Ditët e fundit, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi projektin e përgjithshëm për Zonën e Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut. Ky është një tjetër zgjerim në listën e zonave të tregtisë së lirë të Kinës. Në vitin 2013, Kina krijoi zonën e saj të parë për tregtinë e lirë në Shangai në pjesën lindore të vendit, ndërsa këtë herë, Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit, i cili ndodhet në pjesën perëndimore të vendit, është caktuar si zona e 22-të e tregtisë së lirë në Kinë. Kështu, në Kinë është formuar rrjeti me zonat e tregtisë së lirë që mbulon pjesën lindore, qendrore dhe perëndimore të vendit.
Në projektin e publikuar nga Këshilli i Shtetit, vihet në dukje që “Kina do ta kthejë Zonën e Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut në një zonë shembullore për zhvillimin me cilësi të lartë në krahinat qendrore e perëndimore të vendit”. Ky është një sinjal i qartë që Kina tani po përpiqet për zhvillim të balancuar mes krahinave lindore dhe perëndimore. Ndërtimi i zonës së tregtisë së lirë do të mbështetë krijimin e zonës thelbësore të “Një brez, një rrugë”, çka mund të ndihmojë të krijohet një kanal i artë Azi-Europë dhe një “kështjellë” për hapjen e Kinës drejt Perëndimit.
Foto nga CMG
Mjedisi më i lehtësuar për tregtinë ndërkufitare
Për të arritur këta objektiva strategjike dhe për të siguruar ndërtimin efikas të kësaj zone, në këtë projekt është theksuar që në Zonën e Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut do të ketë më shumë të drejta reformimi dhe do të eksplorohet në mënyrë të thellë një model i ndryshëm zhvillimi.
Ndërkohë, janë qartësuar masat e hollësishme në 25 sektorë, si formimi i mjedisit të mirë të biznesit, ngritja e nivelit të lehtësimit tregtar dhe shtimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar me vendet e tjera.
Sipas këtij projekti, për një mjedis biznesi të klasit të parë, duhet të nxitet formimi i“qeverisjes digjitale”, me të cilën mund të shtohet efektiviteti i menaxhimit qeveritar dhe të përmirësohen shërbimet qeveritare në mënyrë digjitale, të rregullt dhe inteligjente. Ky program i “qeverisjes digjitale” në zonën e tregtisë së lirë do të bëhet si shembull për mbarë Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit. Krahas kësaj, të gjitha të drejtat e menaxhimit në punët ekonomike në mbarë rajonin, me kërkesa praktike dhe në përshtatje me kushtet e caktuara, do t’i jepen sipas ligjit zonës së tregtisë së lirë. Për sektorin ushqimor, do të zbatohet masa “leje dhe certifikata të integruara”. Për lejen e prodhimit të produkteve kryesore industriale dhe ushqimore, do të përdoret modeli i miratimit direkt me paranjoftim dhe premtim.
Për lehtësimin tregtar, do të shpejtohet ndërtimi i “sporteleve të unifikuara” në tregtinë ndërkombëtare, do të pasurohen shërbimet për tregtinë ndërkufitare në platformat elektronike dhe do të shtohen shërbimet e koordinuara logjistike. Do të shtohet importi i mallrave cilësore bujqësore dhe ushqimore nga vendet e tjera, si vendet e Azisë Qendrore. Do të ndërtohet “kanali i gjelbër” për kalimin e shpejtë të mallrave bujqësore në portet kufitare. Për mallrat burimore të importuara, do të zbatohet në mënyrë eksperimentale modeli me inkurajimin e institucioneve të kontrollit të palës së 3-të, me synim që të shtohet më tej efektiviteti i zhdoganimit.
Foto nga VCG
Po krijohen sektorë me veçanti lokale
Krahas këtyre masave lehtuese, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut do të eksplorohen edhe sektorët me veçanti dhe epërsi lokale të këtij rajoni.
Sipas këtij projekti, do të zhvillohet me fuqi të madhe sektori i tekstileve, si prodhimi i veshjeve. Ndërkohë, do të zhvillohet me cilësi të lartë sektori i tesktileve të pambukta e do të krijohet baza kombëtare për prodhimin e fijeve cilësore të pambukut, me synim që të shtohet niveli i punësimit nëpërmjet zhvillimit të sektorit të tekstileve.
Krahas këtij sektori, do të mbështetet edhe zhvillimi i sektorëve që kërkojnë krahë të shumta pune, si prodhimi i veshjeve, montimi i aparateve elektronike, fasoneria etj. Do të përmirësohet në mënyrë të standardizuar dhe në përmasa industriale përpunimi i produkteve me veçanti lokale, si frutat e pyllit, vera e bulmeti, dhe do të bëhen përpjekje të formohen marka me veçanti dhe epërsi lokale.
Ndërkohë, do të mbështetet transferimi i sektorëve që kërkojnë fuqi të madhe punëtore nga krahinat lindore, me synim që të formohet sistemi industrial me veçanti xinjiangase, çka mund të bëjë të shtohet niveli i punësimit, si edhe që të integrohen produktet bazë të vendeve të Azisë Qendrore dhe aftësitë e inovacionit teknologjik dhe të prodhimit të lartë të vendeve europiane.
Foto nga CMG
Ndërlidhje Europë-Azi, hapje drejt Perëndimit
Sivjet është 10-vjetori i paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Xinjiang gjeografikisht ndodhet në pjesën perëndimore të Kinës, por nëse e shohim hartën e kontinentit euroaziatik, mund të zbulojmë që Xinjiang-u ndodhet në një pikë shumë të rëndësishme, që e ndërlidh tregun kinez me tregun e vendeve të Azisë Qendrore dhe madje me tregun europian.
Në projektin e publikuar nga Këshilli i Shtetit për Zonën e Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut është theksuar që do të nxitet ndërtimi i zonës ajrore ekonomike të Urumqit dhe do të nxitet zhvillimi i përbashkët i portit ndërkombëtar tokësor të Urumqit. Ndërkohë, do të mbështetet transporti rrugor-hekurudhor në linjën Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, do të eksplorohet transporti i përzier Kinë-Pakistan, do të ndërtohet bashkërisht hekurudha Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, do të nxitet ndërtimi i sistemit të transportit në portet tokësore, dogana, parqet industriale dhe ndërmarrjet e zonës së tregtisë së lirë. Njëkohësisht, do të shpejtohet modernizimi i porteve ekzistuese, do të shtohet niveli i transportit hekurudhor dhe do të lehtësohet më tej megakanali shumëtransportësh dhe rrjeti bazë logjistik.
Për hapjen drejt Perëndimit, zona e tregtisë së lirë luan një rol unik. Sipas këtij projekti, do të forcohet bashkëpunimi mes Zonës së Tregtisë së Lirë të Xinjiang-ut dhe vendeve të tjera. Do të shfrytëzohet plotësisht mekanizmi i bashkëpunimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe ai Kinë-Azi Qendrore, si dhe platforma ndërkombëtare për bashkëpunimin ekonomik rajonal në Azinë Qendrore (CAREC). Do të zhvillohet me cilësi të lartë Ekspozita Kinë-Euroazi dhe do të eksplorohet organizimi i ekspozitave kombëtare dhe profesionale mes Kinës dhe vendeve bashkëndërtuse të “Një brez, një rrugë”, posaçërisht vendeve të Azisë Qendrore dhe të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. (Jiang Lei)/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN