Home Gjeo-Ekonomia Vizioni i teknologjisë së të ardhmes

Vizioni i teknologjisë së të ardhmes

Wang Yuanzhuo, studiues në Institutin e Teknologjisë Kompjuterike, nën Akademinë Kineze të Shkencave, i cili është i fokusuar në të dhënat e mëdha dhe inteligjencën artificiale, mbajti një fjalim në Panairin e fundit të Shkencës Rinore Tencent. 

Ai shfaqi një dualitet unik, pasi jo vetëm që po merrte pjesë në sesionin e drejtpërdrejtë të pyetjeve dhe përgjigjeve në platformën “Tencent Video”, por gjithashtu po angazhohej në të njëjtën kohë në një sesion edukativ për fëmijët në zonat rurale, nëpërmjet një ndërveprimi digjital.

Teknologjia digjitale në Kinë kërkon vetëm tre minuta filmime video nga personi real për të krijuar një kopje digjitale të padallueshme, e cila mund të ndihmojë individët në menaxhimin e detyrave që nuk mund të kryhen njëkohësisht.

Wang, i cili është gjithashtu konsulent shkencor për “The Wandering Earth 2”, parashikon një të ardhme ku, ndërsa teknologjia evoluon, portretizimi i entiteteve digjitale të vetëdijshme do të fillojë të mbushë hendekun midis trillimit dhe realitetit.

“Çdo hap në evolucionin e teknologjisë njerëzore në fund të fundit rrjedh nga vizionet tona për të ardhmen. Megjithatë, njëkohësisht, e ardhmja paraqet një sërë çështjesh dhe sfidash të ndërlikuara. Shpresoj që të gjithë të rinjtë të kenë një kuriozitet të përjetshëm për këtë botë, të ruajnë imagjinatën e pakufishme për të ardhmen dhe mos të kenë frikë të ëndërrojnë përtej kufijve të zakonshëm”,- tha Wang.

Më 20 gusht, në Universitetin Tsinghua, u zhvillua Panairi i Shkencës Rinore Tencent, i organizuar nga Universiteti Tsinghua, fondacioni “China Soong Ching Ling” dhe “Tencent”.

Me temë “Të formësojmë botën me inteligjencën artificiale”, ky event ofroi një eksplorim të inteligjencës artificiale për të rinjtë dhe nisi një projekt testues të mirëqenies publike, Mësimi i Parë i Programimit të Inteligjencës Artificiale.

Qëkur u zhvillua për herë të parë në vitin 2019, ky event ka tërhequr rreth 54 milionë pjesëmarrës të rinj si në internet ashtu edhe me prani fizike. Si pjesë e një nisme të veçantë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Popullarizimit të Shkencës 2023, eventi bëri bashkë shkencëtarë nga institucionet kërkimore, institucionet e arsimit të lartë dhe industria e inteligjencës artificiale.

Shen Beili, zv.drejtor i fondacionit “China Soong Ching Ling”, theksoi se shtimi i interesit për mësimin shkencor nga të rinjtë është me rëndësi të madhe në forcimin e aftësisë së pavarur të inovacionit dhe hedhjen e një themeli të fortë talenti për ndërtimin e një vendi të fortë teknologjik.

Gjatë gjithë eventit, ekspertë të fushës së inteligjencës artificiale u ftuan të angazhohen në shkëmbime të drejtpërdrejta me pjesëmarrësit e rinj.

“Kjo ngjarje shërben si një mënyrë e prekshme për forcimin e edukimit shkencor të të rinjve”,- tha Shen.

Sipas Li Hang, nënkryetar i Komitetit të Zhvillimit të Rinisë Tencent, hulumtimi i tyre, i cili është kryer në bashkëpunim me Shoqatën Kineze për Inteligjencën Artificiale, zbuloi se gati 70 për qind e prindërve e konsiderojnë inteligjencën artificiale dhe programimin si një mjet shumë të rëndësishëm për fëmijët e tyre për të mësuar. Megjithatë, më shumë se gjysma e individëve të rinj të anketuar nuk kishin qenë të ekspozuar ndaj arsimimit në inteligjencën artificiale.

Për më tepër, hulumtimi tregoi se 54 për qind e prindërve e pranuan rëndësinë e prezantimit të arsimit të lidhur me inteligjencën artificiale brenda kontekstit të të mësuarit në shtëpi, por vetëm 0.9 për qind e prindërve të anketuar ishin në gjendje ta zbatonin këtë në mënyrë efektive.

Fondacioni “China Soong Ching Ling” dhe “Tencent” janë gati të lançojnë mini-programin Mësimet e Para në Programimin e Inteligjencës Artificiale për të ofruar një bazë si në inteligjencën artificiale ashtu edhe në arsimimin e programimit për të rinjtë në mbarë vendin, madje edhe ata që nuk kanë njohuri paraprake për lëndët.

Sun Maosong, zëvendësdekan i Institutit për Inteligjencën Artificiale, Universiteti Tsinghua, prezantoi “Jiuge”, një model kompozimi poetik të inteligjencës artificiale, që ai dhe ekipi i tij kanë zhvilluar që nga viti 2015. Sipas Sun, poezia e vë theksin te ritmi, simetria, imazhet e thella dhe shprehja semantike e pasur dhe e ndërlikuar.

“Jiuge, duke u bazuar në një grup të gjerë të dhënash të poezisë klasike, u projektua për të ndërtuar një sistem të automatizuar të poezisë dhe shkrimit të dyfishtë të inteligjencës artificiale, duke kapërcyer sfidat e të kuptuarit dhe analizës së gjuhës kineze në inteligjencën artificiale”,- shpjegon Sun.

Duke përdorur “Jiuge”, ai i ndihmoi të rinjtë e pranishëm të vlerësonin përplasjen magjepsëse të kulturës tradicionale dhe teknologjisë së fundit.

Pan Jiaofeng, kreu i Institutit të Shkencës dhe Zhvillimit, nën Akademinë Kineze të Shkencave, vuri në dukje se ndërsa Kina ka bërë përparime të jashtëzakonshme, mbetet një hendek i dukshëm në teknologjitë themelore të inteligjencës artificiale, veçanërisht në harduerin e inteligjencës artificiale, në krahasim me vendet e zhvilluara.

Ai inkurajoi pjesëmarrësit e rinj që të synojnë lëndët themelore si matematika, fizika dhe neuroshkenca, për të kontribuar në krijimin e një kuadri të pavarur dhe të kontrollueshëm të teknologjisë së inteligjencës artificiale për përpjekjet e ardhshme të Kinës.

Sp. Të nderuar dëgjues, në Radio Ejani ndoqët rubrikën e “China Daily” me temë: “Vizioni i teknologjisë së të ardhmes”. Mirë u dëgjofshim!

Share: