Italianët përbëjnë një pjesë të madhe të një tregtie turistike në rritje dhe gjithnjë e më fitimprurëse. Turistët italianë mbërrijnë në Shqipërinë fqinje me fluturime, që shpesh i kapin në ofertë ose me traget, nga 80 km larg përtej detit Adriatik. Ata janë joshur të vizitojnë Shqipërinë nga plazhet me rërë, peizazhet skenike dhe çmimet shumë më të lira se në destinacionet e tjera më të pasura të pushimeve mesdhetare si vendi i tyre, Spanja dhe Franca. Mes dhjetëra mijëra italianëve që pushuan në Shqipëri në korrik ishte edhe kryeministrja Giorgia Meloni.
Turistët italianë përbëjnë grupin e dytë më të madh të shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë 11 muajve të parë të 2023, pas shqiptarëve të Kosovës që zënë vendin e parë të vizitorëve. Sipas të dhënave zyrtare përgjatë periudhës Janar-Nëntor e kanë vizituar 872 mijë italianë.
Shumë italianë zgjedhin Shqipërinë për të studiuar, për të punuar, për turizmin dentar dhe estetik, për të kaluar pleqërinë në rastin e pensionistëve të vendit fqinj, por dhe artiste italianë janë të pranishëm në jetën artistike dhe kulturore të vendit tone. Gazetari Artur Nura, botues i portalit online dygjuhësh shqip-italisht Përqasje, analizon këto shkëmbime në rritje mes Shqipërisë dhe Italisë në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës.
CMG: A është Shqipëria zbulim i një vendi të ri për italianët?
Artur Nura: Në aparencë padyshim mund të themi që Shqipëria është një zbulim i ri i italianëve, por si gazetarë nuk mund të shohim vetëm pjesën sipërfaqësore, ndaj duhet të bëjmë një analizë të plotë. Në planin sipërfaqësor ne kemi shifra dhe statistika, të cilat tregojnë për shumë italianë që po vijnë në Shqipëri. Tashmë në Itali ndodhen mbi gjysmë milioni shqiptarë, duke iu referuar të dhënave zyrtare. Këta shqiptarë jetojnë me dokumenta të rregullta në Itali. Ndërsa ata që vijnë këtu, po t’i referohemi shifrave zyrtare nëpërmjet regjistrimit në Ambasadën italiane janë rreth dy mijë.
Në fakt, mjafton të dalësh në rrugët e Tiranës, Vlorës, Lezhës apo Durrësit e Fierit dëgjon italisht sikur të jesh në Romë apo Napoli.
CMG: Madje dhe në restorante apo kafene ndjehet prania e turistëve italianë.
Artur Nura: Po, gati 20 për qind e klientëve janë me shtetas italianë.
CMG: Po insistoj në pyetjen që ka 30 vjet që Shqipëria është hapur për gjithë botën. Pse e zbuluan pikërisht tani vendin fqinj italianët?
Artur Nura: Ka disa element. Zbulimi është për shkak të situatës ekonomike të vështirë në Itali dhe kjo është themelorja. Në Itali, të paktën në jug të saj turizmi është shumë efektiv, por një pjesë e italianëve erdhën të bënin pushimet në Shqipëri sepse bënë llogari dhe aty kishin rritje çmimesh për shkak të krizës. Pra italianët kanë bërë një zgjedhje të menjëhershme, pa iu futur analizave. Një pjesë e tyre kur kanë ardhur në Shqipëri kanë mbetur të kënaqur dhe do të rikthehen. Sigurisht që ka dhe të pakënaqur sepse disa nga shërbimet hoteliere apo të restoranteve tek ne nuk janë në nivel të dëshirueshëm.
Kemi diçka pozitive që tek ne vazhdon të jetë ushqimi bio, kemi mikpritjen tradicionale.
CMG: Besoj se dhe njohja e gjuhës italiane nga shqiptarët ndikon pozitivisht në këtë rast
Artur Nura: Në gjuhë kanë filluar të hasin vështirësi në fakt sepse ata që u ofrojnë shërbimet janë të rinj, të cilët nuk dine italisht, ndryshe nga brezat më të rritur që e njohin atë. Të rinjtë shqiptarë flasin më shumë anglisht.
Ka dhe një element tjetër që është performanca e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili është italishtfolës, njohës i historisë italiane dhe kulturës.
CMG: Mes këtyre mijëra italianëve që kanë ardhur për pushime në Shqipëri ishte dhe kryeministrja Giorgia Meloni
Artur Nura: Në fakt qëllimi i vizitës së saj ishte për arsye politike, që u pane më vonë. Ajo shkoi në një zone turistike dhe i bëri promovim asaj zone, duke influencuar te italianë që kanë vizituar dhe do të vizitojnë Shqipërinë.
CMG: Edhe mediat italiane jo vetëm gjatë vizitës së kryeministres, e kanë në fokus tashmë Shqipërinë dhe zhvillimet e saj. Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë një marrëveshje për të strehuar në Shqipëri refugjatët nga vendet afrikane që kapen në brigjet italiane. Marrëveshja parashikon ngritjen e dy kampeve në Shëngjin dhe Gjadër, teksa kostot do të mbulohen të gjitha nga pala italiane. Pavarësisht kundërshtimeve që ka patur nga opozita shqiptare dhe ajo italiane, a tregon kjo marrëveshje një bashkëpunim të një niveli më të lartë se më pare të të dy vendeve?
Artur Nura: Politikisht në Itali beteja më e vështirë e kryeministres Meloni është përballja me këtë situatë, sepse ka patur një qëndrim konservator ndaj zhvillimeve, të cilën e majta për ideologjinë e saj nuk e ka pasi respekton të drejtat themelore dhe kërkon të mikpriten dhe kostot padyshim. Ne si shqiptarë kemi një histori të ngjashme në vitet 90-të me Italinë pasi shqiptarët kanë shkuar me anije, ka patur drama, por janë mirëpritur nga italianët.
CMG: Mediat shqiptare e kanë mbuluar këtë marrëveshje, me artikuj rreth pritjes së refugjatëve në veriperëndim të vendit, në periferi të Lezhës. Ka patur disa protesta, por më së shumti banorët e intervistuar nga mediat shqiptare kanë qenë pro ardhjes së refugjatëve, duke kujtuar faktin se shqiptarët e njohin shumë mire emigracionin për një jetë më të mire.
Artur Nura: Unë kam bashkëpunuar me televizionin italian RAI 3 lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për refugjatët dhe kemi të bëjmë me një kamp dhe në port është zona tranzitore e mikpritjes së këtyre refugjatëve ku do të realizohet regjistrimi dhe vizitat mjekësore. Ata nuk do të rrinë më shumë se 24 orë në port, i cili është shumë i vogël.
CMG: Për sa i përket kontributit në Bashkimin Europian për parandalimin e flukseve migratore, Shqipëria ka bërë një punë shumë të mirë për t’u vlerësuar
Artur Nura: Kryeministri Rama në vazhdimësi në kanalet televizive italiane ku ka qenë i pranishëm i është referuar mikpritjes tradicionale shqiptare ndaj hebrejve, por dhe të ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë në Luftën e Dytë Botërore. Shqipëria ka një histori dhe të tanishme me strehimin e të vetmes opozitë iraniane të grupit muxhahedin, por dhe të refugjatëve afganë dhe ky është një projekt i suksesshëm. Si gazetar edhe me ta kam bërë një dokumentar për një kanal televiziv franko-gjerman ARTE për shtetasit afganë që ndodhen tranzit në Shqipëri dhe do të largohen.
Ka një mikpritje tradicionale shqiptare, së cilës kryeministri Rama me të drejtë i është referuar.
CMG: Shkëmbimet në tregti, kulturë, arsim dhe shëndetësi kanë shënuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit midis Shqipërisë dhe Italisë. Në kulturë këtë vit ka patur koncerte të këngëtarëve italianë, por dhe bashkëprodhime
Artur Nura: Kemi Festivalin e Këngë në RTSH ku elementi teknik dhe regjizorial, por kemi dhe një prezencë italiane të vazhdueshme në Teatrin e Operas dhe Baletit. Gjithashtu ka një institucion të rëndësishëm italo-shqiptar për të cilët duhet të jemi krenarë, siç është historia e arbëreshëve që kanë ruajtur për më shumë se 5 shekuj gjuhën, traditat, veshjet, kulturën shqiptare. Për këtë duhet t’i jemi mirënjohës dhe Italisë që e ka lejuar këtë.
Arbëreshët janë një instrument dinamik i kësaj ure komunikimi. Në Javën e Kulturës Italiane që u zhvillua në Tiranë një ditë iu dedikua arbëreshëve
CMG: Arbëreshët kanë qenë shumë të pranishëm gjatë këtij viti në Shqipëri, mjafton të kujtojmë festimet për 28 nëntorin, festën e pavarësisë dhe parade ku parakaloi diaspora shqiptare, ishin pjesë e rëndësishme arbëreshët.
Artur Nura: Patjetër
CMG: Një tjetër fushë ku ka një fluks shtetasish italianë në Shqipëri është turizmi shëndetësor. Në klinikat shqiptare ka mjekë italianë
Artur Nura: Në fakt ata vijnë për shkak të eksodit mjekësor që është i njohur tashmë në vendet e zhvilluara, ku mjekët si profesioni më i kërkuar zgjedhin të shkojnë në vende ku paguhen më shumë. Në rastin e Shqipërisë duket se në spitalet private mjekët e ardhur nga Italia fqinje paguhen më mire se në vendin e tyre.
CMG: Një tjetër element tek turizmi shëndetësor është ardhja e italianëve për turizmin dentar si dhe në klinikat estetike të ndërhyrjeve dhe mbjelljes së flokëve. Kjo për shkak se në Shqipëri kostot janë më të ulta.
Artur Nura: Tashmë janë krijuar dhe agjenci turistike dentare apo shëndetësore. Pra qytetarët italianë ndërsa marrin shërbime dentare apo estetike vizitojnë dhe Shqipërinë për disa ditë. Disa prej tyre marrin ambjente me qira, apo qëndrojnë në hotel dhe konsumojnë duke u kthyer në një motor ekonomik të rëndësishëm.
CMG: Ka ndërkohë një numër të konsiderueshëm pensionistësh italianë që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri.
Artur Nura: Bëhet fjalë për 3500 italianë, të cilët kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri, sepse këtu nuk u vendosen taksa pensionit të tyre dhe me një pension qoftë dhe modest në Itali, ata në vendin tone mund të jetojnë mire.
CMG: Besoj se zonat bregdetare të Shqipërisë preferohen më shumë nga pensionistët italianë
Artur Nura: Po. Durrësi ka një prezencë mjaft të rëndësishme, por edhe Vlora dhe Saranda gjithashtu. Ndërkohë ka pensionistë italianë që jetojnë në Fier dhe Tiranë.
CMG: Të qenit mjaft afër gjeografikisht mendoj se ndikon, sepse janë linjat e trageteve nga Bari dhe Ankona apo udhëtimi me avion që zgjat rreth një orë.
Artur Nura: Jemi afër dhe nga kultura. Por edhe udhëtimet tashmë me fluturime me linja ekonomike ndikojnë. Janë motorë ekonomikë që ndihmojnë ekonominë shqiptare.
Intervistoi Eda Merepeza/CRI.CN