Home Gjeo-Ekonomia Inflacioni i lartë, pasojat që shkaktoi në sektorin privat në Shqipëri

Inflacioni i lartë, pasojat që shkaktoi në sektorin privat në Shqipëri

Sektori financiar nuk pati pasoja shumë të ndjeshme nga inflacioni i lartë. Kredia dhe depozitat vijuan rritjen, ndërsa raporti i kredive me probleme u ul më tej. Tregu i fondeve të investimit ishte i vetmi që pësoi goditje, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit. Për pjesën tjetër të tregut, efektet mund të jenë më të dukshme në vitin 2023.

Sektori bankar shfaqi ecuri pozitive edhe në vitin 2022, duke shënuar pasoja mjaft të kufizuara nga inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor 2021, totali i aktiveve të sektorit bankar arriti në 1.88 trilionë lekë, me rritje vjetore 8.6%.

Rritja e sektorit ishte disi më e ngadaltë krahasuar me ritmet e vitit 2022. Kjo vlerësohet se është ndikuar nga dy arsye kryesore, ngadalësimi i normës së rritjes së depozitave, por edhe efekti statistikor i kursit të këmbimit, që ka sjellë ulje të vlerës në aktiveve në valutë të huaj, të shprehura në monedhën vendase.

Megjithatë, aktivet më të rëndësishme të sektorit, huatë, kanë vijuar të rriten me ritme dyshifrore. Statistikat tregojnë se në fund të tetorit 2022, portofoli i kredisë së sektorit bankar arriti në 724 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.5%.

Kredia e re për 10-mujorin 2022 ka shënuar nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit, megjithëse pas muajit shtator janë vërejtur tendenca ngadalësimi, për shkak të shfaqjes së efekteve të para të inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit.

Totali i depozitave bankare në fund të muajit tetor arriti në 1.53 trilionë lekë, në rritje vjetore me 9.5%, rritje kjo më e ulët krahasuar me atë prej 11.4% të vitit 2021.

Rritja e depozitave gjatë vitit 2022 u mbështet sidomos nga ato në valutë të huaj, ndërsa rritja e depozitave në Lek shënoi ngadalësim të ndjeshëm, duke ndier efektet e inflacionit të lartë, që ka ulur aftësitë e familjeve për të kursyer.

Share: