Home Gjeo-Ekonomia Ofshama e presidentes Vjosa Osmani është piskamë hidhërimi!

Ofshama e presidentes Vjosa Osmani është piskamë hidhërimi!

Nga Enver Bytyçi

Pashë një video nga konferenca e sotme për shtyp e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ambasadorit amerikan, Hovenier, dhënë pas firmosjes për grantin e USAID për Kosovën. Dëgjova fjalën e zotit ambasador dhe ndjeva se sjellja e tij është tejet përçarëse për krerët e institucioneve të Kosovës.

Dokumentin e ndihmës së USAID nuk e firmosi presidentja. Por ajo ishte thirr në dekorin e ceremonisë, si sfiduese e qeverisë, derisa zoti Hovenier tha se “Kjo ndihmë është për popullin e Kosovës dhe jo për qeverinë e Kosovës”! Ishte një deklaratë mosnjohëse të një qeverie legjitime të Republikës së Kosovës, kjo. Ishte një sfidë për kryeministrin Kurti. Dhe duket se në këtë sfidë ambasadorit amerikan në Prishtinë i duhet në një rol të caktuar Presidentja e Republikës.

Nuk desha ta bëj një status si ky derisa para pak minutash të kësaj mesnate pashë një video në të cilën zonja Osmani i përgjigjet zotit Hovenier me një ofshamë, pas një pyetjeje që ai ia bën asaj në anglisht përpara mikrofonit të hapur! Nuk u lodha ta përkthej pyetjen e zotit Hovenier. Më mjaftoi ofshama e presidentes Osmani për të kuptuar pozitën e vështirë në të cilën po e vendos ambasadori amerikan atë për t’iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti.

Eshtë vërtetë sfida më e vështirë për një lider të Kosovës të gjendet midis dy zjarreve, – zjarrit të qytetarëve të vendit të vet dhe zjarrit të arrogancës së ambasadorit të vendit aleat dhe mik të Kosovës, SHBA-ve! Unë e dua Amerikën. Më besoni për këtë! Në vitin 2005 kam shkruar librin “Shqiptarët, serbët dhe grekët” e në atë libër kam thënë se “Nëse Europa nuk bëhet bashkë për ta krijuar shtetin e pavarur të Kosovës, Kosova do të duhet t’u kërkojë amerikanëve të bëhet shteti i 52-të federal i SHBA-ve”!

Por kurrë nuk më shkonte në mendje se po të ndodhte kjo, paska pasë me shku me kohë veriu i Kosovës, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviçin, Zubin Potokun e Zveqanin, pra bashkë me Trepçen dhe të gjitha pasuritë e tjera, përfshirë Ujmanin!

Prandaj dhe ofshamën e presidentes Osmani e shoh si ofshamë të Kosovës! Kosova duhet të përgatitet për një zhgënjim të tmerrshëm! Të besosh kaq shumë te Amerika e në fund po Amerika të të thotë se “duhet me i dhanë tokë Serbisë”, kjo është jo vetëm zhgënjim, por trishtim shumë i madh! Ofshama e zonjës Osmani është piskamë hidhërimi! Eshtë vajtimi para një tragjedie!

Ofshama e Vjosa Osmanit është jo vetëm e Kosovës, është Kosova vetë! Eshtë fati i saj! Eshtë pafuqia e saj për të kundërshtuar diçka që shkon kundër interesave të Kosovës. Ofshama e Vjosa Osmanit është këmbanë alarmi për t’u bashkuar, për t’i thënë JOOOO atyre diplomatëve amerikanë që janë angazhuar për interesat e Serbisë në Kosovë. Ofshama e presidentes së Kosovës është më shumë se ofshamë! Eshtë kujë! Eshtë tërmet!

Nëse nuk do të gjendet një rrugë mirëkuptimi për ta jetësuar shtetin e Kosovës në çdo milimetër katëror të saj, atëherë duhen ridimensionuar aleancat! Ka shtete në Europë që kanë interesa më të afërta me Kosovësn sesa me Serbinë. Mesa duket SHBA-të i kanë transferuar interesat e veta në Beograd! Eshtë e drejta e tyre. Kosova duhet të mbështetet te shtetet që e mbështesin Kosovën, së paku në të drejtën e vet dhe jo Beogradin në të padrejtën e tij kundër Kosovës!

Ofshama e Presidentes është stuhi që duhet përballuar! Çdo përballje nis me ofshamë. Kur i dobëti ofshan para të fortit! Kur i forti sillet me viktimën me arrogancë në publik! Kur i dobëti ul kokën e ikën me ofshamë nga i forti! Duhet ditur se ky i dobëti ka nis startin e ringritjes, ka lidhe këmbët e trupin e vet me tokën që e ka lindur dhe merr energjinë e saj për t’u përballur me të fortin! E në këtë rast energjia e tokës shndërrohet në energjinë e Zotit, pra të së drejtës, të së moralshmes, të së vërtetës! Që në gjuhën shqipe ne e përkthejmë liri! Liri për të vendosur vetë për fatin tonë! Liri edhe për të përzgjedhur vetë ne aleatët tanë!

Për deri më sot, nëse nuk e ndryshojnë trajektoren, u thoni shumë faleminderit amerikanëve! Pastaj u thoni se shohim e bëjmë! Nëse jeni me ne, edhe ne jemi me ju! Sigurisht! Nëse nuk jeni me ne, atëherë ne nuk ju pengojmë të bëheni aleatët e armikut genocidist tonit!

Share: