Home Gjeo-Ekonomia Ekonomia në 2023! Ekspertët kërkojnë kujdes me papunësinë dhe uljen e të...

Ekonomia në 2023! Ekspertët kërkojnë kujdes me papunësinë dhe uljen e të ardhurave

2023 do të jetë një vit i vështirë për ekonominë dhe familjet shqiptare. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kriza e çmimeve ka dhënë tashmë efektet në tkurrje të ndjeshme të konsumit dhe pasojat pritet të jenë afatgjata. Shqetësim shtojnë ata është edhe rritja e papunësisë.

 “Ka pasur dy fenomene: edhe ulje të konsumit, por edhe ristrukturim. Shtresat e varfra sidomos, kanë bërë një ristrukturim konsumi duke e përqendruar vetëm te nevojat bazë, duke hequr dorë nga shpenzimet e tjera. Kur flasim për konsum, kemi të bëjmë edhe me gjithë konsumin që kanë bizneset si lëndë të para për proceset e prodhimit apo shërbimet që është gjithashtu I ndikuar nga rritja e çmimeve. Rreziku më i madh është rreziku i rritjes së papunësisë, është rreziku i të ardhurave që do kenë individët e familjet që pasqyron edhe një parashikim më të ulët nga Banka Botërore.”- tha Adrian Civinci, ekspert për ekonominë.

Përballë çmimeve të rritura, ekspertët shkojnë në linjë me rekomandimet e Bankës Botërore për vazhdimësinë të mbështetjes së shtresave në nevojë veçanërisht, për të nxitur konsumin dhe për të vënë në lëvizje ekonominë që këtë vit pritet të ngadalësohet ndjeshëm sipas parashikimeve.

“Qeveritë duhet të marrin masa për të mos zvogëluar konsumin, pasi ky është një nga treguesit e tkurrjes së rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik. Politika që duhen ndërmerren për politikat e punësimit, politika mbështetëse për shtresat në nevojë, përmirësimi i klimës së biznesit për të thithur edhe financimet europiane për të përballuar këtë situatë.” tha Adrian Civinci, ekspert për ekonominë.

Me gjithë ngadalësimin dy muajt e fundit, inflacioni vijon të qëndrojë i lartë duke përbërë rrezikun kryesor për ekonominë, çka mund të sjellë rënie të mëtejshme të konsumit, e rrjedhimisht edhe më pak para për arkën e shtetit.

Top Channel

Share: