Home KRYESORE Zyshë Ina do të kthehet në shtëpi/ Shqiptarët mbledhin dyfishin e shumës...

Zyshë Ina do të kthehet në shtëpi/ Shqiptarët mbledhin dyfishin e shumës për ta sjellë me charter në Vlorë

Në një kohë rekord, shqiptarët janë bërë bashkë ditën e djeshme, për të siguruar paratë e nevojshme për mësuese Ina Kasimati, e cila është duke u përballur me një sëmundje të rëndë në një spital në Francë.

Zysha, siç e njohin shumë qytetarë, duke marrë në konsideratë dhe këshillat e mjekëve francezë, kishte nevojë që të kthehej në vendlindjen e saj në Vlorë, me një avion charter, pasi i duhet të qëndrojë e lidhur me aparaturat, që mundësojnë qëndrimin e saj në jetë.

Për këtë fluturim asaj i duheshin 17 mijë euro, ndërkohë që shuma e mbledhur në më pak se 24 orë, është dyfishuar. Në një shënim në gofundme, thuhet se paratë që do të mblidhen përtej shumës së 17 mijë eurove, do të shkojnë për nevojat shëndetësore që ajo do të ketë në Shqipëri, si dhe për të ardhmen e djalit të saj të mitur.

Postimi i Kasimatit:

Unë jam Ina Kasimati, shumë më njohin si zysha, disa të tjerë si aktiviste, shumë të tjerë, si njeriun që po lufton fort për jetën. Prej dy javësh jam e shtruar në spitalin onkologjik të Strasburgut, Francë, ku po mbahem me tuba e sondë dhe kthimi në Shqipëri nuk mund të bëhet me avion, por vetëm me çarter mjeksor, pasi nuk mund të shkëputem nga aparaturat.

Ky çarter ka një kosto prej 17.000 euorsh (shtatëmbëdhjetë mijë euro).

Tash pas 2 vitesh kam nevojën tuaj, miqtë e mikeshat e mia, të njohur e të panjohur. Sëmundja e përbindshme në mua ka përparuar, aq sa metastazat kanë bërë dëmtimet e tyre. Besimi im më i fortë gjatë gjithë këtyre viteve ka qënë tek Zoti, dhe tek ju miqtë e mi, të njohur e të panjohur, të cilët para dy vitesh më dhatë mundësinë të kisha shpresë e të luftoja më shumë.

Kërkoj të kthehem në Atdhe, në Vlorën time, dhe kjo dëshirë e imja, u përkrah edhe nga mjeket, të cilët më deklaruan se ilaçi më i mirë për mua është familja ime. Mendja, shpirti im janë optimistë, sepse unë dua të jetoj, unë e dua jetën!

Unë kam besim tek fuqia e solidaritetit tuaj, që së bashku me birin tim, Amantin, i cili ka qënë forca ime më e madhe e çdo dite, të vijmë në Shqipëri të sigurt. Dhe ky kthim duhet të bëhet brënda 10 ditëve. Prandaj ju kërkoj me përulje, mirënjohje edhe njëherë të më ndihmoni të vij në Shqipërinë time.

Postimi i saj është shpërndarë dhjetra herë, ndërkohë që shqiptarët dhe njëherë tjetër kanë treguar bujarinë e tyre, në mbledhjen në kohë rekord të shumës së nevojshme. Zyshë Ina do të kthehet në shtëpinë e saj!/Lapsi.al

Share: