Qarkullimi i mirë në magazinën doganore për mallrat nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Cangzhou
Magazina doganore për mallrat nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Cangzhou u miratua të vihet në funksionim në fund të majit dhe më 17 korrik u hap zyrtarisht. Sipërfaqja e kësaj magazine është 4400 metra katrorë. Ajo kryen kryesisht zhdoganimin, magazinimin, paketimin, shpërndarjen logjistike, ekspozimin, shërbimet e shitjes etj. për mallrat e konsumit, materialet e ndërtimit, automobilat, pjesët e avionëve dhe produkte të tjera të përgjithshme të importuara nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Përgjegjësi i magazinës Li Chuanpeng tha: “Dëshirojmë që, duke u bazuar në Qendrën e Mallrave të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore, të zgjerojmë bashkëpunimin me vendet e EQL-së në fushat industriale, tekniko-shkencore, kulturore etj. dhe të ndërtojmë rrugën e re të bashkëpunimit.” Tani kjo magazinë doganore po zhvillon edhe shitjen e mallrave nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në internet për të tërhequr vëmendjen e ndërmarrjeve të ndryshme dhe për të nxitur bashkëpunimin. Tani magazina ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me kompani të mëdha logjistike.
Li tha gjithashtu se gjatë kohës së ruajtjes në magazinën doganore për mallrat nuk ka nevojë të paguhen detyrimet doganore dhe TVSh-ja, gjë që, nga njëra anë, do të pakësojë kostot e ndërmarrjeve dhe do të shkurtojë kohën e importit të mallrave, e, nga ana tjetër, mund të zbutë presionin e fondit të ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme.
Foto nga VCG
Vëllimi i transportit të mallrave të trenave Kinë-Europë në Chongqing i kalon 1.25 milion kontejnerët standardë
Sipas statistikave, deri tani vëllimi i përgjithshëm i transportit të mallrave midis qytetit Chongqing të Kinës Perëndimore e Europës i ka kaluar 1.25 milionë kontejnerët standardë, pesha e mallrave ka arritur 13 milionë tonë dhe vlera e mallrave është mbi 500 miliardë juanë. Këtu ka afro 50 linja që përfshijnë stacionet e mbi 100 qyteteve. Trenat Kinë –Europë në Chongqing kanë rrjetin më të gjerë në Kinë.
Qysh nga viti 2012, kur u krijua mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë – Vendet e EQL-së e deri tani, bashkëpunimi dypalësh ka arritur përparime pozitive në fushat ekonomiko-tregtare, industriale, kulturore etj. Sipas statistikave, tregtia midis Kinës e vendeve të EQL-së rritet mesaterisht 8.1% në vit dhe importi nga vendet e EQL-së në Kinë shtohet mesatarisht me 9.2 % në vit. Deri tani, shkalla e investimeve të dyanshme midis Kinës dhe vendeve të EQL-së është afro 20 miliardë dollarë amerikanë.
Foto nga VCG
Si projekt i rëndësishëm i nismës “Një brez, një rrugë”, trenat Kinë-Europë kanë ndërtuar një urë midis Lindjes dhe Perëndimit. Në krahasim me transportin detar, treni mund të përgjysmojë kohën dhe ka epërsi të dukshme në kontrollin e kostos, sigurinë e transportit dhe garantimin e zinxhirit të furnizmit, duke u bërë një mënyrë e përhershme logjistike për klientët e vendeve të EQL-së. Me zhvillimin e nismës “Një brez, një rrugë”, treni Kinë-Europë është bërë një transportues i rëndësishëm që siguron qëndrueshmërinë e vazhdueshme të zinxhirëve ndërkombëtarë industrialë dhe të furnizimit.
Liu Taiping, menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë “Yuxinou”, tha se janë ndërtuar 15 pika shpërndarjeje lidhur me trenat midis qytetit Chongqing dhe Europës, si në Malaszewicz të Polonisë, Dobra të Sllovakisë, Pardubice të Çekisë etj.
Shumë kanale ndërkombëtare të logjistikës, si Korridori i Ri Perëndimor Tokësor-Detar dhe Uji i Artë i lumit Jance, konvergojnë në Chongqing dhe mund të realizojnë “kombinimin e lirë” të kanaleve të ndryshme logjistike ndërkombëtare ujore, tokësore e ajrore. Qyteti Chongqing është transformuar gjithashtu nga një ekonomi e brendshme në të kaluarën në një ekonomi të hapur.
Aktualisht, treni i mallrave Kinë-Europë është bërë dëshmia më e mirë e bashkëpunimit të favorshëm midis Chongqing-ut dhe vendeve të EQL-së, duke hapur “kanalin e artë” midis këtij qyteti të Kinës dhe këtyre vendeve.
Foto nga youth.cn
Forumi i 4-t i Dekanëve të Konservatorëve të Muzikës Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore u mbajt në Zhejiang
Ditët e fundit u mbajtën me sukses në Konservatorin e Muzikës të Zhejiang-ut Forumi i 4-t i Dekanëve të Konservatorëve të Muzikës Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Sezoni i Muzikës dhe Kërcimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore . Më shumë se 40 dekanë, ekspertë, studiues dhe artistë nga 15 universitete dhe kolegje nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si Bullgaria, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Serbia, Sllovenia , Kroacia, Rumania, Sllovakia etj. u mblodhën në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang për të diskutuar për temën “Bashkëpunimi dhe zhvillimi”, mbi bashkëpunimin dhe zhvillimin e muzikës dhe edukimit artistik në epokën e re midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.
Foto nga youth.cn
Gjatë forumit, u mbajtën gjithsej dy forume kryesore samiti, 26 aktivitete akademike të nivelit të lartë dhe 8 performanca shkëmbimesh me cilësi të lartë. Përveç dy koncerteve të posaçme nga artistët e Konservatorit të Muzikës “Liszt” dhe të Akademisë së Muzikës të Universitetit të Malit të Zi, gjashtë shfaqjet e tjera u performuan së bashku nga pedagogët dhe studentët nga shkollat e aleancës. Midis tyre, “Koncerti i grupit të madh të xhazit të Aleancës së Shkollave të Muzikës Kinë-Europe Qendrore dhe Lindore” bëri debutimin e tij në skenën kineze, duke sjellë një sërë veprash origjinale të kompozitorëve të vendeve të EQL-së.
Një nga arritjet e rëndësishme të këtij forumi ishte miratimi i “Kartës së Aleancës së Shkollave të Muzikës të Kinës dhe të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore” , duke tërhequr Universitetin e Ri Bullgar, Universitetin Eötvös Loránd, Akademinë e Muzikës “Karol Szymanowski” dhe Akademinë e Muzikës në Lodz të bëhen anëtarë të rinj të aleancës. (Çang Çuo)/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN