Protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut janë kthyer në shqetësim për raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon.
Eurodeputetja druhet se trazirat mund të përhapen edhe në Mal të Zi dhe të përdoren nga Rusia për të destabilizuar rajonin. Në një postim në Twitter, Von Cramon bën përgjegjës Bashkimin Europian me arsyetimin se blloku dështoi në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Kur shtetet anëtare të BE-së dështojnë të ofrojnë një shpërblim të prekshëm për qeveritë progresive në Ballkanin Perëndimor, ne kemi trazira në Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht edhe në Mal të Zi që mund të shfrytëzohen nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj. Ka ardhur koha që në Bashkimin Europian, ti kuptojnë e t
i përshpejtojnë veprimet e tyre.”– tha Von Cramon.
Protestat e dhunshme në Shkup kanë vijuar për të pestën ditë radhazi kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Protestuesit kërkojnë nga qeveria të mos i nënshtrohet kërkesave bullgare me të cilat dyshojnë se cenohet gjuha dhe identiteti maqedonas dhe hapet rruga për siç thonë, bullgarizim librash dhe heronjsh kombëtar.
Presidenti francez Emmanuel Macron u përpoq t`i fashisë këto shqetësime me pohimin se vijat e kuqe të Shkupit, do të respektohen. “Nuk po ju them se është një ujdi e përsosur, por ashtu si cdo marrëvshje edhe ajo bazohet në kompromiese dhe ekuilibër, e do të hapë rrugën tuaj europiane. Ajo nuk e vë në dyshim ekzistencën e gjuhës maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e identitetit tuaj”, garantoi shefi i Elizesë, që u shpreh i bindur se në fund, vendimi i Shkupit do të jetë për avancimin në rrugën e integrimit europian.