Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç. Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.
Ndërkohë që në orët e hershme të ditës së sotme familjarë e qytetarë të shumtë kanë nisur homazhet në Reçak, në nderim të 45 civilëve të cilët u vranë dy dekada e gjysmë më parë.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë nderime te varrezat e të rënëve në Masakrën e Reçakut, nga ku është shprehur se drejtësia i jep kuptim paqes e lirisë. Ajo ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, duke theksuar se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.
“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë ajo.
Osmani ka theksuar se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, përveçse e mohon masakrën, po arreston dhe torturon ata që vendosin lule mbi varret e fëmijëve të luftës.
Ndërkohë gjatë ditës tek varrezat në Reçak do të bëjnë homazhe edhe kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, krerë të partive opozitare e aktorë tjerë politikë. Pas homazheve, duke filluar nga ora 09:30, të njëjtit do të marrin pjesë në Akademinë Përkujtimore, e cila organizohet për çdo përvjetor.