Home Gjeo-Ekonomia Vuçiç shpërthen ndaj Eulex: Gënjeshtarë, doni të vëzhgoni nga afër dëbimin e...

Vuçiç shpërthen ndaj Eulex: Gënjeshtarë, doni të vëzhgoni nga afër dëbimin e serbëve

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj misionit ndërkombëtar EULEX në veri.

Ai ka folur duke ju referuar akuzave të Beogradit për gjoja rrahjen e dy të rinjve serbë nga policia e Kosovës në Zveçan, gjë që në fakt është mohuar nga autoritetet e Kosovës. Duke e cilësuar Eluexin si gënjeshtar, Vuçiç tha se ky mision të vetmen gjë që do të shohë nga afër është dëbimi i serbëve.

“EULEX na thotë ‘po e vëzhgojmë nga afër’. Ju gënjeshtarë, e vetmja gjë që  doni të ‘vëzhgoni nga afër’ është dëbimi i serbëve. Kurti ka krijuar një situatë kriminale ku keqtrajton të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb. Mendoja se po e bënte vetëm, por tani e di që e ka mbështetjen e disa vendeve perëndimore”, ka thënë mes tjerash Vuçiç, sipas të cilit Italia është vendi me qëndrim të ekuilibruar në këtë tension.

“E falënderoj shumë Republikën e Italisë që më duket se e kuptojnë se si është situata, kanë një qëndrim më të ekuilibruar se sa më duket se e kanë pasur më parë. Të tjerët (shtetet e QUINT’in), më mirë të mos i përmend”, thotë Vuçiç.

Duke dolur për rikthimin në dialog, Vuçiç thotë se “është e pakuptimtë” të bisedohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin thotë se “ai kurrë nuk ka qenë i interesuar të bisedojë”.

“Është e pakuptimtë deri kur kryetarët e rremë të tërhiqen dhe njësia speciale nga veriu i Kosovës”, thotë ai, ndërsa dialogu thotë se më “nuk ka kuptim”.

Në daljen e tij për mediat, Vuçiç u shpreh se në ditët në vijim do të merren vendime që nuk afektojnë vetëm 5 apo 10 persona.

“Në Vidovdan gjithçka do të mund të shihet, serbët do të bëjnë hapat paqësorë të tyre drejt rrugës së lirisë, në pajtim me normat ligjore ndërkombëtare”, tha Vuçiç./Opinion.al

Share: