Home KRYESORE N’Shkodër, njaty ku t’presin me rrahje t’shpejtume zemre, e t’përcjellin me lot

N’Shkodër, njaty ku t’presin me rrahje t’shpejtume zemre, e t’përcjellin me lot

Nga Albert Vataj

Qe, sa mbrrina n’Shkodër, sepse tana rrugt e mallin njaty sosin, njaty ku dikush t’pret me gjoksin mbushun me frym e tallazim, me andje e am, njaty ku zemrat e gufin krahnorin, e synin e njomin me tamël legjendet e lot gazmimi, njaty ku mbushem me tamëltim kujtimesh, e zemërthymjeve, mbledh puthje e prekje t’kyquna n’qelibarin e kakohjes që rrëmtshëm vërshon e teptis.

Erdha te ty Shkodër, e t’gjeta stolisun n’rrezet e diellit t’prillit. Erdha kokulur, si fmija te pragu mbushun n’mall e trucun n’dhimbje. U nisa nadje heret, kah ikja m’pruni te ti, la gjurmë mbi brym e hijen ngulun n’perëndim.

Erdha me u ndi në amë të dashnimit tand. Tue rend rrugicave t’shtrume n’gurë zalli e rrethumun vallive lamun n’Kir e myshkun shiut t’vjeshtave t’pikllimta, ku fmija m’thrret me za qielli, e turravrapjeve m’nguc frymimin qi frymën ma kputi, e shpirtjesh qi shpirtin ma ban cop.

Erdha e t’gjeta, njashtu si andja jeme e mallshme deshti. Kandje kish me t’pa e me u shmall, me t’rrok fort e me u mbushun me ty deng. Me pi amën tande e me u deh, me u shkreh n’njat gjoks qi m’ban me u ndi prej fryme, me u kot n’harrim të ktij çasti shpërthimi.

E qe tash, jam n’prehnin tand tue mrue kujtimet, e trandun çastet e kakohshme, mbetun në mu, tamëltim e andrrim, zoritje e dëshirim.

Tue u ngi me feymën tande, ndigjoj zoritjen e ikjeve qi ta grryne pragun, t’ngushtun e n’vetmim t’përkundën, si tue dasht me t’pajtu e me ta tret ligshtimin.

Me padurim, për të ardhun nji dekik e ma parë te ti, më dengu udha e kohja që turrevrapi me mu.

Kjesh përngut e zjarmun, si gjithherë, me ken njejt zemërplot e dëshirushëm si herën e fundit, me i’u kand ardhjes te ti, si ky diell shkurti, qi nxen e drit pakun e përflakun.

Edhe ksaj here, me ngut jam, si me ardh, njashtu edhe me ik. Zemrat gjemueshëm i gjej dhe sy t’përlotun lë, rrugica t’djersuna ndijimesh zapakuna, zjarmue kujtimesh e .

Do largohem Shkodër, am e andje, e tanju t’shtrenjtit e mallit kallun nër ju, nga tue mos mujt, njaq si kur u rroka me ju dhe kur ndarjen lame ne mes.

Share: