Home Approccio Italo Albanese “Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të vajzës…” Klarida,...

“Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të vajzës…” Klarida, historia e një gruaje që lindi disa herë

Kjo nuk është historia e një GRUAJE dosido… Kjo është historia e një profesoreshe universitare shqiptare në Itali, e cila para se të bëhej e tillë e rinisi jetën si pjatalarëse, kurse sot vlerësohet me çmime prestigjoze ndërkombëtare për karrierën e kontributin e saj… Kjo është historia e një luaneshe që luftoi 11 vjet për të patur të birin pranë, pasi vendosi t’i thoshte dhunës STOP

Jetoi 11 vjet me një dorë kujtime dhe një kanatiere. Kaq kishte nga i biri…

Aq shumë i mori erë, sa në fund dhe rroba vinte veç era mall e mungesë përvëluese.

Atë një pëllëmb kanatjere ja kishte hequr nga trupi të birit 4 vjeç, e kishte futur në çantë dhe me zemrën që mend po i çahej në katërsh, kishte hapur derën pa kthyer kokën, për të lënë gjakun e zemrën e saj pas. Kërthinë, ja besoi bashkëshortit… Ajo dinte që veç duhej e donte të ikte, të iktee, të ikteee…

Nga vajza 6 vjeç, të cilën ja la amanet prindërve, mori një fustan, një përqafim dhe natyrisht që ju bëri një premtim: Do të kthehej për t’i marrë fëmijët, gjallë a vdekur…

Ishte tetor 1991…

Ajo 22 vjeç, nënë e dy fëmijëve, “peng” i një martese me mblesëri, ku dhuna, kryesisht verbale e psikologjike, ishte “bujarisht” e pranishme, aq sa gruas së re t’i vinte shpirti për të dalë dhe të merrte vendimin ekstrem: të linte dy fëmijët, dy dritat e saj të syve, dy dashuritë e pakushte pas për të kërkuar pak fat për të tre…

“Kisha në xhep veç kanatjerën e djalit, fustanin e vajzës, disa lekë shqiptare që pas pak orësh do e kuptoja që nuk i duheshin dreqit gjë dhe kurajon që më vinte nga fëmijët. Isha “qyqe vetëm” në fatin tim, kur vendosa të hypja në një nga anijet e pasagjerëve që po niseshin drejt Italisë. Gjatë udhëtimit klandestin qaja nën zë dhe dola nga “vrima e miut” ku isha futur pas shumë orësh, kur kuptova që kisha arritur në “tokën e premtuar”. Një vajze shqiptare i rrëfeva historinë e kokëkrisjen time për të ikur vetëm pa fëmijët, për t’i shpëtuar dhunës e për t’ia nisur nga zero në një vend ku nuk dija as si thuhej mirëdita…

Ajo vajzë, të cilën as e kam takuar kurrë më dhe as emrin nuk ja mbaj mend, u bë ëngjëlli im. Më shpëtoi nga kampi i refugjatëve, duke më dërguar direkt në një kuvend murgeshash dhe nga aty direkt në Romë, pranë një familje që do të bëheshin prindërit e mi të dytë…”

Gruaja e lindur dy herë

“Unë kam lindur dy herë; më 14 maj 1969 në Vlorë dhe 11 tetor 1991, kur Italia me ‘adoptoi’ dhe më dha një jetë.”"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan tëKlarida Rrapaj në vitet e para të emigrimit

Quhet Klarida Rrapaj dhe emigrimin e nisi veç me një barrë pengje, dhimbje, vuajtje dhe … një bllok shënimesh. Aty shënonte çdo fjalë të re që dikush i thoshte sa herë thërriste emrin e saj, ndërkohë që kishte ulur kokën e ishte shtruar në punë, duke larë qindra pjata në ditë për të nxjerrë bukën e gojës.

“Sa herë më kërkonin diçka dhe nuk e kuptoja se çfarë ishte, merrja në krahë gjithçka më zinin llërët dhe turresha drejt atij që më fliste, se nuk kisha mënyrë tjetër të kuptoja nëse donte lugë, thikë, pirun, pjatë apo qoftë edhe gotë. Në atë bllok, në atë guzhinë të restorantit të familjes sime të re adoptive, u bëra prapë “bebe” dhe nisa të mësoja çdo ditë fjalë të reja që në darkë i shkruaja në bllok. Fjalët ja lanë vendin fjalisë, e fjalitë më pas mendimeve të kulluara të një gruaje të mençur, fort të sfiduar nga fati.

Rilindja

Shumë shpejt Klarida la pjatat dhe doli në banak e sallën e restorantit, duke ju shërbyer klientëve, duke perfeksionuar komunikimin, falë dhe një mësueseje italiane që vinte të hante në restorantin ku ajo punonte. Më pas ajo mori në dorë dhe menaxhimin e restorantit… Por, këto ishin vogëlsira në raport me atë që ajo kalonte kur mbyllej dita punës, vinte vetmia dhe ishte larg fëmijëve…

Disa vite pas ikjes, rreth 6 vjet shumë të gjatë, ajo arriti të merrte vajzën në Romë, por jo gjysmën e zemrës së saj; djalin që e kishte lënë 4 vjeç. Përballë ishte refuzimi i ish-burrit, i cili derisa djali bëri 15 vjeç mundësoi pak ose aspak takimet mes tyre.

Adoleshent, biri theu mitin e krjuar rreth tij se nëna nuk e donte dhe i doli përballë babait, nënës, fatit…

Biri vs ati, që s’mund të humbiste dhe djalin pas vajzës dhe ish-gruas 

Biri vs nëna, që veç 1 herë e kishte mbajtur në krahë në 11 vitet e fundit…

Klaridë, si ishte të rikishe djalin në krahë? Klaridë si ishte ta përqafoje? Klaridë, si ishte të kishe një të “panjohur” të shumëdëshiruar e shumëmunguar pranë? Klaridë a kishe frikë? Klaridë, a kishte mllef? Klaridë a dije të prindëroje edhe për një burrë që tashmë do të mungonte në jetën e atij djali në përditshmëri? Klaridë të kuptonte, kishte FALUR?  

“Oooh sa frikë kisha, tmerr frikë! Im bir erdhi në krahët e mi adoleshent dhe unë nuk e dija as nëse diçka i bënte alergji, nuk e dija se çfare pëlqente të hante, cila ishte skuadra e zemrës, nuk e dija ngjyrën e tij të preferuar apo grupin muzikor… dalëngadalë zbuluam njëri-tjetrin jo vetëm ne të dy, por të dy fëmijët e mi zbuluan dhe se cfarë do të thotë motër e vëlla”

E ndërkohë që të tre rindërtonin raportin, Klarida me një vullnet e durim murgu po rindërtonte dhe vetveten.

Ajo në 1996 u rregjistrua në një shkollë të mesme ekonomike, ndërkohë që punonte ditën e shkollohej mbremjeve. Nënë e bijë bashkëkohëse në shkollim dhe sado çudi të duket, Klarida dhe pas diplomimit nuk ndaloi së studiuari, duke bërë kurse të ndryshme formimi profesional, gjë që i dha mundësi të linte lokalin dhe të punonte më pas që nga recepsioni i një hoteli, në një agjensi udhëtimesh e më pas në spital për 15 vjet si ndihmës infermiere e më vonë deri në administratë.

Ndërsa të mesmen e bëri me vajzën, shkollën e infermierisë e bëri me djalin.

Një uragan kjo grua, që të pamundurën e ka hequr si fjalë nga fjalori.

3 vjet më parë kur u përfshi në një aksident dhe rrezikoi të mbetej e paralizuar, ajo kurrë nuk e humbi besimin se do të ngrihej prapë në këmbë, as kur për 6 muaj vetë ose dikush tjetër ja shtynte karrigën me rrota. Dhe ashtu ndodhi, jo vetëm u çua, por sot ajo vrapon si e “çmendur” për t’i rrëmbyer e për t’i dhënë më të mirën kësaj jete.

Studimet për psikologji"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan tëGjatë punimit të diplomës në kriminologji

Kur bëri 46 vjeç dhe fëmijët e saj u martuan, secili në fatin e tyre, ajo bëri dhe një zgjedhje që i ndryshoi përsëri jetën. Nisi studimet universitare për Psikologji. Dhe nuk i bëri sa për të patur një diplomë, por për të plotësuar ëndrrën e kahmotçme. Ajo studimet i thelloi me master në psikologji juridike e doktoraturë në kriminologji e viktimilogji."Ika me një kanotjere të djalit e një fustan tëDiplomimi në viktimologji

Sot Klarida Rrapaj jep mësim në Universitetin e Campus në Romë, nuk ndalon së punuari e luftuari për të ndihmuar gratë që të dalin nga zinxhiri i dhunës."Ika me një kanotjere të djalit e një fustan tëDiplomimi për psikologji juridike

Ajo veç mësimdhënies është e përkushtuar edhe në klinikën e saj në Romë, ku raste deri dhe ekstreme adresohen për ndihmë. Dhuna ndaj grave është çështja që dr. Rrapaj ka marrë pranë zemrës së saj më fort se gjithçka.

“Kam pranuar ta ndaj me gratë e dhunuara historinë time personale, sepse dua që të kuptojnë se ne jemi timoni i jetës sonë dhe se pavarësisht çdo sfide: Jeta është shumë e bukur, ndaj duhet jetuar pa frikë e dhunë”. Ndërsa thellimi i studimeve në kriminologji e viktimilogji erdhi si nevojë e saj për të kuptuar të dy palët, edhe  “xhelatin” dhe “prenë”, si nevojë për të shpjeguar më thellë mekanizmin e dhunës e për të gjetur pikat e dobëta ku mund të këputet zinxhiri (më së shpeshti) i dhunës. Ajo e shkretë kurrë nuk vjen vetëm…
"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të

“Unë vetë e kam falur ish-bashkëshortin tim dhe nuk kam asnjë lloj mërie sot, që jam Zot i jetës sime. Të tilla ishin rrethanat, koha, formimi që çuan në përfundimin e atij raporti 7 vjeçar. E rrëfej me sinqeritet dhe hapur historinë time vetëm për një qëllim: Të ndihmoj gratë të dalin nga raportet toksike dhe të pashëndetshme që ju shkatërrojnë jetën.” 

"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të

Dr. Klarida Rrapaj prej kohësh bashkëpunon me disa nga shoqatat më të mëdha kundër dhunës ndaj grave në Itali. Angazhimi i saj është shpërblyer duke u vlerësuar me çmime e nderimet më të larta të disa organizatave tepër prestigjoze italiane dhe ndërkombëtare.

"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të

“Punoj me gratë, pasi edhe sot në 2024 jemi shumë larg respektit për gruan. Gratë kalojnë në faza të vështira, kanë frikë të kërkojnë ndihmë, nuk kanë mbështetje familjare. Ende mbetet e vështirë për të përshkruar se çfarë ndjen një grua, një vajzë apo adoleshente. Në rradhë të parë duhet të ndjehen të sigurta, për së dyti të lira të shprehen dhe të kuptojnë se do të kalojë kjo fazë, si dhe mbi të gjitha  të kuptojnë se pavarësisht cdo gjëjë jeta është e bukur.”

"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të

Në morinë e rasteve të trajtuara nga Dr. Rrapaj këto vitet e fundit ajo veçon atë një gruaje që i shkoi për të kërkuar ndihmë me të djegura cigaresh në trup. Kur gërmoje pak, kujton psikologia e njohur, të përgjigjej se ajo këtë tip dashurie kishte pasur dhe nga babai…

Shenjë në jetën e saj profesionale ka lënë dhe rasti i një nëne që humbi fëmijën 15 vjeçar për shkak të bullizimit, dhe nënazeza nuk kishte kuptuar asgjë që fëmija i saj bullizohej, aq sa të merrte vendimin ekstrem. 

Nuk ka qenë më pak i lehtë trajtimi i një rasti përdhunimi nga pronari i punës i një vajze, e cila vinte nga një familje që i kishte “dhuruar” të bijës një fëmijëri të vështirë. 

“Gratë e nënat e reja duhet të kuptojnë që duhet të flasin gjithë kohën, për çdo shqetësim që kanë, që vënë re në jetët e tyre apo tek të afërmit” – nuk ndalon së porosituri dr Klarida Rrapaj.

"Ika me një kanotjere të djalit e një fustan të

“Sidoqë të vijë jeta, njeriu duhet të ruaj pozitivitetin dhe të mos behet i keq me jetën apo njerëzit. Duhet të jemi pozitiv dhe të mendojmë mirë për njerëzit që duam. Unë kam gjetur vend për veten time për të ecur përpara” – thotë mençurisht doktoreshë Klarida Rrapaj, gruaja sfinks që rilindi disa herë…VERSUS

Share: