Home Gjeo-Ekonomia Si e vuri Serbia në lojë Bashkimin Europian me “Platformën e Kievit”

Si e vuri Serbia në lojë Bashkimin Europian me “Platformën e Kievit”

Nga Shaban Murati Botuar në DITA

BE është bërë si dashnorët platonikë, që rrinë në rrugë e bëjnë serenata në dritaren e Serbisë dhe gëzohen nëse nëse ajo u luan perden në shenjë dashurie në kohën që në shtrat ka Kremlinin.

Tallja e fundit e llojit të perdes me platonikët e BE-së u bë në 23 gusht, kur Serbia në një lëvizje mashtuese për t’i hedhur hi syve europianë ngarkoi kryeministren Ana Bernabiç të shtirej sikur merrte pjesë nëpërmjet audio dhe videkonferencës në samitin e “Platformës së Kievit”, që është nismë diplomatike e presidentit ukrainas Zelenski me qëllimin e krijimit të një mbështetje qeveritare ndërkombëtare për rikthimin Krimesë së pushtuar nga Rusia.

Presidenti serb Vuçiç në kanale diplomatike mashtroi Ukrainën se Serbia vendosi të bashkohej me “Platformën e Kievit” dhe me 66 shtete anëtare të kësaj nisme diplomatike antiruse. Pas sigurimeve serbe në nivel presidencial për anëtarësim, ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba njoftoi në 23 gusht në samitin e Platformës së Kievit” se nismës i janë bashkuar tre tre shtete, duke pëfshirë edhe Serbinë.

Bllofi diplomatik serb e entusiazmoi diplomacinë e BE, që nxitoi ta shpërndajë në rrjetet diplomatike ndërkombëtare sihariqin e madh që Serbia u bashkua me “Platformën e Kievit”, duke provuar se suksesin e diplomacisë europiane të lëshimeve të njëpasnjëshme ndaj Serbisë që të largohet nga Rusia.

Pre e kësaj përshtypje të rreme ra edhe agjencia prestigjioze britanike “Rojter”, e cila njoftonte në 23 gusht në rrjetin ndërkombëtar të saj se “Serbia iu bashkua një platforme të udhëhequr nga Ukraina për riintegrimin e Krimesë, duke sinjalizuar një largim nga Rusia, një aleat historik dhe furnizuesi i saj i vetëm i gazit natyror”.

Por entusiazmi i dashurisë platonike të diplomacisë së BE ndaj gjestit të ri dashuror të Serbisë nuk vazhdoi gjatë, sepse Moska urdhëroi Serbinë t’i hidhte një kovë me ujë të ftohtë të inamoruarve europianë të saj. U pa shpejt se, ashtu siç theksonte në 24 gusht media ndërkombëtare “intellinews.com”: “Serbia bën një shou publik të mbështetjes së Ukrainës për “Platformën e Krimesë”.

Në datën 24 gusht ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Botsan-Harçenko, shkoi dhe takoi vetëm për vetëm zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Pas kësaj vizite misionare të guvernatorit rus në Beograd, Ivica Daçiç, vrapoi qysh të nesërmen në mëngjes në 25 gusht të dilte në televizion dhe të përgënjeshtronte zyrtarisht dhe publikisht përshtypjen e rreme se Serbia është bashkuar me “Platformën e Kievit”.

Daçiç deklaroi: “Janë çfaqur manipulime të lidhura me të ashtuquajturën “Platformë të Kievit”, me të cilin u bashkua edhe Serbia. Por Serbia nuk i është bashkuar “Platformës së Kieit”. Kryeministrja e Serbisë mori pjesë në punimet e këtij takimi me audio dhe videokonferencë, por ne as e përkrahëm dhe as e pranuam rezolutën e “Platformës s Kievit”, sepse kuadri i saj është i papranueshëm për ne”.

Në fakt në fjalën e saj kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, foli vetëm për aspekte humanitare, se Serbia sillet me respekt ndaj vuajtjeve të popullit ukraians dhe se është gati të marrë pjesë në rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Kryeministrja serbe nuk e përmendi në asnjë rresht Rusinë agresore dhe pushtuese të Krimesë dhe të territorit ukrainas.

Pra Rusia nuk u prek fare nga fjalimi i kryeministres serbe në samitin e “Platformës së Kievit”, sepse fjala e Ana Bërnabiçit ishte një fjalim biblik pa përcaktim kohe dhe vendi, që nuk kishte asnjë lidhje me situatën aktuale të pushtimit dhe të aneksimit rus të Krimesë, çlirimi i së cilës është objektivi i “Platformës së Kievit”.

Rusisë nuk i bëri përshtypje fare demagogjia e çfaqjes së ekranosur të kryeministres serbe me videokonferennë në samitin e “Platformës së Kievit” dhe fjala ajrore e saj. Kremlini e dinte se Serbia po bënte një gjest mashtrues ndaj Ukrainës dhe BE. Se sa e egër është Moska ndaj “Platformës së Kievit” dhe anëtarëve të asaj nisme antiruse e tregoi sjellja brutale armiqësore e Moskës ndaj Bosnje-Hercegovinës, në të njejtën ditë dhe për të njejtën çeshtje të pjesëmarrjes së delegacionit të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës në samitin e “Platformës së Kievit”.

Rusia nëpërmjet ambasadës së saj në Sarajevë reagoi ashpër dhe sulmoi Bosnje- Hercegovinën për pjesëmarrjen e saj në 23 gusht në samitin e “Platformës së Kievit”, duke e vlerësuar si akt armiqësor. Në deklaratën zyrtare të Rusisë të lëshuar nga ambasada ruse në Sarajevë në 24 gusht theksohej se “pjesëmarrja e Bosnje-Hercegovinës në samitin e “Platformës së Kievit” është një akt i hapur armiqësor dhe sulm kundër integritetit territorial të Federatës Ruse dhe Rusia rezervon të drejtën që t’u përgjigjet veprimeve të tilla armiqësore”.

Ndërsa për pjesëmarrjen e Serbisë në samit Rusia nuk reagoi fare, sepse e dinte që nuk ishte e vërtetë se Serbia po bashkohej me “Platformën e Kievit”, kurse për Bosnje- Hercegovinën e pa se ishte një bashkim real me lëvizjen diplomatike ndërkombëtare në mbështetje të rikthimit të Krimesë në gjirin e shtetit ukrainas.

Ajo, që e mërziti Rusinë, ishte entusiazmi, që kaplloi platonikët e BE nga iluzioni optik se Serbia u bashkua me “Platformën e Kievit”. Dhe për t’ia ngrirë në buzë diplomacisë europiane buzëqeshjen serbe, diplomacia ruse nxitoi të vinte pikat mbi “i” dhe e la BE të nanuritej vetëm një ditë në ëndrrat e saj filoserbe. Moska urdhëroi ministrin e jashtëm serb që menjëherë të hidhte poshtë zyrtarisht çdo iluzion dhe aluzion se Serbia i ishte bashkuar “Platformës së Krimesë”.

Për të siguruar edhe më shumë Kremlinin për besnikërinë e saj të palëkundur, Serbia ndërmori menjëherë dy hapa të reja konfirmimi të aleancës së vjetër me Rusinë. Hapi i parë ishte njoftimi, që bëri në 28 gusht ministri i jashtëm serb Daçiç, se së shpejti do të shkojë në Moskë për bisedime me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe se në Moskë do të mbahet së shpejti Komisioni qeveritar i bashkëpunimit dypalësh, që për paln serbe e kryeson zëvendëskryeministri Daçiç. Pra BE vazhdon e flet prej afro dhjetë vitesh dhe i lutet Serbisë për sanksione ekonomike dhe diplomatike ndaj Rusisë, kurse Serbia po i thyen ato në të gjitha drejtimet.

Hapi i dytë filorus i Serbisë ishte paraqitja në datën 29 gusht në parlamentin serb e propozimt të grupit parlamentar të “Lëvisjes Socialiste” të Serbisë e propozimit që Serbia të paraqesë kërkesë për anëtarësim në aleancënn e krijuar nga Rusia dhe Kina, BRICS. Partia “Lëvizja Socialiste” është pjesë e koalicionit qeveritar të drejtuar nga partia e presidentit Vuçiç dhe kryetar i partisë është drejtori i agjencisë serbe të spiunazhit BIA, Aleksandër Vulin, krahu i djathtë i presidentit Vucic, dhe i cili sapo është shpallur non grata nga SHBA per shkak të lidhjeve me Rusinë dhe për shërbimet malinjë të tij në kultivimin e ndikimit rus në Ballkan dhe në destabilizimin e rajonit.

Partia anëtare e koalicionit qeveritar serb e ndërmori këtë hap parlamentar për realizimin e idesë së presidentit serb Vuçiç, i cili ne 18 qershor 2023 në një fjalim drejtuar kombit shpalli alternativën e re të Serbisë për t’u anëtarësuar në BRICS dhe deklaroi se Serbia eshte para zgjedhjes midis BE dhe BRCS-sit. Serbia në nivel presidencial vinte në dyshim orientimin për anëtarësim në BE dhe tani shohim një nismë parlamentare serbe në këtë drejtim.

Në kuadër të lëvizjes mashtruese të Serbisë ndaj BE sikur po bashkohet me “Platformën e Kievit”, del e nevojshme të ndalesh te situata shqetësuese e sjelljes së diplomacisë së BE ndaj Serbisë si aleate strategjike e Rusisë, që po zhvillon një luftë pushtuese në kontinentin europian.

Çështja e parë që shtrohet është se sa gjatë duhet të vazhdojë kjo telenovelë bajate e Beogradit me diplomacinë e BE, ku po luhen bllofe të trasha antiruse për ta mikluar diplomacinë e BE që t’i fale Serbisë tradhëtitë e pareshtura strategjike me Kremlinin.

Çeshtja e dytë është se sa gjatë do të vazhdojë diplomacia e BE që të gënjejë veten dhe të përpiqet që të gënjejë shtetet anëtare dhe shtetet kandidate të BE se Serbia me hapat e saj të breshkës po largohet goja gradualisht nga Rusia. Kjo don të thotë që në diplomacinë e BE nuk e njohin sa duhet as Rusinë dhe as Serbinë. A vjen kjo nga një verbëri diplomatike apo nga një implikim i mundshëm i disa segmenteve të diplomacisë së BE me strategjinë e diplomacisë ruse në Europë, kjo mbetet për t’u parë.

Por historia europiane na mëson që duhet rishfletuar historia e e marrëdhënieve të shteteve të mëdha të Europës me Rusinë cariste dhe komuniste për të kuptuar gjeopolitikën e gabuar të diplomacisë së BE sot ndaj Serbisë dhe ndaj Rusisë.

Nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si një naivitet i shtirur fakti që diplomacia e BE e përkufizon si “akt balancues” të Serbisë politikën serbe të dy karrikeve midis BE dhe Rusisë. Se ku e pa diplomacia e BE këtë të ashtuquajtur balancim serb një Zot e di, sepse Serbia është gozhduar në karriken strategjike të Rusisë. Nëse flitet për sanksionet antiruse të BE, të cilat presidenti serb Vuçiç refuzon me histeri t’i zbatojë, BE nuk duhet të habitet, sepse Vuçiç dhe Serbia kanë që në vitin 2014 që nuk janë bashkuar me sanksionet antiruse të BE.

Pra Serbia ka afër 10 vjet që nuk i bindet BE, por BE rron me shpresën naive se duke i bërë lëshime Serbsë do ta bindë një ditë…Serbia ia përplasur në fytyrë BE dashurinë e saj për Rusinë, kur pas agresionit të parë rus në Ukrainë dhe të aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë në 2014, Serbia e Vuçiçit i organizoi një paradë të madhe ushtarake nderimi në Beograd Carit pushtues rus Vladimir Putin.

Çfarë të ashtuquajturi akt balancuese pret BE pas dy agresioneve ruse në Ukrainë, kur Serbia nuk e ka dënuar kurrë me emër agresionin rus dhe kurre nuk e ka dënuar dhe as e ka përmendur me emër presidentin kriminel Putin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Madje ministri i jashtëm serb Daçiç u lavdërua në 25 gusht se në samitin e 21 gushtit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar në Athinë nga kryeministri grek, Serbia hoqi nga deklarata e përbashkët pjesën që kishte të bënte me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe hoqi gjithashtu pjesën ku përmendej emri i presidentit rus Putin dhe pjesën lidhur me krimet e luftës në Ukrainë.

Në planin diplomatik, taktik dhe strategjik, prodhon shqetësim programi aktual i diplomacisë së BE, e cila po kërkon që Serbia të shpërblehet për këtë të ashtuquajtur akt balancues midis BE dhe Rusisë, se goja Serbia duhet shpërblyer sa më shumë për arsyen se mund të inkurajohet për hapa të reja për shkëputje nga Rusia. Kjo vijë e gabuar diplomatike e BE ka patur si efekt gabime strategjike gjeopolitike, që kanë cënuar interesat e popujve të Kosovës, të Bosnje-Hercegovinës dhe të Malit të Zi.

Sepse është e pafalshme që BE po i bën presione absurde Kosovës, e cila i ka pranuar marrëveshjet e Brukselit dhe atë të Ohrit, si dhe planin franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe BE i bën fresk Serbisë, e cila e përbuzi planin franko-gjerman dhe presidenti Vuçiç nuk denjoi as ta firmoste dhe as ta pranonte, e jo më ta zbatonte, atë plan.

Diplomacia e BE e kapërdiu atë turp diplomatik në emër të dashurisë së pavdekshme historike të një shteti vendimmarrës në BE si Franca.
Kjo diplomaci e gabuar e BE, që i vjen era “Mynih 1938”, është tolerancë ndaj një shteti fashist si Serbia, që ka bërë katër luftra të përgjakëshme kundër popujve joserbë dhe që ka një president, i cili ka qenë ministër informacioni në qeverinë naziste të Millosheviçit, bashkë me dy zëvendëskryeministra të qeverisë së tanishme serbe.

Marrja në mbrojtje e pushtetit të sotëm serb, që ka dalë me doktrinën naziste të hapësirave jetike me emrin “bota serbe”, në mënyrë logjike duhet konsideruar një përkrahje indirekte edhe për protektorin strategjik të Serbisë: Rusinë agresore të Putinit.

Kjo diplomaci pa bosht e BE po ushqen agresivitetin e padurueshëm të Serbisë, e cila guxon të ndërmarrë njërën pas tjetrës lëvizje mashtruese ndaj vetë diplomacisë së BE, siç ishte edhe bllofi e Serbisë për pjesëmarrje në “Platformën e Kievit”.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Share: