Home Gjeo-Ekonomia Kosova, fjalim për herë të parë në Këshillin e Europës: Salla shpërthen...

Kosova, fjalim për herë të parë në Këshillin e Europës: Salla shpërthen në duartrokikje

Është pritur me duartrokitje fjalimi i Saranda Saranda Bogujevcit në Këshillin e Europës, hera e parë që Kosova pati të drejtën t`i drejtohej këtij organizmi.

Zv/kryetarja e Kuvendit të Kosovës rrëfeu se është dhe vetë e mbijetuar e një masakre të luftës, teksa përcolli mbështetjen e saj për Ukrainën e gjendur prej muajsh nën peshën e agresionit të paprovokuar të Rusisë.

“Unë jam një e mbijetuar e luftës së fundit në Kosovës. Të gjithë ne jemi me ju në këtë luftë dhe shpresojmë që të marrë fund sa më parë dhe drejtësia të triumfojë”, tha Saranda Bogujevci.

Bogujevci theksoi se sot Kosova, është një ndër demokracitë më të zëshme në rajon dhe se e ardhmja e saj, nuk mund të jetë tjetër perveçse si pjesë e familjes europiane.

“Nëse nuk më besoni, mund të vini edhe ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni. Kemi edhe vështirësi, përfshirë me fqinjët tanë dhe një të kaluar që nuk ka shumë kohë që është mbyllur. Megjithatë, sot ne flasim për të ardhmen europiane. Ne si Kosovë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi Europë”, u shpreh Bogujevci.

Kosova aplikoi në muajin maj për t`u bërë anëtare e Këshillit të Europës. Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në kontinentin e vjetër me seli në Strasburg, mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe pakicat.

Top Channel

Share: