Frika e shpërthimit të një konflikti të armatosur mes Kinës e Tajvanit sa vjen e shtohet, por Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se pasojat e një tentative të Pekinit për të marrë me forcë ishullin, do të jenë edhe më të gjera.
Një sulm i Kinës ndaj Tajvanit do të shoqërohet me goditje masive kibernetike ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, e pohuar kjo nga shefja e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën në SHBA, Jen Easterly, e cila e bëri të qartë se Uashingtoni dhe vendet aleate duhet të përgatiten se Kina do të krijojë “panik dhe kaos” edhe në hapësirën kibernetike.
“Për fat të keq, nuk një skenar sulmesh ndaj infrastrukturës jetike në rast të një sulmi kinez në Tajvan nuk është i ekzagjeruar”, tha ajo në Universitetin Carnegie Mellon, në Pitsburg.
Sipas skenarit të paraqitur nga zyrtarja e lartë amerikane, sulmi “mund të gërshetohet me shpërthime në disa tubacione gazsjellëse, me ndotjen masive të sistemeve ujore në Amerikë, me ndërhyrjen në sistemet tona të telekomunikacioneve, me dëmtimin e qendrave të transportit”.
Një plan i mirëmenduar sipas saj, me qëllimin të nxisë kaos e panik në të gjithë vendin, për të sabotuar jo vetëm mobilizimin e fuqisë ushtarake të SHBA-së, por edhe vullnetin e qytetarëve”.
Ka disa paralajmërime nga gjeneralë të lartë amerikane, por edhe agjenci të zbulimit, sipas të cilave Pekini është duke u përgatitur për një mësymje ndaj ishullit deri në 2025-sën apo 2027-tën, edhe pse në thelb, ai, sipas krerëve të zbulimit amerikan, do të preferonte më mirë një zgjidhje paqësore të situatës sesa një konflikt të armatosur.
Top Channel