Home Gjeo-Ekonomia Shqipëria abstenon në rezolutën e miratuar nga OKB për ndërprerjen e luftimeve...

Shqipëria abstenon në rezolutën e miratuar nga OKB për ndërprerjen e luftimeve në Gaza

Shqipëria ka abstenuar në një rezolutë që u votua me shumicë për ndërprerjen e luftimeve dhe fillimin e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazas.

Pas katër dështimeve me radhë në Këshillin e Sigurimit ku u provua për dhjetë ditë miratimi i saj, Asambleja e Përgjithshme e OKB mori përsipër këtë çështje.

“Ndërsa jemi dëshmitarë, në momentin që flasim, të një pushtimi tokësor të Izraelit dhe në mungesë të veprimit të vendosur nga Këshilli i Sigurimit, (rezoluta) ka një objektiv të thjeshtë por jetik, të jetë përputhje me arsyen për të cilën ekzistojnë Kombet e Bashkuara: ekzistencën e paqes”, tha ambasadori Mahmoud Daifallah Hmoud i Jordanisë, vendi i të cilit hartoi tekstin në emër të grupit të 22 vendeve arabe.

Rezoluta jo-detyruese, e cila “bën thirrje për një armëpushim humanitar të menjëhershëm”, mori 120 vota pro, 14 kundër (përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara) dhe duartrokitje nga pjesa më e madhe e 193 anëtarëve të OKB-së në Nju Jork. Vota e Shqipërisë u rendit mes 45 abstenimeve ku bënin pjesë edhe vendeve të BE si Gjermania, ndërkohë që psh Franca votoi pro rezolutës.

Mënyra se si u ndanë votat pro dhe kundër nxori në pah ndarjet, veçanërisht midis perëndimorëve.
Rezoluta e miratuar të premten fokusohet kryesisht në situatën humanitare në Gaza, duke bërë thirrje në veçanti për sigurimin e menjëhershëm të ujit, ushqimit, karburantit, energjisë elektrike dhe aksesit “të papenguar” për ndihma.

Asambleja e Përgjithshme dënon gjithashtu “të gjitha aktet e dhunës të drejtuara kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha aktet e terrorizmit dhe sulmet pa dallim”, dhe thotë se është “thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i fundit e dhunës që nga sulmi i 7 tetorit”, por pa duke përmendur Hamasin. Ky detaj i fundit ndikoi edhe në ndarjen mes vendeve të perëndimit duke nxitur fjalët e ashpra të ambasadoreve izraelite dhe amerikane ne OKB.©Lapsi.al

Share: