Home Gjeo-Ekonomia Dy gisht kartë, me shumë përunjësi, Shkëlqesisë së tij, Sekretarit Amerikan të...

Dy gisht kartë, me shumë përunjësi, Shkëlqesisë së tij, Sekretarit Amerikan të Shtetit, që sot bëri dritë këtej nga sanxhaku ynë!

Nga Armir Shkurti

I dashur Andon Pasha, tungjatjeta!
Nuk e di mirë se si ndahej piramida feudale në Perëndim dikur, por në perandorinë tonë osmane, Pashai ka qenë zot e shkop i sanxhakut ku qeveriste. Ndaj më rri bukur të të them Andon Pasha, fort i ndritshëm Sekretar Amerikan i Shtetit.
Që Lartësia juaj ta ndjente gjithë peshën e titullit “Pasha”, këta eunukët e haremit tonë morën gjithë masat. Si fillim , zbrazën gjithë qytetin nga njerëzit. Që nga 17 maji 1941, kur një djalosh nga Bregu, Vasil Laçi, qëlloi mbi mbretin e Italisë, në sanxhakun tonë nuk ka bërë vaki ta shpjerë ndërmend ndonjëri të shtjerë mbi udhëheqës të huaj, pale ta bëjë. Ne për të huajt kemi një adhurim më shumë se për Perëndinë. I kemi lëpirë bythën me qejf që nga turku e deri tek serbi, rusi, kinezi, pa diskutuar Amerikën. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” – ju deklaroi qëparë kryeeunuk i haremit tonë, Edi Rama, në konferencën e sotme për shtyp, duke e vjedhur këtë koncept nga Kanuni. Më moderne do kish qenë: “Shtëpia e shqiptarit është Zotit dhe e Amerikës”, ku me Zoti (kur mbyll sytë Amerika) nënkuptohet udhëheqësi: nga Enveri tek Edvini.
I shtrenjti Andon Pashë!
Me shpirt të hidhëruar ju bëj me dije se adhurimi për vendin tuaj vit pas viti ka rënë fare përdhe. Kur shkeli dheun tonë Xhejms Bejker, mes një populli të uritur, rreckosur dhe indoktrinuar se SHBA ishin djalli mbi tokë dhe gjaksi numër një i shqiptarëve, ai pati mikëpritjen më entuziaste, më masive e më emocionuese në botë. I rrethuar nga dhjetra mijë shqiptarë , ku Secret Services, të ngarkuar me mbrojtjen e tij, dolën jashtë loje. E megjithatë ai që më i mbrojtur se kurrë! Kur presidenti Xhorxh Bush zbriti në Fushë Krujë, populli u ngjesh e u shty thjesht për ta prekur dhe për ta uruar. Sot Tirana e shtetrrethuar nuk parandaloi ndonjë llavë entuziazmi popullor. As ndaloi ndonjë tubim fansash. Aq më pak ndonjë plan sulmi a dhune ndaj jush. Thjesht paria provinciale ju dha shfaqjen që adhurojnë të ofrojnë bejlerët tanë: t’u tregojnë pashallarëve dhe botës se këtë mut mileti e kanë nën zap. Mjaft të ngrenë vetullën dhe xhandarët zbrazin kryeqytetin në çast. Nëse kthehesh pas ca vitesh, nuk do kesh nevojë as për zaptije as për xhandarë. Kaq njerëz sa pe sot do të kenë mbetur realisht atëhere.
Ju rrëfeva se në mënyrë katastrofale ka rënë respekti dhe besimi i shqitarëve ndaj SHBA. E gjitha për fajin tonë. Ky popull ka patur një shtyllë hyjnore morali e ligji. Kanunin. Edhe pas shumë shekujsh diçka ka precipituar nga rregullat , morali dhe tradita kanunore. Nga besa gjithashtu. Dua të them, pavarësisht kohës dhe pushteteve, ka mbetur, është ruajtur. Si popull primitiv që jemi, nëse ne ndërrojmë qoftë edhe një cigare duhan me dikë , e konsiderojmë mik. Mundet edhe të vritemi për të. Ende nuk e kemi kuptuar që SHBA ka të tjera parime. Sidomos politika. Ju nuk keni miq. Juve keni interesa. Dhe në traditën tuaj interesi është institucioni më i moralshëm. Nëmos vetë morali juaj. Si ai zyrtar ashtu edhe ai vetjak. Ndoshta kjo kontradiktë i ka zhgënjyer popullin tim. Kur shqiptarët shohin që ju mbështesni një sharlatan gjysmak duke e lënë të vrasë demokracinë e të instalojë një karikaturë diktature që është më djallëzore dhe perverse se çdo diktaturë klasike, ju mallkojnë nën zë. Ata që dolën në sheshin e Bejkerit në qershor 1991 janë të tradhëtuar në besimin se “SHBA është kampione e demokracisë”, “SHBA është eksportuese e lirisë dhe demokracisë në botë” kur dëgjojnë ambasadoren e vendit tuaj ti drejtohet partisë së opozitës me slloganin e Enver Hoxhës “edhe bar do të hani”. Kur dëgjojnë , në 2019 ambasadorin Lu të pranojë me entuziazëm zgjedhjet me një parti të vetme pjesmarrëse. Kur sheh se sot të gjithë pushtetet i ka në një dorë një individ i vetëm, për rrjedhim të të cilave më shumë se gjysma e popullit është arratisur nga kjo oligarki dhe totalitarizëm, ai djaloshi që qante nën tribunën e Bejkerit sot një gjysh me thinja ulërin i dëshpëruar dhe i tradhëtuar. Natyrisht, i tradhëtuar nga pritshmëritë, besimi dhe iluzionet e veta….
Fort i ndritshëm Pashai ynë Andon!
Në politikën tuaj rëndësia e sanxhakut tonë është vetëm stabiliteti. Të mos ndjehen vasalët për asgjë! As ciu as miu! Dhe këtë ua ka garantuar prej kohësh paria e Tiranës dhe ua rikonfirmoi me kulmin e arrogancës dhe përçmimit për vulgun arnaut edhe sot Edvin Beu.
Pra bëre shumë mirë që erdhe , Pasha i ndritshëm, por rradhën tjetër eja vetëm për qejf, për atë darkën shumë të shijshme që Edit tonë i mbeti pishman që s’e hëngre këtu, se shtypjen e hallkut, mbylljen e gojës dhe zbrazjen e sanxhakut e kanë shumë më fort merak këta këtu sesa Ju dhe Perandoria andej!
I përuluri juaj
Armir

Share: