Home Gjeo-Ekonomia Opozita serbe betohet në korridor, seanca përfundon në kaos dhe ofendime

Opozita serbe betohet në korridor, seanca përfundon në kaos dhe ofendime

Parlamenti i ri i Serbisë është konstatuar, në një seancë të mbushur me tensione. Përfaqësuesit e opozitës bënë betimin në korridoret e kuvendit, veçmas nga grupi i shumicës së kryesuar nga lista e presidentit Aleksandër Vuçiç, të cilin e akuzojnë se ka vjedhur zgjedhjet.

Gjatë seancës, ata ndërmorën një protestë simbolike duke paraqitur një pankartë të madhe me mbishkrimin: “Mashtrues, nëse doni ta grabisni sërish Serbinë, nuk do të mundeni”.

Më pas, shpërthyen ofendimet dhe vërshëllimat, me ligjvënësit e opozitës që iu afruan foltores duke e bllokuar atë. Në duar mbanin pankarta me mbishkrimet të tilla si: “Keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.

Deputetët e shumicës reaguan po ashtu me ofendime, por edhe duke duartrokitur për marrjen e mandateve. Kryeministrja Ana Brnabiç kritikoi opozitën duke thënë se ata punojnë kundër Serbisë.

“Poshtërimi më i madh për Serbinë është fakti se liderët e kësaj pjese të opozitës pasnesër do të jenë në Bruksel, ku do të jenë më të vegjël se fara e lulëkuqes! Aty do të duartrokasin eurodeputetët që do të miratojnë një rezolutë kundër Serbisë, në të cilën thonë më të keqen për vendin tonë. Të njëjtët deputetë që dënojnë Serbinë për mosnjohjen e Kosovës dhe Metohisë si shtet, që kërkojnë të ndëshkojnë Serbinë për shkeljen e rendit kushtetues të të ashtuquajturës Kosovë, të cilët kërkojnë të izolojnë Serbinë sepse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë.

Me këto skena kaosi, seanca konstituive u ndërpre. Lista Serbia kundër Dhunës në opozitë e konsideroi këtë një fitore. Vazhdimi i seancës pritet që të bëhet në ditët në vijim, ku duhet të zgjidhet kryetari i kuvendit, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, anëtarët e trupave punues dhe anëtarët e përhershëm të delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e kaluara, të kontestuara nga opozita dhe të kritikuar nga ndërkombëtarët për shkak të parregullsive, partia e Vuçiç fitoi e vetme shumicën duke marrë 129 deputetë nga 250 që janë në total. Shqiptarët, ashtu si legjislacionet e kaluar, përfaqësohen nga Shaip Kamberi./Opinion.al

Share: