Një vit nga beteja parlamentare, partitë e vogla i druhen një pakti mes dy forcave të mëdha që mund ti nxjerrë jashtë loje.
Agron Duka është i bindur se nëse Kodit Zgjedhor i bëhen vetëm arnime atëherë arenën politike në të ardhmen do e mbizotërojnë vetëm dy forca politike.
“Nëse duan ti bëjnë Kodit Zgjedhor një shartim shume të shëmtuar, nëse duan ta mbajnë kështu siç është, por me lista të hapura kjo pastaj mori fund fare. Ku do shkojmë pastaj ne me lista të hapura? Do shkojmë të futemi tek sigla PD apo Rithemelimit? Po ata na mundin tek sigla e vet . Koalicionet nuk njihen, me lista te hapura na thonë.
Kujtojnë se na hapin listat dhe na bëjnë nder. Me hap listat siç janë ku do shkojmë ne? Asnjë parti përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk ka për të ekzistuar më”, tha Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zyrtare dështuan te hartojnë një ligj te ri zgjedhor. Debati për reformën pritet të zhvendoset në një strukturë të re brenda Kuvendit, por idetë sesi duhet të jenë rregullat e reja elektorale nuk mungojnë as nga palë të treta.
“Të bëhen ato ndryshime të cilat do të rregullojnë zhvillimin e demokracisë së brendshme në partitë politike, dhënien fund të epokës së kryetarokracisë dhe të bëhen rregullime që do të krijojnë mundësinë që të rritet përherë edhe më shumë transparenca në veprimtarinë e partisë politike dhe veçanërisht pastaj në financimin e partisë politike”, tha Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ.
Ish-kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve prezantoi paketën për ndryshmin ne ligjin për partitë politike që rrit demokracinë e brendshme të subjekteve politike dhe që i mbyll derën financimeve te huaja.
Top Channel