Në festën verore të grupit parlamentar të socialdemokratëve gjermanë në Berlin ndaj disa grave u përdor i ashtuquajturi “Lëngu KO”, një drogë e lëngshme, pa shije që përzihet lehtësisht me pije dhe që jep një sërë efektesh të padëshirueshme, nga humbja e kujtesës, afatshkurtër deri në të fikët. “Tagesspiegel” ishte i pari që shkroi për të. Aktiviteti u mbajt të mërkurën në kancelari dhe përveç deputetëve mori pjesë edhe kancelari Olaf Scholz. Hetimi ka nisur pas denoncimit të 8 grave që akuzojnë se ju është hedhur e ashtuquajtura “drogë e përdhunimit”, një prej të cilave e konfirmuar me test.
Një zëdhënës i policisë i tha transmetuesit Rbb se “disa gra janë ankuar për të përziera dhe marrje mendsh” dhe e njëjta gazetë raporton se aktualisht janë pesë raste të konfirmuara nga policia. Rbb shpjegon se të ashtuquajturat “nokaut drops” janë ilaçe që i bëjnë viktimat të pafuqishme dhe shkaktojnë humbje të kujtesës. Policia shpesh paralajmëron për rastet e kriminelëve që përziejnë substanca në pije në festa apo klube për të vjedhur apo abuzuar seksualisht viktimat. Dhe hetimet konsiderohen të vështira sepse viktimat shpesh nuk mund të kujtojnë se çfarë ka ndodhur.
Kreu i SPD: “Ngjarje skandaloze kush di të raportojë”
“Kjo është një ngjarje skandaloze, të cilën e denoncuam menjëherë në policinë e Bundestagut”, tha kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Mathias Martin në një mesazh për anëtarët e Bundestagut, cituar nga Tagesspiegel.
“Ne rekomandojmë që çdo person tjetër i prekur ta raportojë këtë menjëherë në polici”, shtoi ai. Një zëdhënës i socialdemokratëve siguroi se po bëhet gjithçka që është e mundur për të sqaruar atë që ka ndodhur.
Ankesa e parë nga një 21-vjeçare
Hetimi u nis nga një denoncim i një 21-vjeçareje, e cila tha se kishte qenë në festën ku morën pjesë rreth një mijë persona dhe kishte marrë pije freskuese dhe ushqime, por në mbrëmje ajo ndihej e sëmurë, me marrje mendsh. Ajo shtoi se të nesërmen nuk i kujtohej më se çfarë kishte ndodhur një natë më parë dhe ishte ekzaminuar në spital; Prej këtu ka lajmëruar policinë duke bërë kallëzim ndaj personave të panjohur.
I pranishëm në festë ishte edhe kancelari Scholz
Të mërkurën në festë ishte i pranishëm edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhe deputetë nga Partia Social Demokrate. Para pandemisë, shumë të ftuar të jashtëm merrnin gjithmonë pjesë në festën e verës. Por këtë vit, përveç stafit të ngjarjes, ishin të pranishëm vetëm anëtarë të partisë, deputetë dhe punonjës të Bundestagut dhe të zonave zgjedhore./Opinion.al