Foto cover nga Xinhua
Xi Jinping, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, theksoi në mbledhjen plenare të delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe të Forcave të Policisë së Armatosur në sesionin e dytë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore të enjten pasdite se aftësitë strategjike në fushat e reja janë një pjesë e rëndësishme e sistemit dhe aftësive strategjike kombëtare. Ato lidhen me zhvillimin cilësor të ekonomisë dhe shoqërisë kineze e me nismat e sigurisë kombëtare dhe të betejave ushtarake, dhe kanë rëndësi të madhe për promovimin e gjithanshëm të ndërtimit të një vendi të fortë e të përtëritjes kombëtare nëpërmjet modernizimit të stilit kinez. Sipas tij, duhet të forcohet përgjegjësia e misionit, të thellohen reformat e risitë dhe të rriten në mënyrë të gjithanshme aftësitë strategjike në fushat e reja.
“Që prej Kongresit të 18-të, ne kemi bashkërenduar zhvillimin e industrive të reja strategjike e të forcave të reja luftarake dhe kemi arritur një sërë rezultatesh madhore. Pas Kongresit të 20-të, Komiteti Qendror i Partisë, duke u nisur nga perspektiva e përgjithshme e promovimit të zhvillimit me cilësi të lartë, propozoi qartë përshpejtimin e zhvillimit të forcave të reja prodhuese cilësore. Kjo ofron një mundësi të rrallë për ndërtimin e kapaciteteve strategjike në fushat e reja,” tha ai.
Xi Jinping-u theksoi gjithashtu nevojën për t’i dhënë përparësi zhvillimit dhe zbatimit të planeve të lidhura me krijimin e kapaciteteve strategjike në fushat e reja. Sipas tij, duhet të bashkërendohen përgatitjet për betejat ushtarake detare, mbrojtjen e të drejtave e interesave detare dhe zhvillimin e ekonomisë detare, të optimizohet konfigurimi hapësinor dhe të promovohet ndërtimi i sistemit hapësinor të Kinës, të ndërtohet një sistem i mbrojtjes së hapësirës kibernetike dhe të përmirësohet aftësia për të ruajtur sigurinë kibernetike kombëtare. Po ashtu, duhet të forcohet planifikimi dhe zbatimi i përgjithshëm i projekteve madhore të teknologjisë inteligjente dhe të forcohet zbatimi i rezultateve të përparuara.
Xi Jinping-u vuri në dukje po ashtu se zhvillimi i fushave të reja vjen në thelb nga inovacioni dhe zbatimi i shkencës dhe i teknologjisë. “Ne duhet të rrisim besimin tonë në inovacion, të nisemi nga realiteti, të promovojmë fuqishëm inovacionin e pavarur e origjinal dhe të nxitim rritjen e forcave të reja prodhuese cilësore për një efektivitet të ri luftarak cilësor,” u shpreh ai. (Çang Çuo)/Artikulli dhe foto është ofruar nga CRI.CN