Home KRYESORE Shoqëria dhe muzika. “Vetëm për ata që kanë qejf leximin!”

Shoqëria dhe muzika. “Vetëm për ata që kanë qejf leximin!”

Në leksionin e fundit ndër të tjera…

Nga Artur Beu

Individët që përbëjnë shoqërinë krijojnë edhe strukturat dhe kështu edhe shtetin.

(Në fakt një konsideratë paraprake duhet marrë parasysh. Në përgjithësi, gjendemi gjithnjë në një pozitë të vështirë, pasi jemi pjesë e një shoqërie ku nuk kemi patur asnjë meritë apo mundësi për të qenë pjesë, pasi as e kemi krijuar ne e as e kemi dëshiruar. Lindja nuk është as meritë e as zgjedhje. Ndjekim, ose duhet të ndjekim rregullat e përcaktuara nëpërmjet ligjeve të shoqërisë duke u përpjekur të kryejmë më së miri detyrat e duke marrë ose pretenduar edhe në këmbim shërbimet e ruajtur të drejtat mundësisht.)

Një shoqëri si e jona, për shembull, ka një strukturë le të themi “të thjeshtë”. E them këtë pasi për shkak të numrit të popullsisë nuk mund të krahasohet me një shtet apo federatë që kanë 100, apo 300 milionë a më shumë popullsi.

(Skema për një shtet me strukturë të thjeshtë do ishte një hierarki që nga maja shkon deri në bazë tek individi sipas logjikës më të drejtpërdrejtë. Një zinxhir me hallka që mbajnë dhe lidhin njëra tjetrën në formën e lavjerrësit të orës, sa për një ide. Individi në fakt nuk e ka shumë të vështirë të ndjekë rrugën për tek maja e lavjerrësit. Në një shoqëri të tillë, në çdo kohë kreu i piramidës së pushtetit mund të jetë edhe një individ në moshë relativisht të re (natyrisht madhore) dhe shoqëria është e shëndetshme gjithsesi, pavarësisht se koha në dispozicion për të kaluar të gjitha hallkat nuk është shumë e madhe.

Tek shoqëritë e mëdha, në fakt struktura po në të njejtën mënyrë funksionon, por diferenca është tek zinxhiri dhe hallkat. Në shoqëritë e mëdha ka shumë zinxhirë në formën e një rrjete me lavjerrës. Këtu individi e ka shumë më të vështirë të ndjekë rrugën për tek koka pasi hallkat janë të shumta. Një individ nëse arrin tek maja në moshë të re do të thotë se ka diçka që nuk shkon në atë shoqëri lidhur me itinerarin (rregullat), përveç rasteve të strukturave të palëvizshme sikurse janë monarkitë, kur individi nuk duhet të ndjekë itinerarin e rregullave për të arritur majën e pushtetit.

Dërkohë që, produktet që shoqëritë e shtetet prodhojnë duhet të jenë të njejtë kudo. Në fund të fundit emëruesi i përbashkët i cfarëdolloj shoqërie është individi.

Ndër produktet e shumta të një shoqërie është edhe muzika. Kudo dëgjojmë muzikë. Njeriu është muzikor kudo. Ndryshon zhanri apo struktura muzikore e një kënge, por jo harmonia, sepse sikurse dijmë dhe sikurse e kemi përkufizuar muzikën, ajo është një grumbull tingujsh të organizuar në mënyrë hamonioze, që në fund të fundit pëlqehet nga ata që e dëgjojnë. Në fakt dhe në të vërtetë çdo shoqëri ka specifikat e saj në ndërveprimin me muzikën. Ndërveprimi kryhet nga individët e asaj apo kësaj shoqërie i materializuar ky tek strukturat, pra institucionet, që ka ndërtuar ajo apo kjo shoqëri. Ndërveprimi merr kuptim kur institucionet kanë marrëdhënie me produktet që prodhojnë dhe sa më e lartë shkalla e ndërveprimit aq më përfaqësues del produkti. Në këtë mënyrë shteti me institucionet e tij prodhojnë produkte të mira që njerëzit e asaj shoqërie të jenë të kënaqur e në hipotezën më të mirë të lumtur.

Duke u ndalur tek llojet e strukturave, dëshiroj të sqaroj konceptin e shtetit me zinxhir hallkash, të thjeshtë nga njëra anë dhe të ndërthurur nga tjetra.

Një shtet që ka institucione të ndërtuara me struktura që kanë hierarki të shkurtër, kur funksionon mirë, shfaqet më efikas se një shtet që ka struktura të ndërlikuara dhe kjo duket fare logjike. Komunikimi është i shkurtër dhe informacioni shkon e përçohet në mënyrë efikase. Bashkërendimi është po aq efikas pasi struktura është e thjeshtë dhe për shkak të komunikimit efikas informacioni sërish përçohet më së miri. Puna kryhet po aq mirë pasi strukturat janë të vogla dhe kontrolli bën që sërish informacioni të përçohet po aq qartë e suksesshëm. Pra, le të themi se mekanizmat janë të thjeshtë dhe produktet duket të jenë sipas kërkesave të asaj shoqërie. Ky lloj shteti në rast se ndjek politika të mira për shoqërinë funksionin si një orë zvicerane do thoja unë. Mekanizmat ndjekin rrjedhën dhe gjithçka shkon ashtu siç duhet, ose në drejtimin e duhur. Ka shtete të tilla dhe s’po përmend asnjë për të mos e kufizuar vëmendjen. Ky lloj shteti ka një problem. Mund të shkojë shpejt drejt autoritarizmit në rast se lubrifikimi i mekanizmave nuk bëhet nëënyrën e duhur.

Po kush është sekreti i mbarëvajtjes së shtetit dhe shoqërisë? Kush i bën mekanizmat që të funksionojnë mirë? Kush është ingredienti sekret i kësaj makinerie që nëse do të përkufizonim një nga baballarët e sociologjisë, do të thoshim kësaj shoqërie mekanike që mekanike ka strukturën, por jo përbërjen.

Në fakt ndër përgjigjet e shumta që mund të japim, dhe nuk po ndalem tek llojet e përgjigjeve të ofruara nga sociologët e shquar nëpërmjet teorive të shumta, më duket më e thjeshtë e logjike kjo që do të përpiqem të sqaroj. Më lejoni të marr të mirëqenë çeshtje e të qenit logjike!

Ka një ingredient që s’mund ta mohojmë dot që krijon e prish mekanizmat e një shteti e si rrjedhojë edhe shoqërinë. Ky ingredient është e vërteta. Po, po, e vërteta është ingredienti sekret i mbarëvajtjes së shtetit e shoqërisë. Në të kundërt gënjeshtra është ingredienti që i bllokon mekanizmat. Shtetet, nëpërmjet institucioneve më kot do të përpiqen të tregojnë atë që nuk shihet, preket e dëgjohet. E vërteta të lë gjithnjë lakuriq do thoshte dikush.
A mund të thuhet se muzika që ti dëgjon është më e mira!? A mund të detyrohet dikush të pëlqejë një festival apo këngë, apo të ndjekë me ëndje një opera apo një operetë, të shkojë në teatër a kinema vetëm për faktin se e ke krijuar ti!?

Në fakt dhe në të vërtetë ka shoqëri të tilla. Ka njerëz që detyrohen të pëlqejnë me zor një këngë. Në fillimet e shekullit të kaluar një fenomen filloi të përhapej me shpejtësi në Amerikë për shkak të rritjes së fuqisë së radios. Shtëpitë promovuese të diskografisë pothuajse menjëherë kuptuan, se po të jepej në mënyrë të përsëritur një këngë, njerëzit perceptojnë se kjo është melodia që të gjithë duan dhe kënga fillonte “të pëlqehej”. Në fakt pëlqimi kishte të bënte me shitjen, sepse qëllimi final ishte ajo e jo pëlqimi në të vërtetë. Ky fenomen mori emrin “plugging” dhe në fakt vazhdon e funksionon edhe sot e jo vetëm në fushën e muzikës.

Sot, për shembull, blihen shikues e ndjekës në platforma dixhitale duke gënjyer për shikueshmërinë e në këtë mënyrë influencojnë shitjet e një produkti apo të një tjetri. Nga ana tjetër, në fakt dhe në të vërtetë ka plot këngë që i kanë rezistuar viteve dhe dëgjohen me qejf kurdoherë që propozohen. Ndërkohë që ka plot këngë të tjera, që kanë qenë hite në një periudhë të caktuar dhe nuk dëgjohen më dhe as nuk japin kënaqësi kur i ridëgjon.

                     ... 

Po e mbyll këtu se nuk e di sa kanë arritur të lexojnë deri në fund. 😀😀😀

Duke ju uruar të gjithëve javë të mbarë përfitoj nga rasti edhe t’ju uroj t’i kaloni gëzueshëm festat!

Share: