Aplikimet për të përfituar nga thirrja me masa mbështetëse “Grant 2024” do të qëndrojnë të hapura deri në fund të muajit Mars. Që startup-i juaj të jetë i financueshëm, duhet të përmbushë këto tre elementë kyç: të jetë fitimprurës, inovativ, si dhe t’i japë zgjidhje një problematike apo shërbimi të munguar të tregut.
E ftuar në “Wake Up”, ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka rikonfirmuar vlerat maksimale të financimit për të tre kategoritë përfituese të kësaj thirrjeje, mënyrën se si do të bëhet vlerësimi i projekteve për përzgjedhjen e fituesve, si dhe ndihmën që do të jepet në monitorimin dhe zhvillimin e tyre.
“Janë tre elementët kryesorë që do të shërbejnë për të bërë vlerësimin e ideve të biznesit. Në radhë të parë, duhet që subjekti që aplikon të jetë fitimprurës, çka do të thotë se nuk do të mbështeten projekte nga OJF për qëllime sociale. Elementi i dytë është që të gjendet një problematikë e caktuar në treg dhe t’i jepet zgjidhja; si dhe elementi i tretë është që duhet të jetë inovativ. Nuk duhet të jenë biznese tradicionale, si agroturizëm, hotel apo agjenci udhëtimi, por duhet të jenë biznese që sjellin një inovacion”, bën me dije ministrja Ibrahimaj.
Thirrja e këtij viti ka një vlerë prej 300 milionë lekësh dhe synon që të mbështesë tre faza zhvillimore të startup-it. Kategoria e parë janë të rinjtë dhe të rejat që kanë një ide, por që nuk janë të regjistruar si biznes, financimi i të cilëve do të bëhet maksimalisht deri në 1.5 milionë lekë të reja. Në grupin e dytë janë bizneset që kanë të paktën një vit që janë regjistruar, kanë dorëzuar një palë pasqyra financiare dhe kanë një prototip të zhvilluar, dhe kanë nevojë për financim për zhvillimin e këtij produkti dhe nxjerrjen e tij në treg. Kjo kategori mbështetet maksimalisht deri në 4.5 milionë lekë.
Kategoria e tretë janë bizneset më të konsoliduara që prototipin e tyre e kanë të zhvilluar, por që kanë nevojë për suport për ta komercializuar, për të shtuar prodhimin, apo për ta ndërkombëtarizuar, kategori e cila do marrë financim deri në 9 milionë lekë.
Ministrja thekson se në këtë proces, transparenca dhe profesionalizmi janë thelbësore. Procesi i përzgjedhjes së aplikimeve do të kryhet në mënyrë të drejtë dhe të pavarur nga ekspertë të fushave të ndryshme.
“Do kujdesem personalisht që të ketë sa më shumë transparencë në gjithë këtë proces. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi bërë një thirrje të hapur, për të përzgjedhur ekspertët që do të marrin pjesë në komisionet e vlerësimit. Pjesë e këtij komisioni do jetë një ekspert kombëtar, një ndërkombëtar, një nga akademia, drejtuesi i Agjencisë Startup Albania për shkak të pozicionit, po ashtu do të jetë edhe një punonjës i administratës publike. Do të jetë një komision i pavarur për vlerësimin e të gjitha aplikimeve të bëra”, sqaron Ibrahimaj.
Sipas saj, për të pakënaqurit do të ketë edhe një komision ankimimi. Komisioni i ankimimit do të jetë i pavarur nga komisioni i parë që ka bërë vlerësimin e tyre. Të gjitha këto do të jenë publike dhe do të shfaqen në faqen e Agjenicisë Startup Albania dhe Ministrisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Me fondin e vënë në dispozicion për këtë vit synohet që të mbështeten 55-80 subjekte. Nëse cilësia e aplikimeve është e lartë, ministrja shton se do të rishikohen të tjera mundësi për mbështetje financiare si nga qeveria, ashtu edhe nga donatorët e ndryshëm. Për secilin nga subjektet që do të financohet do të ketë edhe një mentor që do t’i ndjekë. Çdo biznes i ri ka nevojë për suport për trajnim administrativ, por edhe për të rafinuar idenë e vet pak më mirë.
“Po identifikojmë një listë me mentorë, që janë specialistë të fushave të ndryshme që punojnë jashtë, po dhe në vend, të cilët do të kenë takime javore me bizneset fituese, me qëllim që të diskutojnë mbi idetë, zhvillimet, ngërccet apo problematikat që bizneset do kenë, me qëllim që të japin eksperiencën e tyre. Do të jenë tipikë mentorë që do t’i suportojnë për zhvillimin sa më të mirë të projektit të tyre”, sqaron ndër të tjera ministrja Ibrahimaj.
Më tej, ajo shton se do të punohet dhe me ato subjekte që nuk janë fituese, por që kanë një potencial dhe mund të jenë fituese në thirrjet e ardhshme. “Të gjitha energjitë tona do të përqendrohen tek nxitja. Sa më të suksesshme të jenë këto biznese, aq më shumë do t’i shërbejnë klimës së biznesit dhe të të bërit biznes në vend”, shprehet Ibrahimaj.
360grade.al