Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të enjten se është krenar që komunikon me Moskën, ndonëse diçka e tillë i zemëron liderët e Bashkimit Evropian.
Ai është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar, shkruan REL.
“Ne i kemi të hapura të gjitha linjat e komunikimit me rusët. Përndryshe, nuk do të ketë asnjë mundësi për paqe”, u ka thënë Orban gazetarëve, para takimit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Kjo është strategji, dhe ne jemi krenarë për këtë gjë”. Orban ka thënë se Hungaria është e vetmja që flet “në emër dhe në të mirë të paqes, e cila do të jetë në interes të të gjithëve në Evropë”.
Orban, i cili mban lidhje me Moskën, i ka shtrënguar duart me Putinin gjatë një takimi në Pekin, më 17 tetor, në të cilin është diskutuar për bashkëpunim në energji.
Një takim i tillë i Putinit me një lider evropian ka ndodhur rrallë, prej luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
360grade.al