Nga Ledi Shamku
Mezi e prita këtë ditën e Festimeve Drejtshkrimore të Akademizmës sot. U ngrita herët, vajta në leksion, u shpjegova studentëve gjuhën si identitet, por mendjen e kisha te Festimet në Tiranë. Kisha hall mos humbisja fjalimin e Kryeakademikut dhe e dija që nuk do të më zhgënjente në banalitetin e tij siç, rrofsh o Zot, nuk më ka zhgënjyer kurre.
Por sot në fjalimin e tij Kryeakademiku kishte vendosur të më bënte të lumtur, sepse u shfaq si Kryekomiku i Pirandellos te Gjashtë Personazhe në kërkim të Autorit.
Ja njëlloj edhe fjalimi solemn i Kryeakademikut Gjinushi po kërkonte Autorin, dhe e gjeti!
Jua kam vënë enkas përbri edhe një copë nga fjalimi i Kryekomikoakademikut, edhe burimin origjinal nga ky njeri e ka vjedhur ose plagjiaturuar fjalimin e tij solemn për Festimet Drejtshkrimore.
Artilulli nga e ka vjedhur, është në fakt një SHKRIM SARKAZMË te Peisazhe të Fjalës, që mban për autor pseudonimin Gjeto Bashari. (po ju ve në fund edhe linkun e plotë të artikullit sarkazëm që ta lexoni me nge). Ajo çka dua t’ju them është se NUK EKZISTON ASNJË LIBËR “SHTETI DHE DREJTSHKRIMI” ME AUTOR CARUANA TË CILIN E CITON (NGATËRRUESHËM MADJE) KRYEAKADEMIKU NË FJALIMIN E TIJ SOT.
Libri “Shteti dhe Drejtshkrimi” është një sajesë e sarkazmës së Gjeto Basharit, i cili e sajon ekzistencën e ketij gja-libri thjesht e vetëm për t’u tallur me hiperkontollin e shtetit në punë të gjuhës, ja si kjo që kërkon të bëjë Shkencizma sërish. Por ama libri nga sot ekziston!!! PO PO, LIBRI “SHTETI DHE DREJTSHKRIMI” NGA SOT KA JETËN E VET SI SHENJË E HAJNISË INTELEKTUALE TË KRYEAKADEMIKUT GJINUSHI.
Gjeto Bashari e sajoi thjesht si Sarkazëm. Kryeakademiku e plagjaturoi si Fjalimin e vet Solemn për Festimet Drejtshkrimore.
Dhe kur sarkazmën e plagjiaturon ish-Ministri i Arsimit të Ramiz Alisë dhe njëherit Kryeakademiku i sotshëm, ajo s’është sarkazmë, është Kryesarkazmë!