Home Gjeo-Ekonomia Raporti, rreth 30% e qytetarëve të Kosovës pritet të emigrojnë në tre...

Raporti, rreth 30% e qytetarëve të Kosovës pritet të emigrojnë në tre muajt e parë të vitit

28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024. Grup-mosha nën 24 vjeç përbën kategorinë më të prirur për të emigruar. Kurse, që nga viti 2012 e deri në vitin 2022 nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë

Bazuar në një anketë të realizuar në dhjetor të vitit të kaluar Instituti GAP ka vlerësuar se 28 për qind e qytetarëve të Kosovës do të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024, pas liberalizimit të vizave dhe se shumica destinacion e kanë Gjermaninë.

Sipas raportit me titull “Prirja për emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, sektorët që do të preken më së shumti nga largimi i punëtorëve janë ai i ndërtimtarisë, gastronomisë, tregtisë dhe prodhimit.“Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta”.

Në raport, mes tjerash, thuhet se në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë teksa gjatë vitit të kaluar kanë vërejtur se ka pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë thënë se kanë pasur rritje të pagave.

Sipas të anketuarve arsyet ekonomike janë shkak i vendimit për të emigruar teksa destinacionet e tyre janë Gjermania me 71.4%, ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%.

“Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar. Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%)”, thuhet në raport.GAP në këtë raport ka bërë të ditur se që nga viti 2012 e deri në vitin 2022 nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë./Monitor

Share: