Që pas arrestimit dy ditë para zgjedhjeve të kaluara, Fredi Beleri, kryetar i zgjedhur i Himarës nuk po arrin të betohet para Këshillit Bashkiak, sepse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i jep leje të dalë nga qelia. Arrestimi i tij provokoi reagimin e fortë të Greqisë që pas natës së parë të arrestimit, por strategjia e tyre në ndihmë të kryebashkiakut ka ndryshuar me kalimin e muajve.
Protesta në Himarë dhe darka në Athinë
Presioni në fillim ishte i përqëndruar ndaj kryeministrit Rama. Kërkesa e parë ishte për lirimin e Belerit. Nisi me deklaratat e forta të kryeministrit grek, Kijakos Micotakis që i kombinoi kërkesat e tij me fushatën për zgjedhjet në Greqi.
“Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për ata me kombësi greke. Është e njëjta drejtësi. Nuk ka dy drejtësi. Me të metat dhe me barrën e tyre. Kështu që kam dëgjuar shumë dhe praktikisht kam preferuar të mos flasë, deri në mbarimin e zgjedhjeve të Greqi” tha Rama.
Pas kësaj, në Athinë u mblodh një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor, por për shkak të Belerit, nuk pati ftesë për Edi Ramën. Që nga dita e parë, ambasadorë, ministra dhe të dërguar të qeverisë greke kanë ndjekur në mënyrë rigoroze gjyqin në Tiranë dhe në Vlorë. Presioni grek ka ardhur në kontrast me braktisjen që shteti shqiptar i ka bërë qindra, në mos mijëra shtetasve të tij që përballen me drejtësinë në Greqi dhe ku asnjëherë një qeveri shqiptare nuk e ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Gjithsesi ky presion nuk dha rezultat. Madje për t’i treguar grekëve se arrestimi i Belerit nuk frymëzohej nga ndonjë ndjenjë nacionaliste, Rama dha një shfaqje në kufijtë e servilizmit në Derviçan, kur inauguroi bustin e babait të kryeministrit Micotakis. Gjatë ceremonisë në Derviçan, Rama u foli të pranishmëve në greqisht dhe mbajti një fjalim ku vlerësonte kryeministrat grekë ndër vite. Por Fredi Beleri mbeti në burg.
Ankesat në BE për Belerin
Duke parë se presioni i drejtpërdrejtë nuk funksionoi, strategjia në ndihmë të Belerit ka ndryshuar. Nga imponimi i drejtpërdrejtë ndaj Ramës, kërkesat e Greqisë u përqëndruan në kancelaritë perëndimore dhe në kushtëzimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në Samitin e Berlinit, Micotakis e bëri të qartë se Greqia do ta pengojë hapjen e kapitujve për Shqipërinë, nëse kreu i bashkisë së Himarës nuk lejohet të betohet.
“Është e rëndësishme që Beleri të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës që të largohet kjo hije që ndikon mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. Zgjidhja e kësaj teme është një kusht i domosdoshëm që Greqia të bije dakord për nisjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj dhe lutem që ky problem të zgjidhet në vazhdën e frymës së mirë të bashkëpunimit që të mos ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve” tha Micotakis në Tiranë.
Por edhe kjo strategji e grekëve duket se nuk ka gjetur mbështetje. Media greke Ta Nea ka publikuar sot një reagim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë që thotë se “bilateralizimi i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm”
“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri , aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare. Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri. Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së. Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. Bilateralizimi i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm” citohet në lajmin e Ta Nea.
Me pak fjalë, Gjermania thotë se nuk do të lejojë që tekat apo përplasjet mes ballkanasve të pengojnë politikat e zgjerimit. Pasi i ndryshoi emrin Maqedonisë për hapjen e negociatave, nxjerrja e një problemi tjetër me Shqipërinë e tregon Greqinë si një shtet tekanjoz, që bëhet pengesë për integrimin e fqinjëve.
Prandaj dhe pak ditë më parë, ministri i jashtëm i Greqisë, Papastavrou e mohoi këtë këndvështrim të ngjarjeve: “Ka shtete anëtare që thonë se çështja është dypalëshe. Dhe jo vetëm e thonë këtë, por pretendojnë se është i papranueshëm bilateralizimi i hyrjes së Shqipërisë në Evropë. Unë them se kjo është një qasje e gabuar […] çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit ligjor”,– tha ai.
Në progres-raportin për vitin 2023, çështja Beleri ishte përshkruar si një burim tensionesh dhe që ngrinte shqetësime serioze, por edhe aty i lihej drejtësisë për ta zgjidhur. Në këtë pikë, kryeministri Rama tregohet i kujdesshëm, por herën e fundit që komentoi mundësinë e betimit të Belerit, tha se shpresonte që gjykata të merrte vendim, para se të merrej vendim për negociatat në dhjetor. /Lapsi.al