Home KRYESORE NJË FRYMË E RE STUDIMI 

NJË FRYMË E RE STUDIMI 

Adelina Xhaferi, një studiuese e re e letërsisë vjen me botimin e saj të radhës të titulluar “PROZA E FATOS KONGOLIT MES MODERNES DHE EKSPERIMENTALES” një vepër kjo studimore, e cila del pas dy përmbledhjeve të saj me poezi të botuara viteve të fundit e që në botën e lexuesve tashmë ka zënë vend të veçantë.  

Kjo vepër e re dhe e gjetur edhe për nga emërtimi, ashtu siç thekson vetë Adelina dhe siç shihet edhe në brendi të faqeve është një vepër e mirëfilltë studimore, e cila hynë në mesin e shumë veprave të tjera të cilat e bëjnë me frymë të veçantë letërsinë tonë. Vepra në fjalë, pas një pune të suksesshme vëmendjen kryesore e ka vënë te proza rrëfimtare e Fatos Kongolit, këtij shkrimtari bashkëkohor shqiptar e mjaft të zëshëm si dhe te mënyra se si ky shkrimtar i veçantë edhe për nga mënyra e të shkruarit e paraqet personazhin e tij në hapësira të (para)caktuara vepruese (brenda territorit shqiptar dhe jashtë tij, diku ku jetonte një kujtim i hershëm i Kongolit).  

Vepra e Adelinës është e ndarë në pesë krerë të ndryshëm dhe të bollshëm edhe për nga informacioni që bartin. Në kreun e parë duke u mbështetur në dijet dhe njohuritë e fituara letrare ndër vite ajo jep të dhëna se si rrugëtoi vetë periudha e Letërsisë Bashkëkohore Shqipe, me cilat vepra letrare (poezi e prozë) si dhe me cilët përfaqësues letrarë arriti të njihej e të merrte vend të nevojshëm edhe jashtë hapësirave kombëtare; në kreun e dytë ajo tregon se si del struktura e romaneve të Fatos Kongolit duke u mbështetur në të veçantën prozaike dhe të bukurën estetike të cilën duhej që ta sillte në letërsinë shqipe pena e tij, me ç’rast do të ndihmonte për një faqe të re brenda asaj që ishte bërë e zakonshme e që nuk arrinte të kalonte në diçka ndryshe; në kreun e tretë Adelina tregon se si paraqitet narracioni në vepra/romane të caktuara e të përzgjedhura për studimin në fjalë (“Kufoma”, “Dragoi i fildishtë”, “Lëkura e qenit”, “Ëndrra e Damokleut”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh”, “Bolero në vilën e pleqve” dhe “Gënjeshtarë të vegjël”), duke i marrë si shembull ato më të zëshmet, të njohura ndër vite, si dhe duke kaluar më pas te kreu i katër dhe i pestë për të treguar se si jepet fryma e veçantë e personazheve meshkuj dhe femra me profesione dhe ëndrra të ndryshme në atë që ngërthejnë brenda vetes faqet e prozave rrëfimtare të Kongolit.  


2 / 2Të gjitha këto të dhëna Adelina arriti që t’i mblidhte në një vepër të vetme studimore për një vit të vetëm, në periudhën e saj të studimeve të ciklit të dytë (studimeve të magjistraturës) në Universitetin e Tetovës dhe të dëshmonte se ky shkrimtar i letërsisë sonë aq sa është modern, po aq është edhe eksperimental në të shkruarit e tij.  

Që vepra e saj në duart e lexuesve dhe studiuesve të vinte sa më e plotë dhe e bollshme edhe për nga informacioni dhe mesazhi që duhej të përcillej, u përkujdesën profesorët universitarë, si: prof. dr. Ejup AJDINI (redaktor i veprës), prof. dr. Fatmir SULEJMANI dhe doc. dr. Esmije VESELI (recensentë të veprës), si dhe mr. sc. Nertila RAMADANI (redaktor gjuhësor i veprës). Këta profesorë punën e Adelinës e njohën ndër vite dhe duke qenë të bindur se kjo vepër e saj studimore do të ndihmojë për shumë breza të rinj studentësh, sidomos për ata të cilët janë viti i katër në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe si një vepër referimi edhe për shumë punime të tjera shkencore, mëtuan që ta sillnin në dritë të botimit duke u ndihmuar financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.  

Me informacione të nevojshme për prozën e Fatos Kongolit dhe me personazhe të cilët jetojnë dhe veprojnë në një hapësirë të caktuar shqiptare e që janë ndryshe nga ajo që është e zakonshme, kjo vepër studimore do të dëshmojë për të gjithë se në hapësirat e (para)caktuara shqiptare gjithnjë do të frymojnë personazhe që janë “të sëmurë” e që nga shoqëria llogariten si “asgjë”.  

Me tërë të veçantën e tij dhe me personazhin ndryshe në letërsinë tonë vepra studimore e Adelinës do të jetë shembull i duhur se si një shkrimtar mund të zbulohet e të zhvishet nga rrobat deri në njohje të plotë. Duke dëshmuar kështu më pas se personazhi i tij është lidhja e vetme që ai ka me botën e se bota nuk bën asgjë më shumë se sa një studim që lihet gjurmë për të nesërmen.  

Share: