Home KRYESORE POETJA KINEZE PEIYING CHRISTINE CHEN DHE VARGJET E SAJ NË GJUHËN SHQIPE

POETJA KINEZE PEIYING CHRISTINE CHEN DHE VARGJET E SAJ NË GJUHËN SHQIPE

Sot sjellim për të gjithë lexuesit e vargjet e poetes kineze Peiying Christine Chen

Peiying Christine Chen lindur në Kinë është Kryeredaktore e revistës “Mandarin Page” në Zelandën e Re. Chen është nominuar si “Autorja më e mirë e huaj 2023′” – Çmimi i Letërsisë Italiane i edicionit XXX  “Ossi Di Seppia”. Ajo fitoi gjithashtu çmimin e parë në Konkursin e 2-të Ndërkombëtar të Poezisë “Azia Letrare” (gjuha kineze). Në vitin 2022, Chen mori pjesë në organizimin dhe botimin e Sydney International Poetry Festival në Australi ku u vlerësua me Certificatën “Special Contribution Award”. Chen është dy herë fituese e “New Zealand Literature Award” (letërsi kineze) në vitin 2018 dhe 2019. Në vitin 2023, redaktores Chen iu caktua roli i koordinatores së “Lëvizjes Botërore të Poezisë Oqeania.” Në vitin 2023, ajo u intervistua nga revista “Letërsia kazake” në të cilën u intervistua për të prezantuar përvojën dhe përpjekjet e saj në përkthimin dhe promovimin e letërsisë së Azisë Qendrore. Chen është anëtare e Komitetit të Shoqatës së Shkrimtarëve Kinezë të Zelandës së Re. Poezitë e saj të fundit janë botuar në gjuhën kineze (Tajvan, Kinë, 2023)

DUKE KËNDUAR AGAPANTHUS

Të lutem, nisu tani
Më lër të të shoh nga larg,
Të vëzhgoj rrjedhën e diellit dhe hënës
E shkëlqimin e yjeve.

Vrraga lë uji,
Patat gagarisin kur kalojnë

Butësinë dua të frenoj
Shenjat që ke lënë.
Të lutem vazhdo të ecësh përpara,
për të arritur deri në ditët e reja
duke braktisur të vjetrat.

Lër që bluja e shndritshme 
E vetme të qëndrojë,
Përveç të kuqes, portokallisë, së verdhës,
së gjelbrës dhe ujit.

Duke qëndruar e vetme
pranë këmbanave sezonale
dhe nga cicërimat kolektive të gjinkallave
Koha përparon në përbashkësinë e saj: Njësia
Por unë pas teje rri
për të vështruar teksa vazhdon
kokën mbrapa ta kthesh.

Ti je në anën e bashkëmoshatarëve të tu
Kaq ndryshe nga të tjerët: me tipare,
Mish dhe gjak, i gjallë e konkret.

Ti, vezullues si një yll,
Syrin ma shkel.
Buzëqesh, të arrij dhe në krahë më merr.

Pafundësia fundësi bëhet
Abstrakti kthehet në konkret,
Në një çast…
Duke e mbajtur në pëllëmbë të dorës,
fort…
Oh, je i imi: një fije blu reale
Ti thua: po, e dua!

Shënim:
Agapanthus lulëzojnë mrekullueshëm në Zelandën e Re në kohën e Krishtlindjeve me një blu të shndritshme. Në greqisht emri i agapanthus (zambakut) do të thotë “lule e dashurisë” dhe gjuha e luleve është: “dashuria ka mbërritur”.

TË GJITHË PËSHPËRISIN

Para se një poezi të bëhet poemë
Një dre përplaset
Në momentin e fundit
kur shishja e qelqit rrëzohet.

Ulërimë!
Fluturat shpërndahen,
Drita e bardhë ndër flakë shpërthen
Derisa gjethet me hijeshi të shtrihen.

Piktura e një natyreje të vdekur
Para se vetvetva të bëhej.
Ujërat e liqenit trazohen,
Trupat përkunden me valët
Zhytje! Një balenë shfaqet
Shtrati i oqeanit, i mbuluar me drita shkëlqyese
Derisa batica nuk largohet,
Në tokë perëndon hëna

Toka që drejt kodrave ngrihet
Pyjet e qeta malore ushqen.

Si në majë të gishtave kalon koha
Ëmbëlsisht dhe konstante
Në mantelin e mëndafshtë, ndalon,
Reflekton dhe përpiqet të kuptojë…

Blu është qaforja jote
Bota në shkëlqim,
Çdo gjë kaq ëmbël gumëzhin

Mbaj frymën… dëgjoj
Këngën e ëmbël të shpirtit.

NJË QYTET, NJË PERSON

Fantazma shuan fenerët,
Zoti i ndez
Duke mbajtur lart pishtarin
Dikush me hapa të shpejtë afrohet.

Nëpër rrënoja ecën
në një qytet të shkatërruar hyn
Në rrugica të thella dhe të pafundme.

Teksa zgjatem, majat e gishtave
qaforen tënde prekin
me frymën tënde ngopet ajri.

E trullosur dhe e pakapshme
E përqafuar nga drita dhe hija,
Trupi im ikën fluturimthi…

Pika – pika shkrihet qiriu
Në qiell një qytet shfaqet
Porsi hëna që lind në det,
Ovale e shndritshme.

Ngrihen baticat,
Valët përplasen
Në kullën e vjetër të sahatit,
Hije të zbehta njerëzish.

Disa ngrenë kupat hënën për ta ftuar,
Të tjerët ëmbëlsisht këndojnë
Akoma të tjerë me fantazmat kërcejnë
Të gjithë kanë ardhur!

Ding, ding, ding
Në orën 12:00 dëgjohet sahati 
Akrepat e orëve
Minutave dhe sekondave konvergjojnë…
Karroca në thellësinë e bebëzave
menjëherë vrapon
Uji i detit përvëlues, ripërtërihet
Hap sytë…
Shtrat me dritë hëne
Njolla të lëna prej qirinjve
në jastëkun ende të ngrohtë.

Dhemb paksa trupi
Një qytet, një person, këtu ka qenë.

Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, promovuese

Share: