja veçse për plazh, pse të mos kalojë si në gjalpë shkarkimi i Arben Ahmetajt!
Ikja e një zëvendës kryeministri nga qeveria në një vend demokratik është një tronditje e fortë politike.
Ikja e Arben Ahmetajt ishte pa çak e pa bam, si na thoshte dikur infermierja në fëmijëri, ja të keqen teta, një pickim i lehtë është, ja sa të mbush shiringën e gjilpërës!
E them qysh në fillim, nuk ka rëndësi thelbësore se përse e hoqën qafe, por si e shkarkuan!
Përse në një vend demokratik heqja e një zëvendës kryeministri është një tronditje politike, kurse te ne kalon si pickim i lehtë mushkonje?
Sepse ne nuk jemi një vend demokratik. Kaq e thjeshtë është. Dhe zoti Ahmetaj ka kontribuar në këtë mosdemokraci.
Në një vend demokratik zëvendës kryeministri ka minimumi dy karakteristika, ose është përfaqësuesi i një partie në koalicion me partinë e kryeministrit, pra kërkohen shumë negociata që të linçohet zëvendës kryeministri, ose është me mbështetje të gjerë në partinë e shumicës qeverisëse!
Arbeni nuk kishte asnjërën nga këto të dyja. Sepse qeveria nuk është politike, veç kryeministrit të tjerat, dhe ca pak të tjerë, gjithnjë e më pak nga këta, nuk janë veçse nëpunës, pa ngarkesa politike.
Nuk kanë asnjë peshë politike. Lëre që qeveria po bëhet si ishulli i sirenave ku shoqëria është goxha maskiliste, kurse qeverisja feministe. Mbetet të studiohet mirë nëse janë femra të nënshtruara apo çojnë përpara kauzën femërore në politikë!
Iku zëvendëskryeministri pa çak e pa bam sepse as ai, as ministrat, as pushtetarë të tjerë, mund të kenë autoritet politik mbi nëpunësit e tyre, kurse valenca politike kanë pothuajse zero.
Asnjë lloj krize politike, sepse politika te ne nuk është as dialog dhe as raport forcash!
I shkarkuari nuk ka bërë asnjë deklaratë politike, dhe kjo lë vend për të menduar. Kurse argumenti i thënë në rrjetet sociale se Arben Ahmetaj u hoq sepse ishte i rindërtimit dhe meqë rindërtimi përfundoi, edhe ai e përfundoi karrierën, është nga ato arësyet që dikur në vitet ’60 jepte agjencia kineze e lajmeve HSINHUA, kur njoftohej heqja e ndonjë antari të byrosë politike me luftën e pleshtit kundër karkalecit të arave!!!
Nëse kishte arësye lidhur me këtë për t’u shkarkuar zëvendkryeministri i rindërtimit do të kishin qenë pikërisht ato kolibet si koshere bletësh, si banesa të reja, pastërmetore, që ngjitur bythe më bythë nuk kanë asgjë nga një lagje fshati apo qyteti, janë më shumë si koshere, si qyteza minatorësh socialistë! Nuk ka një metër katror për një kotec pulash!!!
A thua se nuk ka pasur zëvendëskryeministra pa poste ministri! Fakti që posti i ministrit të rindërtimit u suprimua, nuk është shkak dhe arësye që personi që e mbante atë post të humbiste dhe detyrën e zëvendës kryeministrit.
Por, formalisht ai nuk është shkaruar për të meta në punë sa kohë thuhet që rindërtimi pas tërmetit mbaroi me sukses!!!
Duke lexuar shkresën me vendimin përkatës, ajo që bie në sy është fjala kyçe “shkarkohet”.
Nga një sërë termash sinonime si “lirohet nga detyra”, “ngarkohet me detyra të tjera”, “jep dorëheqjen”, “iku pas një krize nervore”, është përdorur fjala e tmerrshme “shkarkim”. Ashpërsia ka qenë e spikatur. I kanë marrë erzin të shkretit!
Sepse fjala shkarkim në shqip ka konotacion tingëllor sharës pothuajse : shk shk shk !
Por jo vetëm kaq, zgjedhja e asaj fjale dhe heshtja e të shk shk shk shkarkuarit tregon se ai nuk mund të shprehet. Pra është i pakënaqur! Po të ishte i kënaqur nuk do të linte media pa dhënë intervista për dorën e ngrohtë që e shkarkoi!!!
Shkarkim na kujton ngjarjet e viteve ’70: Kiço Ngjela, shkarkohet, Beqir Balluku : Shkarkohet, Koço Theodhosi : Shkarkohet! Flitet për grupe armiqësore! Mos është zbuluar ndonjë grup i ri armiqësor?
Mos edhe z. Arben Ahmetaj tani do të nisë të merret me çmimin e pjeprave të Baldushkut?
Shkarkim do të thotë edhe shkarkesë elektrike! Cfarë shkarkesa elektrike ka përcjellë shkarkuesi me shkarkimin? Cfarë tokëzimi ka bërë? Cfarë rrufeje ka rënë ose përgatitet të bjerë sipas fjalës “shkarkim”?
“Shkarkohet” ka edhe tre kuptime të tjera kryesore:
Ai që shkarkohet nga një peshë, privilegj, a detyrë, por konsiderohet si qënie ngarkese, kaq!
Ajo që shkarkohet nga ai që shkarkohet! Pra ngarkesa!
Shkarkohet përfshin njëkohësisht edhe shkarkuesin dhe të shkarkuarin!
Ky i fundit konsiderohet si i lehtësuar nga gjithçka!
Si mund të ketë kaq ashpërsi për dikë që mund të ishte hequr duke thënë : lirohet me kërkesën e tij, jep dorëheqjen!!!
Të ketë rezistuar z. Ahmetaj ndaj shkarkimit dhe të ketë thënë : nuk jap dorëheqjen? Si e pabesueshme më duket!
Fjala “shkarkim” nuk më duket fare àgurmirë për të! Publikut i është treguar se ai është hequr me një goditje, me një lëvizje spastrimi!
Gati sa nuki është thënë se në shtëpi kishte pasur një radiotransmetuese, apo se kishte sjellë helm nga jashtë, apo se kishte nxjerrë koburen në mbledhje dhe rojat e kanë eliminuar! E të tjera si këto!
Nuk është as për të hequr gjithkënd që ka një kujtesë aty! As për t’i treguar gjithkujt se gjithësecili nuk është veçse njuë bizhdil që e fshin era më e lehtë, flladi më pranveror. Sepse në komunikimin me publikun do të ishin përdorur terma të butë, kurse në byro do të ishin thënë fjalë të ashpra.
Fjala “shkarkohet” i drejtohet publikut: Ose priten ngjarje, ose vapa ndikon në redaktimin çaprasçe të shkresave!