Home Gjeo-Ekonomia Bota vazhdon të lëvizë drejt recesionit dhe ndoshta, edhe krizës financiare

Bota vazhdon të lëvizë drejt recesionit dhe ndoshta, edhe krizës financiare

Nivelet e larta të borxhit globalisht (qeveria, individët, korporatat – që arrijnë në një total prej mbi 350 trilionë dollarësh), vetëm sa rrisin brishtësinë ekonomike globale dhe ulin aftësinë për të toleruar norma më të larta interesi.

Muajin e kaluar, kam udhëtuar në Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore, ku kam takuar mjaft njerëz, duke përfshirë bankierë, dhe në përgjithësi, kam qenë i befasuar nga ndjenja “business as usual”.

Nuk ekziston ndjesia se po afrohet një ngadalësim apo recesion. Disa nga arsyet për këtë, janë:

-fuqia e tregut të punës në SHBA;

-nivele të larta të kursimeve agregate dhe depozitave bankare të konsumatorëve amerikanë.

-deficiti federal i SHBA-së është ulur në 1.1 trilionë dollarë në maj 2022, nga një maksimum prej 4.3 trilionë dollarësh në mars 2021 (i matur në një bazë 12- mujore).

Pse mendoj se ky besim është i gabuar?

-Indeksi i besimit të konsumatorëve në Michigan është në nivelin më të ulët që nga viti 1980.

-Shpërndarja e këtyre kursimeve është e pabarabartë. 60% e amerikanëve kanë pak ose aspak kursime.

-Raportimi i vendeve të punës kryhet me vonesë dhe numri i të papunëve tashmë ka filluar të rritet.

-Rritja nominale në tremujorin e parë në SHBA ishte -1.5%.

-S&P ka rënë me 18.2% në 111 ditët e para të tregtimit në vitin 2022, performanca e katërt më e keqe që nga viti 1932, duke ulur besimin e konsumatorëve dhe investitorëve.

-Inflacioni vazhdon të rritet në shumicën e vendeve të botës, duke bërë më të mundur rritjen e mëtejshme të normave të interesit, ngadalësimin ekonomik dhe rënien e indekseve të bursës.

-Yield-et e obligacioneve në përgjithësi po rriten me shpejtësi në mbarë botën (p.sh. në Gjermani, ato shkuan nga negative një vit më parë, në mbi 1.5% më 10 qershor), ndërsa yield-et në periferi të BE-së po rriten edhe më shpejt (p.sh. një vit më parë, yield-et e obligacioneve italiane 10-vjeçare ishin rreth 1% më të larta se ato gjermane, sot janë mbi 2% më të larta).

Yield-i i obligacioneve italiane 10-vjeçare është rritur nga 1% në fillim të vitit 2022, në 3,86% më 1 qershor, pavarësisht blerjeve masive të obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane (BQE). Ndërsa shumica besojnë se BQE do të bëjë “çfarëdo që të jetë e nevojshme për të shpëtuar euron” (siç deklaroi Mario Draghi në vitin 2012, duke e kthyer valën e krizës së atëhershme të euros), madhësia dhe shpejtësia e lëvizjes së normave të obligacioneve italiane, është shkak për shqetësim.

Ndërsa Rezerva Federale e SHBA-së rrit normat e interesit, normat reale negative të interesit prej -7%, tregojnë se politika monetare është ende e lirshme.

Banka Qendrore Europiane nuk po jep sinjale as për shtrëngimin sasior; ajo ka hapësirë të kufizuar për të rritur normat e interesit, për shkak të efekteve që kjo do të shkaktonte në vendet periferike të BE-së, dhe për më tepër, politika monetare europiane është edhe më e lirshme:

Pasi deklaroi se inflacioni nuk ishte një kërcënim, dhe më pas e quajti atë “kalimtar”, sekretarja e Departamentit të Thesarit, Yellen, pranoi se kishte gabuar në vlerësimin e saj për inflacionin (një hap i mirëpritur), por shtoi: “Nuk pres që inflacioni të mbetet i lartë, megjithëse shpresoj se tani do të ulet”. Që kur është kthyer shpresa në strategji?

Pritshmëritë

Siç e shpjegova në një artikull të mëparshëm, parashikoj se Rezerva Federale do të vazhdojë të tregohet e shtrënguar, deri sa diçka të dëmtohet (p.sh. ndonjë rënie e madhe e tregut ose ngecja në vend e tregjeve të kredisë etj.) dhe më pas, do të fillojë programin e saj të pestë të Lehtësimit Sasior (Quantitative Easing).

Siç tha Peter Schiff: “Gabimi më i madh që po bëjnë investitorët (dhe unë do të shtoja, Bankat Qendrore), është se mendojnë që recesioni do të zgjidhë problemin e inflacionit. Në të vërtetë, ai veçse do ta përkeqësojë atë. Kur Rezerva Federale të ndryshojë drejtim dhe të nisë lehtësimin e pestë sasior për të stimuluar ekonominë, dollari do të bjerë, duke përshpejtuar rritjen e çmimeve të konsumit.

Siç deklaroi kohët e fundit makrostrategia Lyn Alden, ekzistojnë dy faktorë kryesorë të ofertës që ripërcaktojnë ekonominë botërore, sot:

1.Për të paktën dekadën e fundit, ka pasur një nëninvestim masiv në energji. Shpimi i hidrokarbureve ka rënë. Tubacioni Keystone u anulua. Programet e uraniumit janë mbyllur (p.sh. në Gjermani); asnjë kapacitet i ri i minierave të uraniumit nuk është zhvilluar që nga koha e Fukushimës. Ndërkohë, furnizimi i pamjaftueshëm me mineralet e nevojshme për zhvillimin e energjive alternative (nikel, litium, bakër etj.) kufizon kapacitetin.

2.Për dekada me radhë, zinxhiri global i vlerës u optimizua me synim efikasitetin. Që nga lufta në Ukrainë, prioritetet kanë ndryshuar dhe papritur, përparësi u bë siguria e furnizimit. Prodhimi më pranë vendit, mbajtja e më shumë inventarëve, etj., kërkon investime masive dhe kontribuon në rritjen e konsiderueshme të çmimeve.

Bankat qendrore nuk kanë kontroll mbi faktorët e mësipërm. Ato nuk kanë as kontroll mbi Covid-19 dhe luftën në Ukrainë, që kanë përkeqësuar edhe më tepër zinxhirët e furnizimit dhe presionin e çmimeve.

Megjithëse interesat më të larta mund të zbehin kërkesën, për sa kohë që normat e interesit janë negative në terma realë, zbutja e kërkesës nuk do të mjaftojë për të shuar inflacionin, veçanërisht nëse presionet e lartpërmendura mbi zinxhirët e furnizimit, do të vazhdojnë apo edhe do të theksohen.

Nivelet e larta të borxhit globalisht (qeveria, individët, korporatat – që arrijnë në një total prej mbi 350 trilionë dollarësh), vetëm sa rrisin brishtësinë ekonomike globale dhe ulin aftësinë për të toleruar norma më të larta interesi.

Çfarë po ndodh

Për dekada me radhë, zinxhiri global i vlerës u optimizua me synim efikasitetin. Që nga lufta në Ukrainë, prioritetet kanë ndryshuar dhe papritur, përparësi u bë siguria e furnizimit. Prodhimi më pranë vendit, mbajtja e më shumë inventarëve, etj., kërkon investime masive dhe kontribuon në rritjen e konsiderueshme të çmimeve. Bankat qendrore nuk kanë kontroll mbi faktorët e mësipërm./ Monitor

Share: