Nga Ben Andoni
Ka një radhë të tërë të kryetarëve të partive tona politike Majtas-Djathtas, që nuk duan ta njohin institucionin e dorëheqjes dhe kur humbasin. Edhe pse ka pasur ndonjëherë ndonjë akt të tillë (Nano mbetet deri më tani), në përgjithësi ata i ke gjithnjë aty. Të ngulur me thonj e dhëmbë ndaj politikës dhe shpresëplotë që të përfitojnë sa të munden në kurriz të organizimeve partiake, që në vetvete janë kthyer thjesht në OJQ, Meta, Berisha, Mediu, Ndoka, Shehi, Duka e të tjerë si Djathtas dhe Majtas thjesht mbijetojnë, duke mos lënë asnjë mundësi për riciklim. Listës po i shtohet edhe emri i Bashës, që po përpiqet sipas mënyrës së tij të rikthehet. Do të shohim reagimin e Ramës sesi do të veprojë nëse humbet në zgjedhjet e ardhshme, apo nëse këtë mandat nuk i plotëson objektivat? Po a e kuptojnë vallë vetë ata impaktin e tyre publik dhe atë që i kanë bërë shqiptarëve? Pse në vende me politikë shumë institucionale, e me histori qindra vjeçare partiake, ndërrimet mund të bëhen dhe në fraksione javës, si ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar?
Elita politike konservatore, që e bëri Teresa May të dorëhiqej, kur nuk plotësoi objektivat e premtuara, e zëvendësoi menjëherë paaftësinë e Liz Truss dhe midis Boris Johnson e Rishi Sunak, kundërshtarin e tij, zgjodhën të dytin. Negocimi mes fraksioneve në atë parti për të gjetur një kandidat kompromisi dhe për të pësuar një humbje sa më të vogël në zgjedhjet e ardhshme, që do bëhen pas gati dy vitesh, ndodhi në kohë rekord duke parë zhvillimet shumë mujore tek PD-ja.
Pavarësisht nga shkaku që përmendin dhe të kundërvihen, politikanët ngurrojnë gjithmonë të japin dorëheqjen. Jo rrallë e mbajnë punën (lexo politikën) si një mundësi që mund ta përdorin për të bërë pazare me prokurorët. Shpesh, ata besojnë se janë të vetmit e domosdoshëm për axhendat politike. Siç shkruante dikur një politolog i huaj: “Në përgjithësi, e njëjta lloj egoje që i bën të besojnë se do të triumfojnë në ditën e zgjedhjeve, e njëjta i bën të mendojnë se mund t’i rezistojnë çdo akuze që ka nxitur thirrjet për shkarkimin e tyre. Po meqë kanë bërë përpjekje mbinjerëzore për ta siguruar pushtetin, kështu që nuk duhet të jetë çudi që ata duan ta mbajnë pushtetin me të njëjtën forcë”.
Dhe, bota…
Pak orë më parë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht do të jepte dorëheqjen.
Lambrecht u ndodh disa herë në qendër të kritikave, pasi videoja e saj, realizuar e postuar Natën e Vitit të Ri, shkaktoi reagime e kritika të forta në sfondin e zhurmën e fishekzjarreve që hidheshin në Berlin, ku fliste për përvojën gjatë vitit, duke theksuar, se ky vit ka qenë me “shumë impresione të veçanta, takime me njerëz interesantë dhe të mrekullueshëm”. Deklarata e saj para luftës në Ukrainë me shumë të vdekur, u konsiderua e pavend. CDU/CSU kërkoi dorëheqjen e Lambrecht pas videos.
E se mos kaq: Në fillim të pontifikatit të tij në vitin 2013, kur kardinali Tarcisio Bertone ishte ende Sekretar i Shtetit, Papa Françesku i dorëzoi një letër dorëheqjeje “në rast të pamundësisë për arsye shëndetësore”. Duke zbuluar këtë vendim, të cilin Papa Pali VI e kishte marrë gjatë kohës së tij, Papa Françesku foli për këtë çështje në një intervistë të gjerë dhënë për të përditshmen spanjolle ABC.
Po thuaj në të njëjtën kohë, më 11 shkurt 2013, Ditën Botërore e të Sëmurëve, një ditë e shenjtë e Vatikanit, Papa Benedikti XVI njoftoi synimin e tij për të dhënë dorëheqjen në Pallatin Apostolik në “Sala del Concistoro”. Duke folur në latinisht, u tha të pranishmëve se kishte marrë “një vendim me rëndësi të madhe për jetën e kishës”. Ai përmendi fuqinë e tij të përkeqësuar për shkak të pleqërisë dhe kërkesave fizike dhe mendore të papatit. Ai deklaroi gjithashtu se do të vazhdonte t’i shërbente Kishës “përmes një jete kushtuar lutjes”.
…
Askush nuk e ka staturën intelektuale të papa Benediktit XVI dhe as Papa Françeskut, qoftë dhe politikanëve të lartpërmendur, por për politikanët shqiptarë vendi ynë është i humbur pa ta. Po, a mund të bëj vallë dhe Shqipëria pa personalitetet e saj të politikës? A mund të kuptojnë dhe ata se një ditë duhet të japin dorëheqjen? A mund të hapin pak rrugë që ky vend të ndryshojë? Jo,- të thonë prerazi në PD. Sali Berisha është i vetmi që na mbledh, sa për ne harroje. Vetëm Rama i fiton zgjedhjet, thoshte ministri i tij i Drejtësisë Ulsi Manja, ai ndryshon gjithçka? Me sa duket, kjo është tragjedia jonë, kurse për njerëzit edhe një kambanë tjetër për t’u zgjuar nga letargjia e frikshme e demokracisë. (Javanews)